Edhe pse kur ajo u ngjit në skenë në vitin 1981 ishte vetëm 16 vjeçe, atëherë bukuria dhe trupi i gjatë ishin një plus për të, si për të gjitha këngëtaret e vërteta. Ka qenë e privilegjuar dhe ndër këngëtaret më të mira në atë kohë, dhe aktualisht ka arritur të zgjerojë repertorin e saj me shumë këngë të lehta, popullore e ritmike për sa i perket muzikës. Ka qenë një femër me shumë humor, por ajo vetë ka pohuar se jeta e vështirë e një artisteje në emigracion e ka ndryshuar disi. U largua nga Shqipëria në vitin ’91, si shumë shqiptarë të tjerë dhe për 10 vite nuk shkeli fare në Shqipëri, aq sa shumë këtu menduan se ajo e kishte ndërprerë karrierën muzikore. Gjatë këtyre viteve, ajo pohon se ka vazhduar të këndojë në Zvicër, Gjermani e Londër. Rikthimin e parë e bëri me një album dhe disa të tjerë. Edhe pse është e pranishme në Shqipëri, Jolanda shprehet se këto do të jenë rikthime të shkurtra profesionale, pasi vendbanimi i saj do të vazhdojë të jetë Athina, ku jeton me bashkëshortin dhe djalin e tyre.