>
BIOSHQIP

Festina Mejzini, Duet Me Një Norvegjez

27-08-2012
Gjithnjë e veçantë dhe shumë origjinale. Konsiderohet e suksesshme, ngase arriti të hyjë në pesëshen e "X-Factor", edhe pse nuk e fitoi çmimin kryesor. Madje edhe kur u eliminua, u tregua shumë e qetë. Reagoi në atë mënyrë, sepse me siguri e kishte të qartë se ka fituar zemrat e publikut! Sa herë që këndonte, publikun "e ndizte". Tashmë ndodhet në Norvegji, ku nga atje do të kthehet së bashku me një këngë... Festina Mejzini, vajza nga Gjakova që arriti të futet në pesëshen e "X-Factor", tashmë ndodhet në Norvegji me ftesë të një këngëtari norvegjez për të punuar një këngë. Se cili është emri i këngëtarit, Festina ka preferuar që të jetë befasi për admiruesit që ajo ka fituar, derisa performonte në skenën e madhe të "X-Factor". "Me ftesë të një këngëtari nga Norvegjia, momentalisht gjendem në Norvegji në përgatitje të një materiali të ri muzikor", tha ajo për Express. Ndërkohë, Alban Skenderaj, pikërisht ai që eliminoi gjakovaren nga gara, i pati premtuar se do të këndonin një këngë së bashku, por si duket ende nuk ka asgjë të re në atë drejtim. "Sapo të ka të reja sa i përket këngës me Albanin, do t'ju informoj", ka shtuar Festina. Ajo që në fëmijëri ka kënduar nëpër programet shkollore, ka pasur gjithmonë dashuri për muzikën, ngase rrjedh nga një familje muzikantësh. Talentin për të kënduar si duket e ka trashëguar nga gjyshi i saj, i cili ka qenë këngëtar dhe kompozitor. "Me muzikë jam rritë pasi rrjedh nga një familje muzikantësh, gjyshi im ka qenë Mazllom Mejzini - këngëtar, instrumentist dhe kompozitor i më shumë se 80 këngëve popullore, kjo ishte edhe pikënisja kur dashuria për muzikën më është kultivuar që në fëmijëri. Në skenë për herë të parë kam dalë në programet e shkollës fillore", thotë gjakovarja. Arritja më e madhe e saj është pjesëmarrja në "X-Factor". Në mes të dëshirave të shumta të Festinës gjendet edhe bashkëpunimi i saj me vajzën e cila arriti në finale të "X-Factor-Italia", Dorina Leka. Kjo e fundit madje ishte e para që i ka premtuar Festinës një duet dhe nuk përjashtohet mundësi që së shpejti ato të këndojnë së bashku. "E kam thënë edhe në intervistat tjera; një ndër këngëtarët që më ka ofruar bashkëpunimin e parë ishte Dorina Leka, kështu që dëshira ime është që një ditë të realizoj një duet me të". Aktualisht, përveç muzikës, Festina po merret edhe me mësime! "Për momentin më duhet të përgatitem t'i rishtrohem provimit të maturës pasi që për çudi nuk gjeta përkrahje nga disa arsimtarë, edhe pse gjatë gjithë kohës kam pas sukses të shkëlqyeshëm në shkollë", thotë ajo. Si duket shkolla dhe muzika janë prioritetet e saj, sepse Festina ende nuk ka të dashur e as simpati. Dëshiron të studiojë për marketing dhe paralelisht me studimet të vazhdojë me muzikë, duke tentuar të sjellë shumë këngë për admiruesit e saj. Ndryshe, ajo është cilësuar si njëra prej këngëtareve më të veçanta të edicionit të parë të "X-Factor", falë origjinalitetit që ajo ka. Kujtojmë që largimi i saj ishte përcjellë me polemika të shumta! Secila përformancë e saj pati marrë shumë klikime nëpër rrjetet sociale. Pas një gare shumë të fortë, ajo u eliminua dy javë para përfundimit të spektaklit. Performancat e saj janë vlerësuar si të jashtëzakonshme... Festinën e bëjnë të veçuar sinqeriteti, thjeshtësia dhe vullneti për të punuar.
(Express )

Festina Mejzini, Duet Me Një Norvegjez