TEKSTESHQIP

Filloreta Raçi: “Ju Rrëfej Eksperiencën Time Në Kënga Magjike...“

9-12-2015
Filloreta Raçi: “Ju Rrëfej Eksperiencën Time Në Kënga Magjike...“
Filloreta Raçi, njëra ndër emrat e rinj më të talentuar të skenës na vjen sot në një intervistë ekskluzive për www.teksteshqip.com. Filloreta na flet më shumë rreth paraqitjes së saj të parë në festivalin e sivjetshëm në Kënga Magjike, me këngën e saj "Qysh". Ajo këndoi në natën e dytë gjysmëfinale dhe interpretimi i saj live impresionoi të gjithë publikut. Ndjekim intervistën dhe le të shohim se ç'na ka thënë Filloreta...

TeksteShqip: Filloreta, jeni paraqitur së fundmi në netët finale të festivalit "Kënga Magjike". Na trego pak çfarë eskperience të bukur kalove?

Filloreta Raci: Përshëndetje së pari dhe faleminderit shumë për kohën që po ndani për mu. Po, isha në natën e dytë gjysëmfinale te Kënga Magjike 2015 dhe me të vërtetë ajo skenë aq e magjishme me bëri të ndjehem magjike. Ishte eksperiencë shumë e bukur, kisha mundësi të takohem e të njoftohem me kolegë të cilët më bën të ndjehem shumë rehat në mesin e tyre. Gjithçka ishte shumë e bukur.
TeksteShqip: Kënga juaj titullohet "Qysh". Përse ky titull, për çfarë flet kjo këngë?

Filloreta Raci: Qysh ? hahaha. Zakonisht kur ndahet një çift pa pas arsye shtrohet pyetja qysh? Kënga flet për një dashuri që akoma pa fillu ka mbaru, është tharë. Nuk ka asgjë të bazume në jetë private, është këngë që e kam shkruajtur në muajin nëntor të vitit 2014 dmth vitit që lam pas. Mbase s'kishte ngjitje te artistët e tjerë, s'e blenë dhe si përfundim e bëra për vete.

TeksteShqip: Interpretimi live i këngës suaj ishte i mrekullueshëm. A u zhgënjyet kur patë se kënga juaj nuk ishte pjesë e finales?

Filloreta Raci: Faleminderit shumë për komplimentin. Po, ishim live dhe drejtëpërdrejtë në trasmetim. Nuk u zhgënjeva, ngase e kisha pregatit vetën që s'do isha në finale, dhe nga që ishte një surprizë pjesemarrja në gjysëmfinale për mu ishte arritje e mjaftushme. Normalisht që të gjithë e duam finalen dhe të pagëzohemi me kupa, mirënjohje e trofe, po për mu s'kishte rëndësi ajo sa dëshira që të jem n'skenën Magjike të këtij Festivali. Ky ishte qëllimi im.
TeksteShqip: Mendon se ka qenë votimi serioz & i drejtë. Po fituesi? Mendon se fitoi kënga më e mirë?

Filloreta Raci: Votimi nuk ka qenë serioz, ka qenë jashtëzakonisht i padrejtë, n'këtë rast nuk jam tu fol me inat dhe furi, se duhej të ishte kënga ime më shumë e votuar ( nga që ajo është e pakontestueshme hahaha pak shaka ) po ishte e domosdoshme që një kolege të ishte në finalen e madhe dhe kjo ishte një zhgënjim i rradhës. Ndërsa sa i përket fitueses se çmimit të parë, të madhes Aurela Gaçe i kam dhënë 30 pikëshin dhe gjatë gjithë kohës isha tu kërku që ai vokal magjepsës dhe briliant të merrte çmimin e parë. E ka meritu me plot kuptim të fjalës.

TeksteShqip: Ju jeni edhe kompozitore & tekstshkruese, realizoni këngë të ndryshme për këngëtarë të ndryshëm. Sa ju lodh puna me kompozim?

Filloreta Raci: Yes...Këtë talent ma ka nxjerrë në pah studio On Records, më saktë çunat Zzap&Chriss. Ata ma bën të ditur që egziston brenda meje një makineri të cilën e quajmë kompozim, për ta specifiku dhe thënë ndryshe vijë melodike. Nuk është e lodhshme sepse e bëj me pasion dhe shumë dashuri dhe përkushtim.
TeksteShqip: Merreni me gjë tjetër përveq muzikës? Studioni? Punoni?

Filloreta Raci: Përveq punës në studio dhe muzikës normalisht që edhe studioj. Jam studente në Akademinë e Arteve të bukura në Prishtinë, dega e arteve dramatike - Regji Teatri. Kjo zë një vend shumë të rëndësishëm te unë dhe e kam pikë të dobët. Momentalisht punoj në njërin prej Clubeve më të mirë në Tiranë për muzikë live "Cavaliero" dhe më është bërë si shtëpi e dytë.

TeksteShqip: Sa angazhohesh me koncerte?

Filloreta Raci: Po. Kam një punë standarde siç e ceka më lartë, që 3 muaj gati çdo të premte e të shtunë në "Cavaliero Club" - Tiranë. Uroj të mbetem aty dhe më gjatë. Mbase do angazhoheem edhe vendeve tjera, por gjithçka mbetet të shihet.

TeksteShqip: Duam të dimë diçka më shumë nga jeta private e Filloretës??

Filloreta Raci: Jeta private është private siç e cekët edhe ju(qesh).
TeksteShqip: Cilat janë projektet e tua të ardhshme? Ke plane?

Filloreta Raci: Projekti më i fundit që pritet të vijë direkt pas këngës "Qysh" është bashkpunimi me Çiljeta Xhilaga dhe Lil Kolin, këngë e titulluar - "Big big booty". Shumë shpejt do të vijë në treg, për të tjerat do të kisha zgjedh të jem më diskrete.

TeksteShqip: Filloreta, faleminderit që ishe me ne në këtë intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka. Ndonjë përshëndetje për fansat?

Filloreta Raci: Faleminderit juve dhe kisha dashtë me shtu mirëpo jo "fansave" po dashamirësve, ndjekësve të mi dhe të muzikës tem. "Kurrë mos u dorëzoni e të hiqni dorë prej ëndërrave dhe atyre që doni, sa më shumë që ju rritet dëshira dhe dashuria për të arritur diçka i gjithë universi ju bashkohet dhe ju del në ndihmë, thjeshtë kini Durim"! Shumë shumë respekte, e juaja FilloretaR!
Filloreta Raçi
Qysh
[Teksti dhe Klipi]
(B.A/Teksteshqip.Com)

Komente 0