>
BIOSHQIP

Enkelejda Alushi Vjen Me Këngën “Dhëndër Bëhesh Sot”

03-06-2013
Jam rritur me këngën çame dhe nuk pranoj “t’i shes sapunin për djathë” publikut

Këngëtarja me prejardhje çame, Enkelejda Alushi (Arifi), pa dyshim është ndër këngëtaret më të vlerësuar, e cila në çdo skenë që këndon shpërblehet me shumë duartrokitje. Edhe në skenën e koncertit “Kumbimi i zemrës çame”, këngëtarja me interpretimin e saj përcolli jo pak emocione. E konsideruar si këngëtarja e vajit dhe e mallit, por edhe e optimizmit dhe sharmit skenik, edhe në këtë koncert që u zhvillua në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo përcolli vlerat më të mira të traditës dhe kulturës çame. Në këtë koncert nuk kishte si të mungonte dhe dueti me xhaxhain e saj, këngëtarin Hysni Alushi. Në intervistën dhënë për gazetën këngëtarja flet për projektet e reja muzikore, ku nuk do të mungojë ritmi në këngët e saj, por dhe klipet që do të realizojë. Prej vitesh këngëtarja jeton me familjen e saj në Kosovë, por si është jeta e saj atje dhe çfarë e sjell në Tiranë, ajo na i zbulon në vijim të kësaj interviste.

-Koncerti “Kumbimi i zemrës çame” ju riktheu sërish para publikut në Tiranë. Çfarë emocionesh ju dhuroi ky koncert?
Emocionet gjithnjë janë shumë të mëdha, sepse kontakti me publikun dhe aq më tepër drejtpërdrejtë në koncerte live dihet që është shumë i madh. Faktikisht ne i përcollëm emocion, por ai që na përcollën ata, ishte akoma dhe më i madh. Kështu që mund të them që ishte një eksperiencë dhe një kënaqësi shumë e madhe ky koncert.

-Ky koncert solli gjithashtu në vëmendje të publikut disa nga perlat e krijimtarisë së këngës çame, si edhe këngët e reja, si erdhën ato para publikut?
Nuk kishte si të mungonte në këtë koncert himni i këngës çame, dueti që unë këndova me Hysniun, xhaxhain tim. Më pas ishte dhe kënga ime e re që e interpretova për herë të parë në këtë koncert. Kënga e re titullohej “Dhëndër bëhesh sot”, me fjalët që një nënë i thotë djalit që e bën dhëndër.

-Në të gjithë vitet e karrierës suaj, dominon sigurisht tradita dhe kultura çame. Si ka qenë vëmendje juaj sa i takon krijimtarisë muzikore, si keni punuar për të sjellë këtë vlerë të traditës dhe kulturës çame në publik, dhe si do të vijoni më tej?
Lidhja me Çamërinë është shumë e madhe, është lidhje gjaku, lidhje familjare, është gjithçka. Nuk është vetëm muzika e bukur apo prejardhja, që më motivon që unë ti përkushtohem muzikës së popullit tim. Është ajo që mua dhe gjithë gjeneratave tona, fëmijëve çamë, nipërve dhe mbesave iu kanë ushqyer gjyshërit dhe gjyshet, dhe ajo është rritur vazhdimisht me ne, dhe nuk i shkëputemi dot asnjëherë. Nga ana muzikore kam marrë çdo gjë që kam menduar që është tipike çame dhe është burimore. Muzika çame është e gjitha e bukur, dhe unë kam marrë anën më të pastër të saj, kam hulumtuar të gjithë këngët e vjetra. Ato që na kanë kënduar gjyshet tona, ose këngët që këndohen në dasma dhe i kanë përcjellë brez pas brezi. Të gjitha këto këngë unë i kam marrë, i kam dëgjuar, një pjesë të tyre unë i kam përpunuar bashkë me xhaxhain tim dhe i kemi interpretuar. Sigurisht që ne do të vazhdojmë të hulumtojmë dhe të përpunojmë akoma të tjera.

-Çamëria është pjesë e pandarë nga ju në krijimtarinë muzikore, por a keni qenë ndonjëherë në Çamëri?
Nuk kam qenë në Çamëri, por është në objektivat e mia të ardhshme.

-Aktiviteti juaj si këngëtare ka spikatur jo vetëm në këngën popullore, por dhe në krijimtarinë e muzikës së lehtë. Mes këtyre dy zhanreve ku jeni ndjerë më mirë?
Unë e kam filluar aktivitetin me këngët e muzikës së lehtë, më pas jam kthyer tek këngët popullore. Unë vijoj ti kultivoj të dyja, pa marrë parasysh zhanrin muzikor. Mua më pëlqen shumë muzika e bukur dhe nuk kam vetëm një zhanër të definuar. Ku ka muzikë të bukur, unë jam atje.

-Ju keni bashkëpunuar me kompozitorë të njohur, mes tyre ka qenë dhe bashkëpunimi juaj me kompozitorin Agim Krajka. Çfarë vlerësoni tek ky kompozitor?
Në krijimtarinë time, dhjetë këngë unë i kam bërë me kompozitorin Agim Krajka. Ai ka një krijimtari shumë të pasur dhe të vlerësuar, do të veçoja në krijimtarinë e tij këngën “Sonetë për vete”, dhe jam ndjerë shumë mirë që ai ma ka besuar dhe unë e kam kënduar.

-Sa herë që jeni në skenë publiku nuk i kursen duartrokitjet, por duket se janë pak të rralla daljet tuaja në skenën e Tiranës dhe vijoni me shumë aktivitete në shtete të tjera?
Në fakt nuk ka shumë kohë që ka kaluar 100-vjetori i Pavarësisë. Ka pasur shumë aktivitete në shumë qytete të Shqipërisë, nuk kam munguar dhe në aktivitetet që kanë qenë në qytete të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovë, kemi qenë në perëndim, në Danimarkë dhe në Kanada. Pra kanë zgjatur shumë aktivitetet e 100-vjetorit të Pavarësisë, nuk kemi munguar dhe në Itali, Gjermani, si dhe aktivitete të tjera që kanë qenë gjatë muajve. Tani jemi në prag të këtij sezoni dhe do të fillojnë të tjera aktivitete.

-Jeni një nga zërat profesionistë në krijimtarinë muzikore, gjithashtu dhe klipet muzikore që ju sillini dallojnë për realizmin e tyre. Megjithatë tregu muzikor duket se lë për të dëshiruar?
Unë respektoj dhe mbroj vlerat e asaj që unë kam timen, vlerat e traditës, vlerat e muzikës shqiptare, pa marrë parasysh kujt krahine i përket. Edhe mesazhi im është i tillë, nëse ne nuk kemi respekt për vlerat tona si popull shqiptar që jemi, atëherë si mund të respektojmë diçka që nuk është e jona!? Duhet ruajtur tradita, kultivuar dhe avancuar ajo që është e jona.

-Ju folët për të ruajtur traditën, por në skena ka disa këngëtarë që sjellin dhe muzikë të huazuar?
Çfarë kultivohet dhe çfarë pranohet janë dy gjëra të ndryshme. Nuk mund të them që pranohet, por mund të them që ofrohet, dhe kjo është shumë gabim. Ofrimi i këtyre vlerave muzikore tek artdashësit që nuk janë tonat, është e gabuar. Është një gabim shumë i madh që bëhet. Unë për vete nuk e praktikoj që të huazoj, nuk pranoj që të vjedh një këngë që nuk është as kompozimi im, as tekst i im, dhe t’ia servir publikut. Është njëlloj sikur ti servirësh sapunin për djathë publikut, dhe kjo është shumë e gabuar. Këngëtarët duhet të mbështeten në tabanin kombëtar, kjo është rruga që duhet të ndjekë secili prej nesh.

-Tashmë ju keni nisur punën për një klip të ri muzikor. Si do të vijë ai para publikut dhe bashkëpunimi për këtë klip?
Unë po punoj për klipin e këngës së re që këndova në koncertin “Kumbimi i zemrës çame”., “Dhëndër bëhesh sot”. Gjithashtu në vijim të projekteve të mia në muzikë, unë po punoj edhe për një këngë të re që do të vijë pak më verore. Kënga është bashkëpunim me kompozitorin Adi Hila dhe pas pak kohe do të bëj dhe videoklipin e kësaj kënge. Kjo këngë ka shumë ritëm, ka pak temë popullore, por është shumë trendy. Është muzikë verore, mjaft e këndshme dhe do të buçasë në të gjitha diskotekat. Pra janë dy produkte të reja muzikore, që janë shumë të bukura dhe do të vijnë për të gjithë artdashësit e mi.

-Në vijim të aktivitetit tuaj muzikor ju nuk keni munguar dhe në Festivalin e Këngës në RTSH. Do të vijoni në skenën e këtij festivali?
Projektet dhe planet nuk mbarojnë asnjëherë, por deri në momentin që vihen në jetë janë akoma projekte, kështu që nuk dua të flas para kohe.

-Po flasim për festivalet e këngës, mendoni se duhet të ketë më shumë festivale të këngës popullore në Shqipëri. Si duhet të jetë vëmendja e institucioneve ndaj tyre?
Folëm pak më lart që duhet punuar shumë në sferën e muzikës popullore, asaj të tabanit kombëtar. Thamë që duhet të kultivohet, ruajtur dhe të avancohet. E di shumë mirë që ka qenë festivali i këngës popullore vitin e kaluar, dhe do të mbahet një tjetër së shpejti edicioni i dytë, ku unë do të përfaqësoj trevën e Çamërisë me dy këngë, një të dëgjuar më herët dhe një të re që do ta këndoj në festival me kompozim të Adi Hilës. Por unë mendoj se duhet të ketë më shumë festivale popullore në vazhdimësi, sepse në të vërtetë ambicia për të bërë gjëra të reja, apo kontemporane po na bën që ne të harrojmë, ta lemë anash muzikën tonë. Mendoj se duhet të ketë sa më shumë aktivitete muzikore, sidomos festivale popullore të institucionalizuara nga shteti.

-Prej vitesh ju jetoni me familjen tuaj në Kosovë. Si është jeta juaj atje?
Unë jam një grua familjare, kam familjen time, kam fëmijët e mi. Unë punoj në një departament të kulturës në qytetin ku jetoj, Gjilan. Jam shefe për kulturën, ndërkohë që merrem dhe aktivitete të tjera muzikore. Kam një rreth shoqëror të madh që më mbështet shumë. Atje kam një ditë shumë të ngjeshur dhe shpesh nuk me del koha as për veten time ( qesh).

-Enkelejda si shefe në sektorin e kulturës?
Ka avantazhet e veta, por dhe defektet e veta, sepse më merr pjesën më të madhe të kohës, sa më duhet të sakrifikoj dhe fundjavat, të mos jem pranë familjes sime dhe të merrem me aktivitetin tjetër. Megjithatë falë mbështetjes dhe mirëkuptimit që kam me familjen ia kam arritur deri tani.

-Në karrierën tuaj muzikore, cila është kënga që keni më për zemër?
Gjatë viteve unë kam bërë pesë albume muzikore, ka dhe këngë të tjera që kanë dalë singëll, por kënga më e dashur për mua mbetet “Vaj dhe mall për Çamërinë”.
(Julia Vrapi)

Enkelejda Alushi Vjen Me Këngën “Dhëndër Bëhesh Sot”