Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


CORONAVIRUS NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Elsa Lila, E Lumtur Që Po Rikthehet Në Shqipëri


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1
[31-08-2014]
Siç edhe është publikuar tashmë lajmi, unë këtë vit do të jem pjesë e ekipit të trajnerëve të “The Voice Of Albania”, që sigurisht nuk zgjat dhjetë ditë (qesh). Jam shumë e lumtur që këta tre muaj dimri do t’i kaloj pranë artistëve të rinj, në një udhëtim muzikor, ku unë, së bashku më ta, do të eksplorojmë zhanre, stile e teknika, në një atmosferë që vetëm muzika e krijon.

Në këtë shpërngulje të përkohshme do të keni me vete edhe Evitën?

Sigurisht që edhe Evita do të jetë së bashku me mua këta 3 muaj në Tiranë. Ajo është qetësia ime shpirtërore dhe inspirimi im. Ajo më jep forcën dhe energjinë pozitive për të nisur mirë edhe një ditë të vështirë. Ajo do të frekuentojë një nga kopshtet e Tiranës dhe unë jam tepër krenare për këtë. Do të ketë mundësinë të praktikojë akoma më mirë gjuhën shqipe duke luajtur me fëmijët. Do të jetë një eksperiencë e rëndësishme për të, që do t’i bëjë tepër mirë.

Le të ndalojmë pak te projekti që ju solli këtë herë në Tiranë, pra te “The Voice of Albania”. A ishte kjo oferta e duhur për t’ju rikthyer sërish në ekran, tashmë për një projekt artistik?

Mendoj se po. Profesioni im është i lidhur pashmangshmërisht me zërin, që është një instrument unik i secilit prej nesh. Të dish ta përdorësh atë si të tillë, është një dhunti natyrore, që duhet kultivuar artistikisht, gradualisht ndër vite. Zëri është ura lidhëse e padukshme fizike midis artistit dhe publikut. Prandaj në “The Voice of Albania” janë zërat e Shqipërisë protagonistët dhe ura lidhëse me publikun, janë ata që do të na emocionojnë me mënyrën se si do të çlirojne vibracionet e zërave të tyre.

Formula e kësaj gare është “zgjedh dhe të zgjedhin”. Si prisni ta përballoni këtë rrugëtim emocionues, pasi do t’ju duhet t’u thuash konkurrentëve “kaq ishte”?

Duke pranuar të jem pjesë e ekipit të trajnerëve të “The Voice of Albania”, ndiej se detyra jonë dhe e imja është t’u japim artistëve të gjithë suportin dhe bagazhin tonë profesional e human. Për mua, secili prej artistëve pjesëmarrës në “The Voice of Albania” është një botë muzikore më vete, e cila duhet zbuluar, kuptuar dhe vlerësuar. Eksperiencën time muzikore do të doja ta ndaja me secilin prej tyre, në fakt me secilin prej atyre që do të më zgjedhin (qesh). Unë kam qenë dikur si ata dhe i kuptoj shumë mirë shpresat, aspiratat, emocionet, por mbi të gjitha dëshirën e tyre të shfrenuar për të kënduar në skenë. Por edhe për mua është një emocion, përgjegjësi dhe privilegj i madh të ndjek, të udhëzoj e të këshilloj nga afër artistët e rinj, prej të cilëve jam e sigurt se do të mësoj edhe unë.

E çfarë mendon se do të mësosh personalisht?

Do të dëgjoj ngjyra zërash të ndryshëm, karaktere të shumta, temperamente muzikore e personalitete të ndryshme, histori të larmishme jete, që ndikojnë sigurisht në ndjeshmërinë artistike të secilit prej tyre. Do të njihem me një mori energjish të reja, që mua më pasurojnë personalisht dhe artistikisht.

Përgatitesh për një angazhim intensiv pune. Evita e vogël do të kënaqet duke parë mamin çdo javë në ekran, apo jo?

Evita është 3 vjeçe e gjysmë dhe tani kupton shumë. Prandaj nuk do doja që ajo të më shihte ende në televizor. Do të doja të mbetesha për të edhe për shumë pak vite të tjera vetëm mami Elsa.
 (Panorama)



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet