TEKSTESHQIP

Garazhat E Bardha Të Fokusuar Në Prurjet E Reja Për Këtë Sezon

4-5-2014
Garazhat E Bardha Të Fokusuar Në Prurjet E Reja Për Këtë Sezon
Rok grupi i njohur ‘Garazhat e bardha’ në një bisedë për gazetën Tribuna kanë treguar se kënga e tyre ‘Gjuj’, pjesëmarrëse në ‘Top Fest’ i është fshirë nga kanali muzikor ‘Youtube’. Fakt ky që sipas Bashkim Myftarit, anëtar i grupit, i ka habitur shumë. Ndër të tjera ata kanë shpalosur edhe shumëçka rreth planave të tyre muzikore dhe atyre filmike.

Performacna e grupi ‘Garazhat e bardha’ me këngën konkurruese ‘Gjuj’ në festivalin ‘Top Fest’ të vitit të kaluar u fshi nga kanali muzikor ‘Youtube’. Këtë e ka bërë të ditur për Tribuna anëtari i grupit Bashkim Myftari, ndërsa ka theksuar se nuk është në dijeni pse është hequr kjo këngë.

"Nuk e di saktë kur është fshi kënga, para disa ditëve e kërkova videon sepse mu desh diçka edhe e pash që ishte fshi nga faqja e Top Festit. Nuk e di as arsyen pse është fshi, nuk kam marr asnjë konfirmim prej grupit që i ka lasnuar këngët e ’Top Festit’ dhe kjo është një gjë e cila ju takon atyre për të na njoftuar", ka thënë rok artisti në fillim të bisedës, ndërsa ka zbuluar se kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm me ata.

"Edhe disa prej kolegëve të mi ju ka ndodhur e njëjta gjë. Nuk jemi ne të vetmit. Por, nuk dua të tregoj se kush janë, pasi që, gjithsecili duhet të flasë për veten e tyre. Ka shumë që kanë ankesa ndaj ‘Top Festit’. Por, nuk më takon mua t’i zbuloj se kush janë", ka thënë Myftari, i cili ka shtuar tutje se ky fakt nuk i ka mërzitur aspak, pasi që ata janë të fokusuar në prurjet e reja për këtë sezon. "Jo nuk na kanë prish punë asgjë, ne kemi vazhduar të sjellim projekte të reja muzikore. Këto dy ditë e fundit kemi publikuar dy videoklipe eksperimentale ‘ Kur ka ra kushtrimi në Kosovë’ dhe ‘ Dirigjon".

‘Vera është për Dafina Zeqirin’

Grupi si duket nuk ka ndërmend të ndalet. Bashkimi bën me dije që pas këtyre projekteve që sapo i sollën në treg, ata i janë përveshur punës që të vijnë edhe me një film të metrazhit të shkurt e po ashtu edhe projekte të reja muzikore. "Jemi duke përgatit shumë risi. Tani jemi të përqendruar te një film i metrazhit të shkurt, titullin e të cilit nuk dua ta bëj publik. Ndërsa filmi i cili ka dalë në treg kohë më parë është ‘Fyerja’, i cili ka marrë përkrahje edhe nga Brazili e shumë vende të ndryshme.

Gjithashtu jemi të fokusuar edhe në këngë tjera të reja që do të vijnë me videoklipe. Do të ketë risi nga ne deri sa të vdesim", ka thënë Bashkimi i cili për fund ka treguar se me filmin ‘Fyerja’ e ka ndërmend të konkurrojë edhe në festivale të ndryshe, nëse hasin në mbështetje të institucioneve kompetente. "Me filmin ‘Fyerja’ mendoj të konkurroj në festivale të ndryshme që organizohen për filma. Por këtë do të mund ta realizoj vetëm nëse has në mirëkuptimin e organeve kompetente nga të cilët kam nevojë për mbështetje financiare. Pasi ne nuk jemi mirë financiarisht dhe nuk do të mund t’i mbulonin udhëtimet".

Ndërkaq sa i përket angazhimeve nëpër mbrëmje muzikore gjatë sezonit të verës, Bashkimi ka thënë që vera është për kolegët si Dafina Zeqiri. "Verën e kam për deti më shumë. Sezonin veror me mbrëmje të ndryshme e shijojnë kolegët tjerë si Dafina Zeqiri e të tjerë. Për ata është vera. Ndërsa për ne si rok artistë më shumë është vjeshta, dimri, pranvera".
Garazhat E Bardha
Gjuj
[Teksti dhe Klipi]
(Majlinda Llapashtica)

Komente 0