TEKSTESHQIP

Festina Mejzini: Ëndrra Që Po Jetoj

1-4-2012
Festina Mejzini: Ëndrra Që Po Jetoj
Festina Mejzini është një nga surprizat e edicionit të parë të "X Factor". Është vetëm 18 vjeç dhe vjen nga Gjakova, ndërsa trajnohet në këtë garë nga Juliana Pasha. "Interpretimin tim ia dedikoj gjyshit, i cili ka qenë muzikant", – thotë ajo. Për momentin jeton në Tiranë duke u marrë intensivisht me garën për t'u kualifikuar si një ndër zërat më të mirë të këtij talent-shou. Ajo nuk gjendet rastësisht në këtë program, zërin e ka të trashëguar nga familja, gjyshi i saj është një nga këngëtarët e mirënjohur në Kosovë.

Cili është procesi në të cilin po kalon, ndjen që je bërë e famshme për një kohë të shkurtër?

Po fama ndjehet që në momentin kur të vërshojnë kërkesat për të bërë një mik më shumë në faqen Facebook, kërkesat e mediave për një intervistë e deri tek reagimi ndryshe i njerëzve në qytet.

Cila është lidhja juaj me muzikën, kur ke filluar të këndosh?

Me muzikën kam lidhje që nga fëmijëria, pasi jam rritur në një familje ku është kultivuar muzika brez pas brezi. Kam filluar të këndoj para publikut në vitin 2007, ku kemi performuar në një program shkollor së bashku me vëllain tim Lekën këngën "Kur perëndon dielli", e cila u prit shumë bukur nga publiku në Gjakovë. Pastaj kam marrë pjesë disa herë në programe të ndryshme shkollore dhe së fundmi në festen e çlirimit të Gjakovës në Qershor të viti të 2011.

Mendon se profesioni juaj do të jetë muzika?

Po tani nuk kam rrugë tjetër, nga t'ia mbaj. Jam rritur me muzikë. Vlerësimet nga dëgjuesit dhe nga pedagogët e mi në X Factor më bëjnë që të mendoj më seriozisht për muzikën.

A ka konkurencë dhe xhelozi mes konkurenteve në "X Factor"?

Konkurenca ekziston, pasi pa konkurencë nuk kemi për çfarë të marrim pjesë në X Factor, por kuptohet konkurencë pa xhelozi.

Cila ishte jeta juaj para se të merrnit pjesë në këtë spektakël, si ishte një ditë e juaja?

Kam qenë nxënëse e shkollës së mesme. Si zakonisht obligimet ndaj shkollës, pastaj ndihmesa rreth punëve të shtëpisë, mamit tim dhe pjesëmarrja në aktivitete të lira. Kam ushtruar basketbollin për disa vite në një klub të Gjakovës, domethënë kam ndjekur trajnimet e përditshme, dhe si çdo e re me shoqëri kemi vizituar Pub-et dhe lokalet e ndryshme për ndonjë pije në kohën e lirë.

Mendoni se do të ndryshojë diçka tani, që jeni një nga konkurrentet e këtij talent shou?

Patjetër që do ndryshojë. Kuptohet që tani me asgjë nuk është njësoj si në kohën para se të filloja konkurimin në "X Factor".

Tashmë në garë keni mbetur vetëm dy nga Kosova, ti dhe Lirija. Çfarë marrëdhëniesh ka mes jush? Ka konkurrencë?

Marrëdhëniet janë të shkëlqyeshme edhe pse nuk jemi të së njëjtës moshë kam një respekt të veçantë për Lirien dhe e çmoj sakrificën e saj, që larg familjes dhe fëmijëve vazhdon të garojë me sukses. Konkurenca është normale në çdo garë, por gjithnjë e shëndosh.
(Shekulli)

Komente 0