TEKSTESHQIP

Eliza Hoxha, Si Liza Në Botën E çudirave

25-9-2012
Eliza Hoxha, Si Liza Në Botën E çudirave
Arkitektja-këngëtare nga Kosova në këtë rrëfim për SH.F. thotë se njerëzit dallojnë vetëm nga mënyra se si duan të arrijnë tek suksesi. Si arkitekte na ka folur se çfarë i mungon Tiranës, ndërsa kur e kemi vendosur në këndin e kuzhinës na ka habitur, nuk ka ngrënë kurrë… domate!.

Eliza Hoxhën e takojmë në Tiranë. Kjo ishte java e arkitekturës dhe ajo ishte e ftuar për të marrë pjesë në organizimet për këtë rast. Ç'ne Eliza në javën e arkitekturës? E njohin të gjithë si këngëtarja Eliza Hoxha, por ajo me profesion është arkitekte. Thonë që nuk bëhen të gjitha gjërat njëherësh, por ja që ajo ia ka dalë, duke u kualifikuar gjithandej me talentin e saj, qoftë në muzikë, në arkitekturë, por edhe në fotografi…

Eliza, çfarë e bën një njeri të suksesshëm?

Ishte dashur të ishte puna, apo jo…!!! Por në një botë imazhi si kjo sot edhe perceptimi për " njeriun e suksesshëm" po ndryshon çdo ditë. Teori e libra të ndryshëm flasin për sekretet e suksesit jo vetëm tek femrat, por të njerëzve në përgjithësi nga fushat e ndryshme.

Po, teori e libra ka shumë. Por çfarë është vërtet e rëndësishme në fund?

Mendoj se e rëndësishme në fund është që secili nga ne duhet t'i kuptojë dhe t'i vlerësoj kualitetet dhe ambiciet që ka duke e përcaktuar vetë cakun dhe pozicionin e synuar në shoqëri. Për mua, njerëzit dallojnë vetëm nga mënyra se si duan të arrijnë tek suksesi. Ngaqë në një formë apo tjetër të gjithë e duan atë.

Ka ndonjë gjë që e bën më të lehtë suksesin?

Nuk besoj se ka sukses të lehtë. Me punë dhe investim profesional e arrin, por rruga deri te suksesi është e gjatë, me shumë sfida dhe shpesh edhe e vështirë. Por një gjë është e sigurt nëse ka një rrugëtim, ky sukses është sukses i qëndrueshëm, përmbajtësor dhe i merituar.

Ti vetë, veç këtyre, ke bërë ndonjë kompromis të madh për hir të suksesit?

Nuk jam njeri i kompromiseve të mëdha.

Me çfarë jeni duke u marrë këto kohë?

Me punët e mia (qesh).

Sa për qind të kohës suaj zë arkitektura?

Unë jetoj nga ky profesion dhe ai ka vendin kryesor në axhendën time.

Po muzika?

Është gjithmonë aty pranë, shpesh paralelisht me punët që bëj në anën tjetër, por edhe shpeshherë në pritje. Unë i kam reduktuar daljet e mia muzikore vetëm në ndonjë program televiziv apo festival.

Eliza, shpesh këngëtaret nuk i gjejmë fort të lidhura me këtë anën e dijes e të librave, disa kanë pamjen fizike, disa kanë zërin dhe aq. Ti çfarë marrëdhënie ke me leximin?

Një domosdoshmëri. Është një domosdoshmëri… Jetojmë në një botë kur format e komunikimit, trendet dhe mjetet e komunikimit ndryshojnë çdo ditë prandaj është nevojë, por njëkohësisht edhe dëshirë të jesh pjesë e një rrjeti të tillë. Dhe pa lexuar, pa qenë i informuar, pa prekur nga afër dije, qytete dhe mjedise të reja nuk mund t'i shërbejmë as vetes e as vendit.

Edhe një kuriozitet të fundit për Elizën, diçka më shumë për jetën private… Kush është ai djali?

Eh po çfarë t'ju them unë tani, në këto pyetjet që populli ka shumë qejf t'i dijë përgjigjet (qesh).

"Tiranës i mungon vizioni, s'duhen shumë para, duhen mendje kreative dhe dashuri për qytetin"

Si arkitekte çfarë ju bën përshtypje nga Tirana? Diçka për të cilën thoni shpesh: si ka mundësi që kjo gjë nuk u rregullua këtu?

Tirana është qytet i fluksit dhe diversitetit të theksuar dhe është e natyrshme që e ka të pamundur t'i absorbojë të gjitha këto në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo që mungon si e para është një vizion i qartë se përkah duhet të shkoj Tirana në të ardhmen, si t'i kanalizojë dhe t'u japë përgjigje sfidave të shumta të informalitetit dhe ilegalitetit, ndryshimeve të mëdha fizike, të cilat nuk lënë vend për hapësirat e përbashkëta publike e pa të cilat qyteti dhe jeta në të nuk kanë kuptim dhe nuk frymojnë lirshëm.

Duhen shumë para për këtë?

Për këtë? Nuk është se duhen shumë para, por duhen mendje kreative, të hapura dhe të sinqerta të cilat me dashuri dhe përkushtim i adresojnë sfidat, akomodojnë nevojat e komuniteteve të ndryshme dhe grupeve të interesit në një vizion të përbashkët për Tiranën, e cila mund t'u shërbejë të gjithëve.

Këndi i gatimit

Gjëja që nuk ha kurrë? Domatja

Po me ushqyerjen, çfarë marrëdhëniesh keni. Cili është raporti me mëngjesin, përshembull..

Marrëdhënie super të mirë. Më pëlqen ushqimi. Sa për mëngjesin me raste e ha në shtëpi e ndonjëherë edhe mbetem pa të kur më duhet të dal herët në punë.

Kaloni shumë kohë në kuzhinë?

Është kënaqësi e imja shumë e madhe të gatuaj…

Cili është gatimi që mendoni se e bëni më mirë?

Tani unë s'e di sa mund të jem e sinqertë se cili është ushqimi më i mirë që bëj, por ka shumë nga familjarët dhe miqtë e mi që preferojnë shumë nga gatimet që unë bëj sidomos pastat.

Më shumë vakte në shtëpi në shtëpi apo restorante?

Me raste të dyja… varet nga axhenda e ditës sime.

Keni mbajtur ndonjëherë dietë për të ruajtur linjat?

Po kam mbajtur…U shëndosha shumë gjatë studimeve të mia në Belgjikë dhe e kisha të pamundur më pas të kthehesha në linjat e dëshiruara..

Çfarë marrëdhëniesh keni me ëmbëlsirat?

Më pëlqejnë jashtë mase…ato janë dhe problemi kryesor (qesh).

Po me pijet, alkoolin?

Uji është i pazëvendësueshëm, ndërsa alkoolin e konsumoj me raste, për më shumë më pëlqen që ushqimin ta shoqëroj me verë…

Çdokush ka një ushqim që nuk e ha, ju keni një të tilli, cili është ajo që gjë nuk e keni ngrenë asnjëherë?

Domatja.

Frutat, çfarë më shumë?

Frutat më pëlqejnë në përgjithësi…por më shpesh konsumoj mollën, portokallin, dredhëzat…

Cila është gjëja që të pëlqen më shumë dhe që është gatuar nga duart e nënës suaj?

Pitja me spinaq është e preferuara ime.

Tre në një!

Unë po punoja si fotoreportere në vitet e paraluftës në javoren politike, "Zëri", atëherë kur po studioja njëkohësisht për arkitekturë dhe kur ishte e pamundur të bëja diçka në fushën e muzikës për shkak të rrethanave politike. Paslufta i rrokullisi në një tjetër dimension ambiciet dhe përkushtimet e mia. Në konditat e reja ishte muzika ajo që më kishte mbetur peng prej kohësh dhe e kisha patjetër t'i jepja prioritet. Në profesionin e arkitekturës vazhdoj ta avancoj veten profesionalisht edhe më tej, përderisa fotografia tani është më tepër pasion që e quaj vetëm për veten time dhe e ndaj me të tjerët në rast ekspozitash apo prezantimesh tjera artistike.

Muzika-arkitektura-fotografia

"Kënga nisi kur isha 6 vjeçe, në kohën kur babai im (kompozitor) po bënte këngët për mua, dhe më pas kur u rrita kisha dëshirë ta zhvilloja veten në muzikë. Jeta institucionale publike e shqiptarëve në Kosovë u shpërbë për shkak të rrethanave politike, gjë që ndikoi në përcaktimet e mia në studime, por edhe i bëri të pamundura prezantimet e mia në muzikë.

Në këto rrethana, nisi të vijë në shprehje fotografia, e cila për mua ishte dhe vazhdon të jetë pasion, por që atë kohë kisha nevojën e theksuar të kontribuoj në një formë apo tjetër për vendim tim, dhe regjistrimi i shumë ngjarjeve dhe momenteve të asaj kohe më bën të ndjehem krenare për shënimin e një memorie kolektive për Kosovën e trishtuar nga presionet politike dhe lufta së fundi. Kjo fazë dhe kjo punë më ndikoi shumë në formësimet e mia si person, duke parë një realitet tjetër nga afër në të gjithë Kosovën, që shumë moshatarë të mi e shihnin vetëm përmes mediumeve dhe nuk e perceptonin dot direkt, sidomos në zonat urbane.

Konditat e reja të pasluftës nxorrën në pah hapësirën e munguar të shprehjes artistike të shqiptarëve të Kosovës, prandaj dhe ishte një bujë e madhe e projekteve të muzikës moderne. Unë, më në fund, po përmbushja ëndrrën time në muzikë dhe po e formësoja veten tutje në një profesion tjetër, i cili ka melodinë, harmoninë dhe shpirtin e vet e që përcjell dhe ndikon jetën e njeriut çdoherë. Kjo është arsyeja se përse muzikën dhe arkitekturën nuk i ndaj dot, sepse të dyja kanë ndërlidhje njëra më tjetrën, në formë, strukturë, shtrirje, ngjyrim, lojë etj.

E para, përmbush njeriun shpirtërisht dhe e dyta, ndikon në mirëqenien e tij. Por, që të dyja të kenë efektin pozitiv tek njeriu duhet të formësohen, promovohen dhe kurohen me shumë pasion, shije, përmbajtje konform konditave aktuale dhe kërkesës së njeriut modern".
(ENTELA RESULI GAZETA SHEKULLI)

Komente 0