Në moshën 41-vjeçare, për në botën e amshuar sot udhëtoi babai, bashkëshorti, miku, artisti dhe njeriu i mirë, Arlind Gjikolli – Gjikla. Gjikla, siç e quanin të gjithë të afërmit dhe miqtë, ishte themeluesi dhe shtylla krijuese e grupit WNC nga Peja, që zhanrin e muzikës rep në Kosovë e çoi në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim. "Çka kom pasë", "Qikat e mira", "Për ty" … janë disa nga këngët e këtij grupi, që edhe sot dëgjohen dhe frymëzojnë gjeneratat e reja. Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin anomalitë e shoqërisë së Kosovës. Mjafton të përmendet këtu kënga "Juda", që godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës. Apo, opinionin kritik, ku ndër të tjera thotë: "Pikërisht pse ti populli jem i dashtun nuk angazhohesh për shumë, as nuk merr shumë … mbetesh me pak e kënaqesh me pak". I tillë ka qenë Gjikla, opozitë e përhershme e së keqes dhe injorancës dhe një humanist që donte të mirën e përgjithshme të shoqërisë. Ata që patën fatin ta njohin, do ta kujtojnë përherë si person të buzëqeshur, të afërt, të dijshëm dhe mbi të gjitha si njeri të sakrificave, tek i cili secili mund të llogariste për këshilla dhe për ndihmë. Po për këtë, largimi nga kjo botë i njeriut të vlerave, është humbje e madhe jo vetëm për familjarët dhe për miqtë.
Në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (Drejtor Menaxhues) i Telegrafit. Si person që jetonte me kohën dhe që donte përparimin, ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e këtij portali. Gjikla ka qenë një nga shtyllat e risive teknologjike që Telegrafi çdo vjet ka sjell për lexuesit shqiptarë. Kolegët e tij do ta përjetojnë rëndë mungesën e tij, sepse ishte i afërt me të gjithë, nxiste debate dhe krijonte atmosferë pozitive pune. Ishte i barabartë mes të barabartëve; njeri i sinqertë që donte të vërtetën, ndaj kjo reflektohej edhe në punën e gjithë stafit."Mijëra erërat që fryjnë, unë jam ai / Jam diamanti që shkëlqen në dëborë / Jam drita e diellit mbi grurin e pjekur / Jam shiu i butë i vjeshtës … Jam dita që kapërcen natën / Mos qëndroni / Pranë varrit tim dhe të qani – / Nuk jam aty / Nuk kam vdekur", ka shkruar poetja Clare Harner, fjalë që përshtaten edhe me ikjen tënde nga kjo botë. Sepse, Gjikla, e dimë, engjëjt nuk jetojnë në tokë. Vendin e kanë në Parajsë. Do ta përjetojmë rëndë mungesën tënde fizike, por gjithmonë do të mbetesh pjesë e jona – e familjarëve, miqve dhe kolegëve, të gjithë atyre që patën fatin e mirë të të njohin ty, njeri i mirë.