TEKSTESHQIP

Eliza Hoxha Bën Thrirrje: Të Rinjtë Të Mos E Braktisin Vendin

20-6-2012
Eliza Hoxha Bën Thrirrje: Të Rinjtë Të Mos E Braktisin Vendin
Sapo ka dalë në treg kënga "E ardhmja jemi ne" dhe menjëherë kanë nisur komentet nga më të ndryshmet, duke vënë në pah punën e madhe të këngëtares Eliza Hoxha e cila në çdo këngë të saj përçon nga një mesazh te publiku.

Ndonëse kënga "E ardhmja jemi ne" ndërthur në vete një temë sociale përmes së cilës Eliza i drejtohet kryesisht të rinjve. Eliza ka menduar që gjatë muajve të ardhshëm të sjellë edhe disa këngë e klipe të reja për adhuruesit e saj.

Në intervistën dhënë "Zërit" ajo tregon më gjerësisht për punën e këngës "E ardhmja jemi ne".

Çfarë ju shtyri të realizoni një këngë pak më ndryshe, mendoni se me këtë projekt do t'ia arrini qëllimit?

Kënga e titulluar "E ardhmja jemi ne" e sapolansuar në fakt është pjesë përbërëse e një fushate të madhe të IOM në Prishtinë, për promovimin e migrimit të rregullt te të rinjtë në përgjithësi dhe te komunitetet shpesh të margjinalizuara siç është komunitetit RAE.

Projekti del përtej kufijve kosovarë duke e shtrirë aktivitetin e vet edhe në Maqedoni, e sidomos në zonat komuniteti i të cilave edhe pas liberalizimit të vizave në Maqedoni po kërkonte azil në vendet e Bashkimit Evropian. Jam munduar që me këtë këngë të jap një mesazh për të gjithë të rinjtë dhe që në start kam marrë shumë kritika pozitive.

Mendoni se do të ndikojë kjo këngë sadopak te të rinjtë që duan të emigrojnë jashtë?

Ideja është që përmes mjeteve të ndryshme shprehëse siç është muzika, filmi, aktivitetet e tjera promovuese dhe komunikuese të ngrihet vetëdija e të rinjve dhe komuniteteve për pasojat që mund t'i shkaktojë migrimi jo i rregullt, kudo. Andaj kam përshtypjen se do të ndikojë në një farë mënyre.

Kush e ka meritën më të madhe për këtë këngë?

Merita më e madhe u dedikohet realizuesve të këngës, si Florent Boshnjakut i cili e ka bërë kompozimin, pastaj Blerim Gjocit, i cili e ka realizuar regjinë e videoklipit. Ndërsa tekstin e këngës e kam përgatitur vetë.

Në klip dukeni edhe me një ndryshim në lluk, mendoni se kështu do t'i pëlqeni më shumë publikut?

Jam munduar që sadopak në këtë paraqitje time në videoklip të bëj një ndryshim në lluk. Kam ndryshuar ngjyrën e flokëve, por nuk kam bërë ndonjë ndryshim drastik. Ndërsa sa i përket publikut, mendoj se më pëlqen edhe kështu siç jam.

Në realitet dëshiroj që publiku përveç dukjes të pëlqejë dhe të vlerësojë edhe interpretimin tim dhe kjo është më e rëndësishme për çdo këngëtar.

Keni ndonjë mesazh për të rinjtë?

Kënga flet për idenë se edhe në Kosove jeta lulëzon, se edhe në Kosovë mund të ketë një të ardhme, gjithherë nëse fillojmë së pari të eksplorojmë rrethin dhe kontekstin ku jetojmë për të kërkuar apo edhe për të gjeneruar mundësi të reja në të ardhmen për vete dhe të tjerët.

Thënë shkurt më mirë zot në shtëpinë tënde se sa një i paemër dhe shërbëtor diku tjetër. Për më shumë kënga e njëjtë me porosinë e njëjtë do të shoqërojë fushatën e përkthyer edhe në gjuhën maqedonase e edhe në gjuhën rome.

Andaj me këtë u bëj apel të rinjve që të mos lëshojnë vendin e tyre, sepse ngrohtësinë që ua sjell ky vend nuk mund t'ua sjellë një vend tjetër.

Ka Eliza ndonjë plan tjetër?

Plane kam shumë, do të mundohem që edhe më tej adhuruesve të mi t'u sjell këngë e klipe atraktive.
(vipat.info)

Komente 0