TEKSTESHQIP

(1941-2003)

Biografia
Ferdinant Deda lindi në Peqin. Pasi mbaroi liceun artistik në Tiranë në vitin 1960 studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim. Pas një viti detyrohet të ndërpresë studimet dhe t'i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimeve u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali.
Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike "meditim 1-2-3", ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj.. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Vepra e tij është vlerësuar me çmime, Ferdinant Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i "diskut të artë" është nderuar me titullin "Artist i merituar" dhe "Mjeshtër i Madh".

Është ndarë nga jeta në moshën 62 vjeçare një nga mjeshtrat e mëdhenj të muzikës shqiptare, Artisti i Popullit, Ferdinand Deda. Ai vdiq nga një sëmundje gjaku në një nga spitalet e Ankarasë, ku ishte shtruar me urgjencë ditët e fundit. Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për muziken shqiptare, të cilës ai i kushtoi tërë jetën. "Kompozitor, dirigjent, orkestrues, instrumentist, Ferdinand Deda me veprat e tij të panumërta, do të jetë gjithnjë midis nesh", tha një nga miqtë e tij, Zhani Ciko. Ai tha se humbja e Ferdinand Dedës duhet të konsiderohet si humbje e një supertalenti, për faktin se ai ishte një figurë tepër komplekse si në aspektin e drejtimit ashtu dhe në atë të kompozimit. "Ke se çfarë kujton nga melodizmi i tij i sinqertë, por dhe nga natyra sociale e karakterit që ai kishte. Kjo e fundit ndikonte në zbulimin e skutave të shpirtit të tij, pa teklif përpara njerëzve, kjo e bënte atë tepër të veçantë. Ferdinand Deda do të mbetet përherë prezent me regjistrimet e pafundme që ka në RTSH. Imazhi dhe interpretimi i tij do të jenë gjithnjë prezent, pavarësisht zhdukjes fizike", tha Ciko. Aktorja Edi Luarasi ka thënë se ai dinte t’i shëronte shpirtrat njerëzorë me muzikë, dinte t’i lexonte dhimbjet prej së largu. Për Alfred Kacinarin ai është një ndër muzikantët që kanë ndihmuar thellësisht në të gjithë hapat që ka hedhur muzika shqiptare këto vite. "Është talenti më i madh në fushën e dirigjimit. Por mbi të gjitha, ai është një personazh shumë kompleks, ka qenë dirigjent, instrumentist, orkestrues kompozitor, etj", ka thënë Alfred Kacinari.
Komente 0