(1935-2018)
Biografia
Mes këngëtarëve lirikë shqiptarë shquhet krejt i përveçëm emri i Gaqo Çakos. Ai i përket një bote më vete. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Paraqitja e tij apo portreti i tij tërheqës dhe ekspresiv gjatë këndimit të bën ta pëlqesh, ta shijosh, pse jo, ta adhurosh. Në rolet operistike ai shfaqet sa i pasionuar e i turbulluar, aq i dashuruar dhe ngadhënjyes. Përmes këngëve të kompozitorëve shqiptarë ai përçon ngrohtësi e dashuri dhe njeriu i këtij vendi rrëmbehet nga mesazhi i tij muzikor për të komunikuar me të vetë e me të gjitha shtresat e shoqërisë. Është pa dyshim fuqia emocionale e këtij zëri burimi nga do të krijohen imazhe gjithë fantazi dhe është ai timbër "kadife" e tërë dritë që mbetën pothuajse të pandryshuar që nga fëmijëria e hershme e tij deri në moshën e pjekurisë së vonë.
Italianët njohin disa breza tenorësh të famshëm të tyre, që nga Enrico Caruso, Benjamino Gigli, Mario Lanza, Mario del Monaco e mjaft të tjerë, deri te më i përveçmi nga më të fundit, Luciano Pavarotti, ndërsa Shqipëria do të njohë si krejt të veçantë e unik, Gaqo Çakon. Nga masa e gjerë e shqiptarëve ai adhurohet për "Dafinën" apo "Rrjedh në këngë e ligjërime" dhe më pak e njohin atë për interpretimin e "Vesti la giubba" nga "Pagliacci" apo "Mamma, quel vino é generoso" nga "Cavalleria rusticana". Edhe pse vlerën më të madhe Gaqoja e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios. E tillë ishte koha. Megjithatë, të bërit i njohur përmes medieve pamore është një fenomen sa shqiptar aq edhe i përbotshëm.
Avantazhi i muzikës është se ajo flet me mjetet e saj dhe jo me gjuhën e folur, prandaj dhe tingujt e Gaqos janë mjeti më i mirë për të depërtuar te njerëzit dhe misioni i tij është më i drejtpërdrejti për të përçuar artin e tij.
Gaqoja përfaqëson ndoshta zërin më përfaqësues korçar, tipar ky që u bë i dallueshëm pikërisht nga repertori që këndohej në Korçë, ai i serenatave, i këngëve të lëvruara popullore qytetare apo i copëzave të huaja që adoptoheshin në Korçë dhe merrnin ngjyrën e këngëve karakteristike të qytetit. "Ne këndojmë ndryshe nga ç’këndohet në vende të tjera të Shqipërisë – i thoshte e ëma. – Ne e mbështesim zërin në bark, jo në gjoks". Falë forcës së intuitës, Gaqoja kërkoi të ndjekë mësues të kantos të cilët do t’i inkurajonin natyrshmërinë e këndimit, apo që do t’i ruanin vetitë e lindura të emetimit të zërit dhe do t’i konsolidonin timbrikën e tij natyrale. Gjatë jetës së tij të gjatë artistike, ndoshta më e gjata e këngëtarëve lirikë shqiptarë, Gaqoja u vlerësua jo vetëm për zërin e pastër prej tenori, por edhe për intonacionin rrezatues, për ngjyrimin e veçantë, ashtu dhe për diksionin e kthjellët me ato bashkëtingëlloret e formuara me kujdes gjithnjë në ruajtje e kontroll të vazhdueshëm të sensit të sigurt ritmik.
Në konceptin e tij të kënduarit lirik ai evitoi sa qe e mundur portamento-n sentimentale, sipër apo poshtë; ai e përdori këtë mjet shprehës veçanërisht në kalimet nga regjistri i mesëm tek ai i butë i kokës, duke e goditur secilën notë në krye për t’i dhënë asaj vlerë e kuptim. Linja cantabile e Gaqos përmban, në rastet më të mira, nuanca dinamike të kontrolluara ndërsa timbri i tij shquhet për nga pasuria e ngjyrimit dhe shprehjes, nga ngrohtësia dhe shkëlqimi.
Mund të thuhet me plot gojën se Gaqoja u bë emisar i një kulture muzikore vokale të gjerë ku do të përfshiheshin përveç këndimit operistik edhe ai i këngëve tradicionale popullore shqiptare të përshtatura për zërin e tij lirik apo dhe i këngëve të lehta të festivaleve të Radios. Ishte i vetmi këngëtar lirik i Operës së Tiranës të merrte pjesë dhe të këndonte në Festivalet e Radios të cilët përfshinin këngëtarë me zërin e tyre natyral (me gjoks) apo dhe këngëtarë me zë të impostuar ose gjysmë të impostuar, por jo këngëtarë lirikë të mirëfilltë operistikë.
Çdonjërit prej këngëtarëve lirikë të Operës, por edhe të tjerëve muzikantë duke më përfshirë dhe mua vetë, ky pranim i Gaqos për t’iu përqasur gjinisë së këngës së "lehtë" që në fillim të karrierës së tij, u duk si një "devijim" nga linja e pastër të këndimit lirik operistik. Mirëpo jeta tregoi se ky qëndrim i Gaqos mbarte një vizion të ndryshëm nga ai konvencional, vizion shumë më të gjerë e gjithëpërfshirës, dhe provoi të ishte shumë i suksesshëm.
Puna e Gaqos me të rinjtë, qofshin këta studentë të kantos apo këngëtarë lirikë që sapo kishin filluar karrierën artistike, ishte një aspekt që ai e vlerësonte shumë. Edhe në moshën e pjekurisë artistike por edhe atëherë kur zyrtarisht i kishte mbyllur marrëdhëniet me Teatrin e Operës, ai do t’i përgjigjej thirrjes së të rinjve, siç ishte rasti i Koncertit të Tre Tenorëve. Ai u bashkua me ta, këndoi me ta dhe këta kolegë, shumë më të rinj se ai, e vlerësuan dhe respektuan për këndimin e tij ende shumë shprehës e të freskët.
Gaqo Çako lindi në Korçë më 1935 dhe në moshën trembëdhjetë vjeçare së bashku me të ëmën u shpërngul për në Kuçovë, ku pas mbarimit të shkollës shtatëvjeçare nisi të punojë si tornitor. Ishte pikërisht Shtëpia e Kulturës e kësaj qyteze ku Gaqoja zhvilloi prirjen e të kënduarit falë zërit të tij që shquhej për ëmbëlsinë dhe bukurinë e tingullit. Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare ai nisi të studiojë për kanto në Liceun Artistik të Tiranës nën udhëzimet e Mihal Cikos dhe pak më vonë e më gjatë të Jorgjie Trujës. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin "Çajkovski" të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.
Ndër operat e huaja ku Gaqoja këndoi kryesisht rolet e para përfshihen "Traviata", "Rigoletto", "Aleko", "La Bohème", "Peshkatarët e perlave", "Cavalleria Rusticana", "Pagliacci", "Madama Butterfly", "Berberi i Seviljes" a ndonjë tjetër, ndërsa ndër operat shqiptare "Mrika" e Prenk Jakovës, "Lulja e kujtimit" e Kristo Konos, "Pranvera" e Tish Daisë, "Heroina" e Vangjo Novës, "Skëndërbeu" i Prenk Jakovës e "Skënderbeu" i Abdulla Grimcit, "Komisari" i Nikolla Zoraqit, "Zgjimi" i Tonin Harapit, "Toka e jonë" e Pjetër Gacit, "Goca e Kaçanikut" e Rauf Dhomit e disa të tjera.
Të qenit pedagog i kantos për vite me radhë në shkollën e lartë të arteve në Tiranë bënë që në një moment të caktuar të karrierës së tij artistike, përveç mësimdhënies Gaqoja të vihej edhe në rolin e regjisorit operistik. Rivënieve në skenë të repertorit operistik apo dhe përgatitjen e ndonjë premiere, Gaqoja ia nënshtronte gjykimit dhe eksperiencës së tij si këngëtar i roleve të ndryshme, pra duke e vëzhguar regjinë nga këndi i këngëtarit të skenës e duke ruajtur konvencionet operistike tradicionale, domethënë atë çka ishte e konsoliduar në skenat botërore lidhur me veprimin skenik.
Gjatë jetës së artistike të Gaqos, turnetë brenda dhe jashtë vendit përbënin një mënyrë të mirë për ta çuar artin e tij në rrethe e qytete të tjera jashtë Tiranës, por dhe në shtete të tjera, sigurisht në ato ku administrata shtetërore e konsideronte që linja ideologjike e Shqipërisë të ruhej, madje të përçohej sa më mirë. Kontaktet me njerëzit e qyteteve dhe fshatrave anekënd Shqipërisë e bënte Gaqon të shihte një realitet ndryshe nga ai i Tiranës, ku pozicioni i tij apo i kolegëve të tij ndjehej të ishte si më i "privilegjuar". Megjithatë, ky pozicion nuk e bënte atë të joshej nga "konfortabiliteti" i jetës së tij, përkundrazi, e bënte t’i shërbente me devotshmëri profesionit për të justifikuar më së miri qenien si solist i Teatrit të Operës dhe Baletit. Sa të padëshiruara ishin turnetë brenda vendit në fillim të karrierës së Gaqos, aq më kuptimplote nisën ato të bëhen me kalimin e kohës për të mbërritur deri në atë pikë sa ai të kuptonte me ndërgjegje se misioni i tij ishte që t’i jepte sado pak kënaqësi e gëzim atij njeriu të thjeshtë që vinte të dëgjonte dhe jo rrallë të admironte këndimin e tij. Gaqoja bëri turne edhe në disa vende të huaja si në Bashkimin Sovjetik, Itali, ShBA, Kubë, Austri, Greqi, Rumani, Turqi, Gjermani e Jugosllavi.
Duhet të ketë qenë viti 1971 ose fillimi i ’72-shit kur në një koncert të rëndësishëm në sallën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, midis artistëve të tjerë u ftua të këndonte dhe Gaqoja. I kishin dhënë porosi që mund të këndonte edhe ndonjë pjesë të huaj dhe ai zgjodhi "Cielo e mar" (Qiell dhe det) nga opera "Gioconda" e Ponchielli-t. Ishte nga ato romanca që ai e kishte kënduar në kaq e aq koncerte në Teatrin e vjetër të Operës. Mua më impresiononte sa herë që e dëgjoja me këtë arie. I rrinte mirë në zë dhe bënte efekt të madh në publik, veçanërisht fundi i saj me akutën aq të ndritshme dhe sugjestive. Pas asaj ngrirjeje të repertorit të huaj prej rreth gjashtë vjetësh, tingëllimi i "qiellit dhe detit" bëri efekt të madh tek njerëzit në sallë por edhe tek ata më kryesorët e pushtetit dhe do të ishte ky moment që forca e një krijimi të bukur italian e aq më tepër e një këndimi të bukur si ai i Gaqos, të "pranohej" si një fakt i pamohueshëm, dhe u desh pikërisht ky moment të nisi e të lejohej pak nga pak përfshirja e ndonjë vepre të repertorit klasik të huaj. Janë ngjarje këto që ndodhin ashtu rastësisht, si pa u ndjerë, por që bëjnë kthesa të forta historike, së paku në fushën e kulturës dhe artit. Pra Gaqoja po imponohej me zërin e tij, me personalitetin e tij, që ngjarjet të lëviznin në drejtim të çngurtësimit, sado të lehtë, që të mund të luheshin përsëri opera të huaja aq të dëshiruara për klimën e përgjithshme shoqërore, pasi ato jo vetëm që kultivonin shijet e njerëzve, jo vetëm bënin që këngëtarët të këndonin më mirë dhe instrumentistët të luanin më bukur, jo vetëm që do të zgjerohej vizioni mbi stilet dhe epokat muzikore, por do të ngrinte moralin e do të emanciponte kulturën shqiptare në përgjithësi. Jo shumë kohë pas ndodhisë me "Cielo e mar" (qiell dhe det), dy simbole këto të lirisë të aspiruar aq shumë prej shqiptarëve, njëri drejt fluturimit prej këndej e tjetri për të marrë detin, do të ishte Simfonia e Nëntë e Beethoven-it ajo që do të zhbllokonte disi ngërçin dhe pak më vonë rivënia e "La Traviata-s", këtë radhë me një frymë të re regjisoriale ashtu dhe një dekor sugjestiv për kohën. Mirëpo, siç tregoi koha, doza e lirisë ishte ende larg perspektivës së hapjes së Shqipërisë ndaj Perëndimit, aq shumë të dëshiruar prej të gjithëve e jo më pak prej muzikantëve. Repertori i huaj operistik edhe për nja dhjetë vjet të tjera do të qëndronte larg sezoneve operistike të Teatrit. Këngëtarët por edhe publiku do ta ndjenin thellë këtë mungesë.
Ishte pikërisht viti 1988, një vit pasi kishte vënë në skenë si regjisor "La Bohème", ai do t’i kthehej përsëri këndimit të një roli operistik, ndoshta një nga më të dashurit e tij, Turiddu-t. Ndjente që mund të përçonte një timbër zëri disi më të thellë, më afër tenorit spinto, dhe në këtë stad të karrierës operistike kjo i jepte kënaqësi të madhe. Çdo këngëtar e ndjen, pak a shumë, se kur gjendet në formën e tij më të plotë teknike e vokale të karrierës artistike dhe Gaqoja e dallonte që ky moment ishte ndoshta kulmi i tij. Në vitin 1991 ai vendosi të tërhiqet nga angazhimet e rregullta ndaj skenës së Teatrit edhe pse vazhdoi të këndojë nëpër raste nga më të ndryshmet.
Fakti që Gaqoja tërhoqi kaq shumë edhe mediet masive e bëri atë të rritet ndjeshëm për nga popullariteti, ndoshta më tepër se nga kushdo tjetër i fushës së tij. Kjo për arsyen se, veç të tjerash, ai kishte dhe atë karizëm aq të dallueshëm që bënte të komunikonte ngrohtësisht me ndjekësit e këtyre medieve duke i dhënë "tifozëve" të tij kënaqësinë që ata ishin të dëshiruar. Artisti sigurisht që gëzon popullaritet më të madh kur ai është në aktivitetin e tij të plotë dhe ky popullaritet fillon e zbehet kur ai është më pak në skenë dhe në ekran. Do të duhej që ashtu si në rastin e artistëve të mëdhenj të përbotshëm personaliteti i Gaqos, si një fenomen i admiruar kombëtar, të gjente në këtë stad të jetës atë vend që i takon dhe për sa i takon. Në Shqipërinë tonë vlerësimet ende bëhen, siç i thonë në muzikë, "me vesh", e jo "me nota". Thënë ndryshe, kultura jonë ende mbisunduese orale, në vlerësimet e artistëve jo në pak raste udhëhiqet nga pasione personale që shpesh degjenerojnë në deformime e deri mohime faktesh bindëse, në vend që ta gjejë vërtetësinë e vlerave në fakte të orientuara e të mbështetura në dokumente të shkruara (programe shfaqjesh, recitalesh e koncertesh) dhe aq më tepër në referenca regjistrimesh muzikore të gjalla dhe arkivore (CD).
Po të ndiqej kriteri i ‘verba volant, scripta manent’, pra bazuar në atë që artisti e ka lënë me artin e tij jetëgjatë dhe jo me hamendje bëmash të stisura që përcillen me gojë, ndoshta do të kishte vend për Gaqon për një titull të veçantë nderi nga Universiteti i Arteve, ndoshta do mund të renditej edhe ai midis artistëve të shquar të 100 vjetorit të Pavarësisë, ndoshta do të ishte dhe ai "Nder i Kombit", ndoshta do të ishte bërë ndonjë film-dokumentar për të, ndoshta… ndoshta … A ka se si përligjet kjo mungesë vëmendjeje? Ashtu si ligjet e natyrës që mbeten të pandryshueshme, ashtu dhe vox populi nuk mund të ndryshohet në vlerësimin ndaj Gaqos. Artistët harrohen e vdesin por arti i tyre është ai që jeton gjatë. ‘Ars longa, vita brevis’ (arti është i gjatë, jeta është e shkurtër) thotë aforizma e lashtë greko-latine.
Midis viteve 1979 dhe 1981 Gaqoja bëri një radhë regjistrimesh të arieve operistike dhe këngëve të kompozitorëve shqiptarë e të huaj me orkestrën e RTSh. Ishte kjo periudha kur Shqipëria ishte në ndikimin politik madje dhe artistik të Kinës dhe operat e huaja ishin të ndaluara për disa kohë. Requiem-et, meshat ose edhe të tjera vepra liturgjike nuk lejoheshin të ekzekutoheshin. Megjithatë, siç pothuajse vazhdimisht ndodh në shoqëritë e mbyllura, të gjitha këto masa shtrënguese bënin efekt të kundërt. Në këtë klimë kufizuese të muzikës klasike, Gaqoja e orientoi vetveten për nga regjistrimet në studio. Ajo që nuk bëhej e mundur për të që të këndonte në skenë, u bë e mundur të këndonte në studion e regjistrimit. E përsëri do të gjendej ndonjë pengesë tjetër; këto regjistrime përkonin periudhën kur përkthimet në shqip e të gjithë operave të huaja bëheshin të detyruara, kështu që nuk ishte e qartë nëse do të lejohej ose jo regjistrimi i arieve klasike në versionet e tyre origjinale, në italisht, frëngjisht dhe rusisht. Risku u mor dha ai regjistroi tetëmbëdhjetë arie, secilën prej tyre si në versionin origjinal ashtu dhe përkthimin shqip, pra tridhjetegjashtë versione në tërësi. Nuk ishte ndërmarrje e lehtë pasi atij do i duhej t’i kujtonte dhe t’i rindërtonte muzikalisht tekstet origjinale të cilat i kishte mësuar vite më parë në Moskë apo në Romë.
Në rolin e dirigjentit gjatë këtyre regjistrimeve, përveç se pasionit tim të madh për literaturën vokale operistike, predispozita ime krejt e veçantë kishte të bënte me zërin e Gaqos, pra që ky zë të mbetej i fiksuar në shiritat magnetikë në interpretimin e pjesëve klasike. Kjo eksperiencë e re dhe ky bashkëpunim me të bëri që të familjarizohem jo vetëm me repertorin e tij, por të njihja më nga afër trajtimin muzikor, tempot, frymëmarrjet që ai bënte dhe akutat që mbante. Regjistrimet u bënë duke pranuar edhe kushte jo gjithnjë të favorshme për faktin se ato bëheshin me shpejtësi nga që repertori qe i huaj dhe orkestrës nuk mund t’i kërkohej të merrej gjatë me të. Kjo gjë bënte që procesi i regjistrimit të mos kishte atë frymëmarrje të duhur që të mund të realizoheshin parametrat më bazike të tij. Pranë pultit të regjistrimit, përtej xhamave të dyfishta të studios, qëndronte një njeri i vetëm dhe ai ishte tekniku i zërit, Bedriu, Ganiu apo më vonë Dhimitri. Në atë kohë nuk kishte njeri që ta ndiqte regjistrimin me partiturë përpara. Pas çdo here që regjistronim të parin variant (dubël), largoheshim me të shpejtë nga studioja e orkestrës për te dhoma e aparaturave që të dëgjonim tingëllimin. Korrigjonim mikrofonat, kontrollonim balancën midis orkestrës dhe zërit të tenorit dhe futeshim përsëri në studio për të bërë edhe një tjetër variant të aries me synimin që fuzioni të ishte më i mirë këtë herë. Ç’të kërkoje më parë, intonacionin sa më të mirë të instrumenteve të frymës, balancën midis sektorëve, agogjikën e pjesëve vokale, fleksibilitetin e interpretimit të Gaqos, neutralizimin e ndonjë batute humoristike që vinte nga radhët e orkestrës, zëvendësimin në çast të ndonjë (vetëm një?) instrumenti që mungonte, deri te rregullimi i temperaturës së ngrohjes (dhe ftohjes) në studio, ndriçimin e pamjaftueshëm, e të tjera të papritura të cilat përbënin rutinën e ditës. E me gjithë këtë, këto regjistrime u realizuan ashtu si mundëm, por që tani janë kthyer në arkiva historike, madje unikale, pasi në Radio pushoi së funksionuari procesi i regjistrimeve me këngëtarët lirikë. Tani sigurisht që bëhen regjistrime nga më cilësoret nëpër studiot e vendeve të huaja dhe nga këngëtarë të shquar shqiptarë. Por unë do t’i referohem kohës kur u bënë regjistrimet tona dhe në këtë drejtim ato kanë atë vlerë që kanë.
Ajo që më habiste më shumë gjatë regjistrimeve ishte se ai mundej t’i interpretonte të dyja versionet me emfazat e tyre përkatëse, pavarësisht nga fakti se vetëm të përkthyerat ishin ato që ai aq shpesh i këndonte në skenën operistike. Tjetër gjë që më bënte përsëri përshtypje ishte se si me aq aftësi ai e përshtaste frazimin sipas logjikës së fjalëve për të dyja gjuhët.
Gaqoja e përforcoi reputacionin e tij në publik edhe si këngëtar i muzikës së lehtë. Na erdhi keq që për shkak të caqeve të kësaj CD-je nuk u mundësua përfshirja e disa prej këtyre këngëve. Gjithsesi, në këto dy CD ka mjaft për të dëgjuar e shijuar zërin e mrekullueshëm të Gaqo Çakos. E ku më mirë se në to do të mund të përjetësohet arti i tij i pavdekshëm?!