TEKSTESHQIP

Jon Tarifa, I Angazhuar Me Përgatitjen E Albumit

24-3-2014
Jon Tarifa, I Angazhuar Me Përgatitjen E Albumit
Nuk ndalet së bëri muzikë. E këtë më së miri e dëshmojnë angazhimet e shumta, dhe projektet e shpeshta që sjell në treg, ani pse këngëtari shqiptar i cili tash e sa vjen këndon në Holandë, ka edhe punën e përditshme.

Por dashuria për këngën është aq e madhe saqë Jon Tarifa vetëm pak kohë pas përfundimit të videos me këngëtaren Vesa Luma, të cilën do ta sjellin në treg shumë shpejtë, ka bërë me dije se ka udhëtuar drejtë Amerikës, ku përveç qejfit, po synon një bashkëpunim me artistin e muzikës reggae Meta Dia.

Kështu ka pohuar Tarifa gjatë një bisede për Tribuna, ndërsa mes tjerash ka rrëfyer edhe për pasione tjera, angazhimin e tij si futbollist e dashurinë që po jeton përkrah të përzgjedhurës Kimberly ...

Tribuna: Jon, ka javë që ju keni lansuar një këngë në duet me Vesa Lumën. Ndërsa tani keni njoftuar se, së shpejti para fansave do të jetë edhe videoja e kësaj kënge. Kur më saktësisht mendoni se kënga e përfunduar do të jetë e gatshme për treg?
Tarifa: Në janar të këtij viti, Vesa Luma erdhi në Holandë për të filmuar videon muzikore të këngës sonë "Superstitious". Këtë moment që flasim,videoja e kësaj kënge thuajse ka përfunduar. Mendoj se ajo do të jetë në treg në fund të marsit, në mos edhe më parë.

Tribuna: Ju, gjithashtu, karshi lansimit të këngës në fjalë, lansuat edhe një tjetër projekt artistik, i cili ka nxjerr në pah jetën tuaj. Si është pritur kjo këngë në publik dhe sa ia keni dalë që të përshkruani jetën tuaj përmes një videoje muzikore?
Tarifa: Kohët e fundit kam publikuar videon e këngës sime më të re, "On my Own", e cila ishte e fundit këngë që doja të lansoja me një video nga albumi im i parë "Free to Be". Videoja portretizon personin tim si një djalë i vogël, sot dhe në të ardhmen. Siç shihet në atë video, në të tri këto faza të jetës sime unë kam qenë, jam dhe do të jem i zënë me muzikë. Kjo flet për dashurinë dhe përkushtimin tim ndaj muzikës, se si këto nisën tek unë qysh kur isha fëmijë, si janë zhvilluar deri më sot dhe si unë e shoh të ardhmen time, gjithnjë duke u marrë me muzikë, nga e cila ndjej se nuk mund të ndahem.

Tribuna: Veç tyre, me çfarë angazhimesh tjera artistike e plotësoni kohën tuaj?
Tarifa: Aktualisht ndodhem në Nju Jork, duke vizituar një prej shokëve të mi holandezë më të mirë. Ndërsa jam këtu, ka mundësi të nis të merrem me një këngë të re, të cilën mundet ta realizojë në bashkëpunim me këngëtarin e njohur të muzikës reggae Meta Dia. Ky i fundit sapo ka nxjerrë një këngë me Damion Marley (djali i Bob Marley). Përveç kësaj, kam nisur punën me një album të ri timin.

Tribuna: Përveç vendit ku jetoni, keni shpeshtuar paraqitjet ‘live’ në mjediset shqiptare. Ndiheni më mirë kur këndoni për shqiptarët, apo thjesht keni një publik që nuk dallon për ju?
Tarifa: Verën që shkoi vizitova Prishtinën dhe Tiranën me një pjesë të anëtarëve të grupit tim muzikor nga Holanda, për të promovuar albumin "Free to Be". Gjatë atij turi bëmë disa performance në radio dhe në TV, por gjithashtu edhe luajtëm live në disa mjedise të Tiranës. Pa dyshim që është një kënaqësi e veçantë për mua të luaj për njerëz që janë të gjakut tim dhe flasin gjuhën time, me të cilët kam dëshirë të ndaj muzikën që bëj. Kam dëshirë që shumë shpejt të kthehem sërish në Shqipëri dhe në Kosovë, për të ndarë me publikun shqiptar muzikën time, sepse në vendin tim kam gjetur dhe gjej mbështetje të madhe.
Tribuna: Çfarë planesh e projektesh do të sillni në vazhdim?
Tarifa: Shpejt besoj se do të kem albumin të ri. Ndërkohë, ndoshta verën e ardhshme, mendoj të lansoj një video të re.

Tribuna: Ndonjë bashkëpunim tjetër me ndonjë këngëtar shqiptar pas Vesës a keni?
Tarifa: Aktualisht nuk kam ndonjë plan bashkëpunimi me ndonjë artist shqiptar. Por, kush e di se ç’sjell e ardhmja. Unë kam qenë dhe jam i hapur ndaj bashkëpunimeve, veçanërisht me artistë nga të cilët kam se ç’të mësoj.

Tribuna: Sa ia dilni mbanë të menaxhoni kohën karshi këngës dhe përditshmërisë?
Tarifa: Përveç muzikës, ajo që merr kohën time më të madhe është puna që bëj në departamentin e parketimit dhe të komunikimit në një Organizatë Evropiane, me qendër në Hagë. Është e vështirë të merrem me të dyja këto aktivitete njëherësh, pa dyshim, por mua më pëlqen të kem një agjendë të ngjeshur dhe për këtë nuk ankohem.

Tribuna: Daljet kur i preferoni zakonisht dhe cilat vende ju joshin më shumë?
Tarifa: Kohën më të madhe zakonisht e kaloj në qytetin tim, në Hagë, ku edhe kam miqtë dhe shokët më të shumtë. Përveç kësaj, në kohën e lirë, merrem me muzikë dhe fizkulturë. Dhe pa dyshim udhëtoj shumë.

Ndjehem me fat përkrah Kimberlyt

Tribuna: Si do ta përshkruanit veten me tri fjalë?
Tarifa: Punëtor, me këmbë në tokë, i vendosur.

Tribuna; Para kujt jeni përulur?
Tarifa: Para prindërve të mi, të cilët i çmoj dhe i dua shumë. Dhe para së vërtetës.

Tribuna: Çfarë do të ju thyente shpirtërisht?
Tarifa: Çdo gjë që do të cenonte familjen time. Familja është e shtrenjtë për mua.

Tribuna: Në një bisedë të mëparshme keni thënë se jeni në një lidhje dashurie. Mund t’iu takojmë si dhëndër shpejt?
Tarifa: Pa dyshim që po, edhe pse për momentin ende s’kemi ndonjë plan të përcaktuar.

Tribuna: Jeni ithtar i martesës?
Tarifa: Po, dëshiroj të martohem me vajzën me të cilën bashkëjetoj. Nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por krenarisht mund t’ju them se ajo do të jetë gruaja ime.

Tribuna: Si quhet vajza që keni në krah, dhe çfarë çmoni më shumë tek ajo?
Tarifa: Quhet Kimberly. Ato çfarë çmoj shumë te ajo janë karakteri dhe personaliteti i saj, mënyra e saj e të menduarit dhe e të qenit ajo që është. Në të vërtetë, tek ajo thuajse s’ka asgjë që unë nuk e çmoj. Unë e quaj veten fatlum që jam me të.

Tribuna: Shpreh ajo ndopak xhelozi kur ju ndodheni mes shqiptareve?
Tarifa: Kurrë. Ajo nuk është tipi xheloz i gruas.

Tribuna: Çfarë nuk do të falje kurrë?
Tarifa: E kam të vështirë të përballem me dy gjëra: me gënjeshtrën dhe me tradhtinë.

Tribuna: Kur do t’ju kemi sërish në Kosovë?
Tarifa: Ndoshta në verë të këtij viti. Por, ndoshta edhe më parë.
(Melihate Gashi)

Komente 0