Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


CORONAVIRUS NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Enkelejda Arifi: Krenare Që Jam Shqiptare Me Prejardhje Nga Çamëria


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.9 / Votuan:  17
[27-11-2015]
Në këtë vigjilje festash, kemi nderin të intervistojmë njërën nga “pishtaret” e muzikës popullore çame, Enkelejda Arifi. Ajo, me veprimtarinë e saj po ngre lartë, jo vetëm kulturën çame, por edhe atë mbarëshqiptare…

Teksteshqip: Po e nisim intervistën në mënyrën më klasike: Kur keni lindur dhe ku?

Enkelejda Arifi: Unë kam lindur në muajin Maj, në qytetin e Kavajës, edhe pse prindërit e mi në atë periudhë jetonin në qytetin e Rrogozhinës, rrethi i Durrësit.

Teksteshqip: Ç’përshtypje ruani nga fëmijëria juaj?

Enkelejda Arifi: Në përgjithësi ka qenë një fëmijëri e qetë, kam qenë e rrethuar me kujdes e dashuri, jo vetëm nga prindërit, por edhe nga të afërmit e tjerë, kam qenë e përkëdhelur, sepse kam qenë vajzë e vetme dhe pas gjashtë vitesh ka ardhur në jetë vëllai im, Altini. Kam pasur kohë të llastohem sa të dua (qesh)….

Teksteshqip: Pse vazhduat pikërisht artin muzikor dhe jo ndonjë degë tjetër. Thjesht se ju caktuan këtu, apo ka ndonjë arsye tjetër?

Enkelejda Arifi: Që e vogël unë mendoj se u vetëpërcaktova për muzikën, gjatë kësaj periudhe në shkollë kam bërë edhe teatër, prezantim, recitim por ajo që ishte “specialiteti” i mishtë,qe muzika dhe kënga.

Teksteshqip: Kur ju kanë intervistuar për herë të parë?

Enkelejda Arifi: Të them të drejtën, nuk më kujtohet… vërtetë!



Teksteshqip: Po me xhaxhain, Hysniun, si filluat të bashkëpunoni?

Enkelejda Arifi: (qesh) Unë e kam filluar bashkëpunimin me Hysniun që kur kam lindur, ai më këndonte që kur isha fëmijë, pastaj filluam të këndojmë bashkë dhe vazhdojmë ende…

Teksteshqip: Njohjet tuaja, si gjatë rinisë edhe pas saj, kanë qenë të shumëanëshme. Sipas jush, cilët kanë qenë artistët më të talentuar?

Enkelejda Arifi: Të gjithë artistët që unë njoh ose që kam miqësi, janë të talentuar. Tjetër gjë është mënyra se si depërtojnë, ose paraqiten në tregun apo “mejdanin” muzikor. Nëse nuk je talentuar, nuk i mbijeton…

Teksteshqip: Po nga ata që jeni tradhëtuar, nuk do përmendni ndonjërin?

Enkelejda Arifi: Nuk mbaj mend të jem tradhëtuar ndonjëherë nga kolegët…

Teksteshqip: Ndjeheni e veçantë që jeni me prejardhje çame?

Enkelejda Arifi: Ndjehem krenare që jam shqiptare me prejardhje nga Çamëria, njëkohësisht ndjehem e privilegjuar që I përkas një krahine me histori, kulturë dhe tradita, që do t’i kishte lakmi gjithkush. Dëshiroj të citoj një thënie nga maestro Agim Krajka, kompozitori ynë I madh, thënie e cila më është rrënjosur në kokë dhe nuk e harroj kurrë: “Çamëria është “oborri feudal i aristokracisë shqiptare”.



Teksteshqip: Kur jemi te bashkëpunëtorët, cili mendoni se ka qenë më i miri për ju?

Enkelejda Arifi: Bashkëpunëtorët I kam pasur të ndryshëm, qoftë nga krijimtaria, qoftë nga mosha, fama apo emri. Secili prej tyre më ka dhuruar një vepër, njërën më të mirë se tjetrën, me anë të së cilave kam ngritur dhe vazhdoj të ndërtoj karrierën time. Janë secili më i miri në llojin e vet dhe unë ju jam mirënjohëse atyre, të gjithëve.

Teksteshqip: Cila është kënga juaj më e dashur?

Enkelejda Arifi: Kjo me të vërtetë është një pyetje e vështirë, është një lloj si të pyesësh një nënë se cilin prej fëmijëve do më shumë. Këngët janë të ndryshme, kanë histori të ndryshme, u përkasin momenteve të caktuara, secila prej tyre ka ngjarjen e saj, kështuqë nuk mund të krahasohen…

Teksteshqip: Cili mendoni se ka qenë këngëtari dhe artisti më i madh çam?

Enkelejda Arifi: Do të citoj tre prej tyre të cilët personifikohen me personazhet e tyre dhe kanë bërë histori: Refat Sulejmani, i cili ka kënduar “Çelo Mezanin”, Taip Madani që ka vallëzuar “Osman Takën” dhe Muhamet Sherri që ka interpretuar Xhafo Idrizin tek “Dy krisma në Paris”. Ka dhe shumë të tjerë që përfitoj nga rasti t’i përshëndes dhe t’u them se ne, patriotët e tyre, krenohemi me ta.



Teksteshqip: Enkelejda, na flisni pak rreth mega-projektit më të fundit “Toka amë”!

Enkelejda Arifi: “Toka amë” si projekt ka lindur në fillim të këtij viti (në Maj), por si ide ka lindur tre-katër vjet më parë, kur unë u dekorova me çmimin “O sa mirë me qen shqiptar” nga Tifozat Kuq e Zi, të cilët I falenderoj nga zemra. Bashkë me Hysniun, Edi Balilin dhe Armand Trebickën filluam punën dhe pas gjashtë muajsh punë dhe lodhje, erdhi në jetë. “Toka amë” është një këngë “homazh”, kushtuar Shqipërisë në prag të Festës së Pavarësisë, nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë. Dëshiroj t’i falenderoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë, anë e kënd botës që kontribuan në realizimin e saj. Një falenderim I veçantë I takon edhe produksionit Video Art-Gjilan, për punën e palodhur.

Teksteshqip: Në mbyllje të bisedës, a jeni edhe juve të mendimit se organet kompetente duhet më tepër të merren me artin e mirëfilltë?

Enkelejda Arifi: Sigurisht që po.

Teksteshqip: Enkelejda, ishte nder që ju kishim në intervistë, faleminderit!

Enkelejda Arifi: Faleminderit dhe ju Arsim, ju uroj shëndet e punë të mbarë!
 (Arsim Kolari - teksteshqip.com)

      Enkelejda Alushi & Hysni Alushi - Toka Amë (Feat.Edi Balili) [Teksti dhe Klipi]


Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet