>
BIOSHQIP

Era Rusi: Kenga Me Dha Fame Qe Ne Bankat E Shkolles

18-04-2012
Era Rusi, këngëtarja me zërin brilant, e njohur për interpretimet e saj 'live', ka vendosur të rrëfejë sot për suplementin e të mërkurës vitet e gjimnazit. Ndonëse në dhe të huaj dhe larg familjarëve të saj, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare ia ka dalë të spikasë në muzikë qëkur ishte adoleshente, duke u kthyer kështu në më të famshmen e shkollës. Po sa të vështirë e pati Era këtë eksperiencë në jetën e saj. Cilët ishin njerëzit që e mbështetën dhe çfarë i dha Greqia. Dashuria për muzikën që e 'detyroi' ta lërë në gjysmë shkollën për Informatikë. Kurset e kantos dhe marrëdhëniet me mësueset. Ngacmimet e djemve dhe jeta e natës në Greqi…

Do flasim pak për periudhën e gjimnazit, si ka qenë kjo kohë për ty?
Periudhën e gjimnazit unë e kam kaluar në Athinë, pasi kisha shkuar atje për studime. Mbaj mend që ka qënë një periudhë fillimisht shumë stresuese, pasi u nisa nga Shqipëria diku nga mesi i shtatorit dhe u futa menjëherë në shkollë në tetor pa ditur asnjë fjalë greqisht. Fillova kurset parapërgatitore të muzikës për Akademinë dhe në njëfarë mënyre po mësoja notin në det si i thonë një fjale. Zëri im ishte mënyra më e mirë për t'u integruar. Shumë shpejt unë përvetësova këngët greke, të cilat më bënë të njohur tek bashkëmoshatarët e mi në shkollë e në komunitet. Mbaj mend se paraqitja ime e parë ishte në festën kombëtare të Greqisë në fund të tetorit, ku unë, shqiptarja që kisha vetëm 1 muaj në shkollë këndova solo, çka më bëri menjëherë të njohur e të respektuar në shkollë. Më vonë fitova konkursin e Akademisë. Me pak fjalë vitet e gjimnazit kanë qënë shumë impenjative, por edhe shumë emocionuese.
Sa orë në ditë mësoje?
Në periudhën e gjimnazit studioja shumë pasi kisha edhe vështirësinë e gjuhës, sidomos vitin e parë. Nëse një studenti të thjeshtë i duheshin 2 orë në ditë, mua më duheshin 4. Nga ana tjetër kisha edhe studimet e shkollës së muzikës ku shkoja çdo pasdite.
Ke qenë nxënëse e dhjetës domethënë?
Kam qenë ndër nxënësit e dalluar në gjimnaz, por absolutisht më e mira isha në shkollën e muzikës (qesh).
Prindërit i ke pasur shumë strikt në këtë aspekt?
Prindërit i kam pasur në Shqipëri, unë jetoja me familjen e hallës. Ata më kanë ndihmuar shumë madje më shoqëronin fillimisht në shkollën e muzikës, pasi më ndihmonin në përkthim (qesh).
Kishit uniformë në shkollë, e respektoje?
Jo, nuk kishim uniformë. Nëse do të kishim, patjetër që do ta respektoja.
Të kanë tërhequr vëmendjen ndonjëherë mësuesit në shkollë?
Kam qenë gjithnjë një fëmijë i sjellshëm në shkollë (qesh) dhe i kam respektuar gjithnjë mësuesit. Kam pasur shoqëri të mrekullueshme dhe jam shumë e lumtur për këtë. Kam nostalgji për këtë periudhë të jetës.
Je zënë ndonjë herë me ndonjë mësuese?
Jo, asnjëherë. Kam pasur gjithnjë një raport të veçantë me mësuesit e mi, si ata të gjimnazit, ashtu edhe të shkollës paralele të muzikës. Madje, mësuesja e gjuhës dhe letërsisë ishte arbëreshe dhe shpesh më merrte në shtëpinë e saj për të bërë ëmbëlsira dhe komunikonim shqip. Po kështu mësuesja e pianos dhe më vonë ajo e kantos. Më trajtonin si vajzën e tyre apo si shoqe më vonë. Shpesh herë me taktin dhe dashurinë e tyre më mbushnin mungesën e nënës.
Ke kopjuar ndonjëherë?
Nuk kam kopjuar asnjëherë në gjimnaz, më vinte turp (qesh). Kur shikoja shokët dhe shoqet e klasës që kopjonin, thosha me vete "po unë pse s'kopjoj dot".
Katër ke marrë ndonjëherë?
Natyrisht që po (qesh).
Cigare ose alkool ke pirë në gjimnaz?
Jo, cigare asnjëherë. Nuk më ka tërhequr edhe kur shoqet e mia e pinin. Ndërsa alkoolin e kam filluar shumë vonë (qesh).
Cila ishte lënda që pëlqeje më shumë dhe cilën prej tyre s'e pëlqeje?
Matematikën, fizikën dhe kiminë i kam pasur tmerr, ndërsa lëndët shoqërore më pëlqenin. Në shkollën e muzikës lëndë të preferuar, natyrisht kam pasur kanton (qesh).
I ke lënë orët e mësimit?
Jo, në gjimnaz nuk i kam lënë asnjëherë orët, përveçse kur përgatisnim shfaqet e shkollës dhe i kishim të justifikuara nga mësuesja kujdestare.
Na trego pak për ngacmimet e djemve…
Si të gjitha gocat edhe unë që kam pasur ngacmime nga djemtë, ndoshta edhe më tepër pasi kam qënë gjithnjë në qendër të vëmendjes për shkak të këngës. Megjithatë, asnjëherë nuk i kam marrë seriozisht djemtë që vinin më flisnin pasi kisha të tjera prioritete atëherë. Po natyrisht kisha marrëdhënie shumë të mira shoqërore.
Po jetën e natës e ke frekuentuar?
Jeta e natës në Greqi është e njohur në gjithë botën. E kam shijuar shumë këtë pjesë pasi fillimisht më merrnin me vete djemtë e hallës, ndërsa më vonë kur u rrita dhe krijova shoqërinë time, dilja me to. Më ka marrë sinqerisht malli për këtë pjesë.
Si e kujton mbrëmjen e maturës?
Nuk kam bërë mbrëmje mature, pasi aty nuk e praktikojnë.
Era ti je diplomuar për…
Në gjimnaz për "Informatikë" ndërsa Akademinë për "Muzikë moderne".
E doje këtë shkollë?
Informatika është një degë shumë e bukur dhe fitimprurëse por, unë dashuroj muzikën dhe informatikën nuk e vazhdova më përtej gjimnazit. Tani që jam rikthyer në Shqipëri po vazhdoj një universitet tjetër për "Shkenca komunikimi" ku dhe e ndiej veten më mirë.
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Era Rusi: Kenga Me Dha Fame Qe Ne Bankat E Shkolles