Biografia
"Si të gjithë në Shqipërinë e asaj kohe mundoheshin dhe të sajoheshin bukur. Pra përdornin ndonjë fustan të vjetër duke i marrë copën dhe duke sajuar një fustan të bukur me një model të ri. Pra me një nënë rrobaqepëse gjërat për të ishin më të lehta", shprehet ajo.
Gruaja më e bukur e kryeqytetit kishte një sqimë perëndimore në veshje. "Shikonim ndonjë film, ndonjë të huaj dhe mundoheshin të kopjonim modelin e artisteve", thotë ajo.
Ndër preferencat e veshjeve të sja ishin ngjyrat e bardha, blu, rozë e hapur dhe jeshile ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe ato të fortat nuk ishin pjesë e garderobës së saj.
Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen. Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.
Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Aq sa biletat do të shiteshin për të parë sesi kjo vajzë e bukur dhe me sqimë por dhe me një talent të veçantë do të interpretonte në skenë.
Me Gaqon fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur shkuan në Rusi kur ishin të dy për studime. Ditët e pushimit dilnin të dy bashkë në qytet, diskutonin, flisnin dhe thurnin plane për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, por me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Dhe një ditë prej ditësh Gaqo i shprehu dashurinë.
Dhe kështu sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme.
Por ishte e çuditshme sepse siç ishte zakon në Shqipërinë e asaj kohe ajo kishte një cen në biografi. Në atë kohë ishte problem i madh por ajo u tregua e sinqertë me shokun e saj. "Dashura është më e fortë se biografia", u shpreh Gaqoja, dhe u mbyll ai muhabet.
Me Gaqon ishin një çift i përsosur. Janë respektuar në maksimum dhe gjithë jetën kanë mbrojtur dhe dinjitetin e një prej çifteve më të lakmuar të Tiranës. Sigurisht që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Sepse ishte artiste, ishte një grua e bukur dhe ngacmimet e jashtme kanë qenë gjithnjë të mëdha. Por është munduar që gjithë jetën të ruajë dinjitetin e saj.
Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë.
E ndërsa kalojmë përsëri tek e kaluara ajo buzëqesh. Komplimenteve se ka qenë gruaja më e bukur e Tiranës i përgjigjet me një buzëqeshje të dlirë. Ishte artistja që vidhte zemra njerëzish me gjithë aureolën e saj dhe mund të quhet artistja dhe modelja e famshme e viteve 60-të në Tiranë.