TEKSTESHQIP

Eliza: Muzika Ime është Zëri I Grupeve Të Margjinalizuara Në Shoqërinë Kosovare

16-6-2014
Eliza: Muzika Ime është Zëri I Grupeve Të Margjinalizuara Në Shoqërinë Kosovare
Këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha në një intervistë për "Shekullin", tregon për realizimin e ekspozitës multimediale mbi heshtjen e grave të dhunuara nga lufta në Kosovë, për 15 vjet rresht.

Si ka ndikuar te këto femra çlirimi i Kosovës, liria dhe entuziazmi për zhvillim dhe rindërtim të vendit? Përse ndër vite çështja e grave të dhunuara në luftë u injorua? A janë vetëm ato që heshtin, apo një pjesë të fajit e ka edhe shoqëria shqiptare, që nuk i ka përkrahur mjaftueshëm, duke e lënë zërin e tyre në heshtje?

Eliza kësaj here këtë ide e realizoi së bashku me ekspozitën multimediale; fotografi, video- instalacione, edhe prezantimi i klipit "Heshtja e këngës". Muzika dhe teksti i realizuar prej saj, orkestrim i Adi Hilës, me të cilën Kosova u përfaqësua këto ditë edhe në programin zyrtar të Samitit Global "End sexual violence in konflikt" në Londër. Këngëtarja flet edhe për projektet e saj personale.

"E heshtja më dhemb, çdo ditë po më shemb. Por, e vetmja mike që unë mund ta kem. Që diçka t'i them, e çfarë mund t’i them?... ", kjo është fraza e shkruar në katalogun e ekspozitës multimediale... Përse një ekspozitë për heshtjen e grave të dhunuara nga lufta në Kosovë, pas 15 vjetësh?

Kthimin në Kosovë, çlirimin, lirinë, entuziazmin për rindërtim dhe zhvillim të vendit si duket e kapluan të gjithë, përveç disa personave që plagët nuk do të arrinin t’i shëronin as në liri. Ndër vite çështja e grave të dhunuara në luftë u injorua, ndër vite persona të pagjetur vazhdojnë të jenë brenga e familjarëve të shumtë... Ndër vite liria që po e gëzonim për dikë tjetër ishte liri e cunguar dhe një burg psikologjik.

E krejt këtë gjendje e mbështjellë heshtja, si e vetmja mënyrë jete e këtyre viktimave në një Kosovë ku liria ka kuptim dhe shije tjetër për njerëz të ndryshëm. Stigmatizimi, paragjykimi, mohimi janë ende të pranishme në një shoqëri e cila aludon se ka përparuar e është hapur dukshëm ndaj trendeve botërore, por që në esencë vazhdon të jetë e mbyllur dhe jo e gatshme për ta parë veten e vërtetë në pasqyrë.

Unë ka kohë që muzikën e shfrytëzoj si një platformë komunikimi për brengat e shumta për komunitetin që i përkas. Muzika ime është mendimi im, por në të njëjtën kohë ajo bëhet zëri i shumë grupeve të margjinalizuara dhe aktualisht pa zë në shoqërinë kosovare. Dhe kjo ishte arsyeja pse pas shumë projektesh me tema të angazhuara sociale vjen edhe projekti që flet për heshtjen e dyfishtë kundrejt fenomenit të dhunimit.

Heshtja e viktimave dhe heshtja jonë kolektive kundrejt tyre. Por jo vetëm kënga mund ta shprehte gjithë kompleksitetin e çështjes. Prandaj projekti u bë më i gjerë duke përdorur instrumente të shumta shprehëse artistike për të thyer heshtjen dhe për ta nxitur debatin rreth çështjes.

Sa u sodilarizuan femrat me këtë akt?

Duke qenë një proces i gjatë pune me shumë shoqata që trajtojnë këto viktima, unë kuptoja se çfarë peshe kisha marrë mbi supe dhe më pas të kaplon edhe frika se a do të qëllojë në shenjë, a do ta ketë projekti efektin e duhur, a mund të mos keqkuptohet dhe interpretohet..., gjithnjë duke qenë shumë koshiente për ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e temës së trajtuar.

Por si thonë: kur "njëri" është i mirë, gjithçka rezulton mirë. Ekspozita e me të edhe kënga atë natë thyen heshtjen dhe vaji i kaploi shumë nga njerëzit prezent. Kishte ardhur momenti si duket... duhet ta niste dikush ... Kujtoj në një nga takimet njëra më tha: Faleminderit që je kujtuar për ne.

Cili është rrëfimi më tronditës që keni ‘zgjuar’?

Rrëfimet e tyre janë rrëfimet që mbesin ende në dhomat e mbyllura..., prandaj do të ishte jokorrekte nga unë të ndaja një të tillë me medien. Mendojë se prej tyre disa kanë filluar edhe të flasin sepse janë lodhur nga heshtja.

Një perfomancë, video-instalacion edhe muzikë...që lindi nga pyetja: "Pse heshtin gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë?" Pas kësaj performance a gjete një përgjigje për të? Përse mendoni ju se heshtin?

Heshtin sepse jemi shoqëri që jetojmë me standarde të dyfishta, sepse gjykojmë jetën e tjetrit, përjashtojmë të ndryshmen dhe etiketojmë lehtësisht mbi gjithçka e çdokënd, nuk merremi me problemin, por me efektet anësore, thjeshtë jetojmë për të tjerët. Performanca/ekspozita/kënga nuk mund të japin përgjigje për heshtjen e grave, por e trajtojnë atë si fenomen dhe në këtë proces tenton ta thyejnë atë duke nxitur debatin.

A mendoni se përfaqësohen denjësisht gratë në Parlamentin shqiptar?

Nuk është e mjaftueshme vetëm prania fizike.

Çfarë hapi mund të hapte shtigje të reja për rritjen e kontributit të tyre?

Pavarësia mendore dhe ekonomike.

A keni përjetuar tek të afërmit tuaj ndonjë situatë dhune?

Jo.

Dhuna në familje. Sipas mendimit tuaj, cila është rruga kryesore për ta shmangur atë?

Debati i sinqertë, edukimi dhe kultura.

Për të pasur një familje të shëndetshme, prej kujt duhet të nisesh?

Vlerat e përgjithshme njerëzore.

Po një marrëdhënie në çift?

Është e dyanshme.
Eliza Hoxha
Heshtja E Kanges
[Teksti dhe Klipi]
(Express)

Komente 0