TEKSTESHQIP

(1950-2017)

Biografia
Françesk Radi kreu Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme. Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët "Adresa" dhe "Biçikleta", dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga "Adresa" dhe "Biçikleta" kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët "Rroku i burgut", "Humba pranverën", "Telefonatë zemrash", "Zemër e lodhur", "Ky fat na ra", "Kemi dasëm ‘o" etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut. Kantautori Françesk Radi arriti suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku. I njohur me krijimtarinë e tij muzikore që në vitet ’70, ai vazhdoi të prezantonte këngë të cilat vinin të realizuara me mjeshtëri dhe muzikë të bukur.
Françesk Radi ndërroi jetë më moshën 67-vjeçare. Ai ishte shtrua në spitalin "Nënë Tereza" në gjendje të rëndë pas një hemoragjie cerebrale.