TEKSTESHQIP

Juliana Pasha: Këtë Sezon Nuk Do Të Jem Pjesë E “X Factor“

23-9-2012
Juliana Pasha: Këtë Sezon Nuk Do Të Jem Pjesë E “X Factor“
Një ndër vokalet më të veçantë dhe të fuqishëm të muzikës shqiptare është padyshim Juliana Pasha. Ajo është shquar gjithnjë për talentit e saj e për këtë arsye është vlerësuar me çmime të ndryshme. Gjithashtu mund të përmendim përfaqësimin mjaft dinjitoz për Shqipërinë të realizuar nga Pasha në "Eurovision", ku ka marrë mjaft komente pozitive. Juliana ka qenë gjithashtu pjesë e jurisë së "X Factor Albania 1" ku nxënësja e saj Sheila, fitoi kompeticionin. Në një intervistë për TH&TH, Pasha shprehet se nuk do të jetë më pjesë e jurisë së këtij formati televiziv si dhe qe do t'I dedikohet më shumë muzikës. Gjithashtu ajo ka treguar për realizimin e klipit të saj më të fundit me këngëtarin e njohur Sidrit Bejleri.

Juliana sapo keni publikuar bashkëpunim tuaj më të fundit me Sindrit Bejlerin, në fakt çfarë fabule tregon "Më Beso!"?

Kënga flet për dy të rinj që e kërkojnë njëri- tjetrin nëpër qytet pa e ditur se kush janë, por dinë se dashurohen midis tyre dhe në fund e gjejnë dashurinë e tyre.

Vendet ku është xhiruar klipi duket mjaft interesante, ku ndodhet ato?

Klipi është xhiruar në Ohër të Maqedonisë në disa nga vendet më turistike të tij, si pranë kishës Izabel dhe në amfiteatër.

Si lindi ideja e bashkëpunimit me Sidrit Bejlerin?

Kënga "Më beso" është një këngë e kompozuar nga Sidi enkas për tu bërë ky duet dhe ka qenë dëshira dhe propozimi i tij për ta kënduar së bashku që vitin e kaluar. Fakti që ne të dy ishim anëtarë jurie në spektakle të të njëjtit format, por në televizione të ndryshme bëri që ta shtynim bashkëpunimin për më vonë, ndaj kjo këngë ekziston edhe në një version tjetër.

Si është bashkëpunimi i "X Factor" me "The Voice of Albania"?

Për mua dhe Sidritin nuk është një bashkëpunim i "X Factor" me "The Voice" por një bashkëpunim mes dy miqve që kanë gati 10 vjet që këndojnë së bashku dhe për herë të pare donim të ishim së bashku edhe me një duet.

Cilës rryme i përket kënga?

Kënga i përket rrymës Pop rock.

Mendoni të keni bashkëpunime të tjera me të?

Ende nuk e kemi menduar por nëse do të kemi një këngë që të na përshtatet sikundër kjo atëherë, besoj se po.

Si e po prisni sezonin e ri të X-Factor?

Unë personalisht nuk do të bëhem pjesë e panelit të jurisë këtë sezon të dytë. Kam punuar fort dhe me përkushtim sezonin e kaluar për tu dhënë mundësinë të rinjve të mësonin nga eksperienca ime si artiste e skenës, se si të këndonin apo të komportoheshin para një publiku dhe besoj se me punën time dhe dëshirën e vajzave për të mësuar nga unë bëmë që kategoria e vajzave të linte një gjurmë të fortë deri në finale madje edhe ta fitonte "X Factor Albania 1".

Atëherë si e kujtoni eksperiencën tuaj gjatë sezonit të parë të këtij formati televiziv?

Ka qenë një periudhë e lodhshme dhe mjaft e ngarkuar për mua, por që falë Zotit u shpërblye me vlerësimin më të mirë.

Mendoni se edhe këtë vit do të gjendet faktori X?

Besoj se ky sezon i ri i X Factor do të sjellë talente të rinj këtë vit.

Cila është sfida e radhës që e pret Julianën pas X Factor?

Këtë vit do të jem më e përkushtuar në muzikë dhe në spektaklet e ndryshme. Ju keni qenë një nga përfaqësueset e Shqipërisë në festivalin

Evropian, çfarë ndjesie dhe peshe sjell një event i tillë në jetën e një artisteje si ju?

Festivali Europian është një mundësi e artë për çdo artist për të provuar veten në tregun muzikor evropian aty ku të paktën këngëtaret shqiptare e kanë tepër të vështirë të çajnë. Unë mendoj se kam patur privilegjin e madh që jam ngjitur në skenën e "Eurovision Song Kontest" ku këngëtari e ndjen veten artist dhe të vlerësuar pavarësisht votimeve politike që ndodhin rëndom çdo vit. Kënga "It's all about you" ende vlerësohet nga "Eurovision funs" si një nga këngët më të mira të "Eurovision 2010" pavarësisht vendit që zuri.

Çdo artist ka një këngë të caktuar me të cilën identifikohet menjëherë, cila është në fakt kënga më e dashur për ju?

Një nga këngët e mia më të dashura është "Një qiell i ri", kënga me të cilën jam vlerësuar me çmimin e tretë në Festivalin e RTSH, por kënga që më identifikon tek publiku sigurisht që mbetet "It's all about you".

Po përsa i përket jetës private sa e realizuar ndihet Juliana?

Ndihem 100% e realizuar.

Si e vlerësoni muzikën shqiptare në stadin që ajo ka arritur sot?

Muzika shqiptare është dhe do të mbetet për një kohë të gjatë në kërkim të identitetit.

Cilat janë disa nga pasionet e fshehta të Julianës?

Besoj se nuk mund ta quaj më pasion të fshehtë pasi publiku e njeh prej kohësh tashmë pasionin tim për gatimin.

Si ishte kjo verë për Juliana Pashën, sa jeni argëtuar këtë vit?

Kjo verë që kaloi më solli mjaft punë, por edhe pushime të këndshme së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit në ishullin Lefkada, në Greqi.

Keni marrë pjesë në koncertet verore të organizuara gjatë kësaj vere ne vend?

Kam patur fatin të isha pjesëmarrëse e Hit Fest në TVSH si anëtare jurie dhe prezantuese ku besoj se zbulova një tjetër pasion timin, prezantimin dhe sigurisht që nuk kanë munguar aktivitetet në bregdetin shqiptar.

Po përsa i përket koncerteve jashtë tij?

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit kam humbur dhe e them me keqardhje, një nga aktivitetet më të rëndësishme të Ballkanit, që u zhvillua në datën 8 shtator në Bosnje, ku isha e ftuar për të kënduar së bashku me 12 artistë të njohur në Ballkan, siç mund të përmend të madhin Jorgo Dalara, për arsye angazhimesh në Shqipëri. Më vjen mirë që në këtë koncert paqeje në Bosnje, Shqipërinë e përfaqësoi denjësisht miku im Sajmir Braho.

Keni ndërmend të publikoni ndonjë këngë të re?

Ka mbetur ende një material i ri i pa publikuar që në verë ndaj shpresoj që ta sjell së shpejti për publikun ndoshta dhe me një klip.

Kur do të kemi një album të ri nga Juliana Pasha?

Ende nuk kam në plan një album, por kohët e fundit kam menduar seriozisht për të.

Çfarë konsideroni si gjënë më me vlerë në jetën tuaj?

Familjen dhe besimin tim.
(XHULIA KARAVELLA /Thash&Them)

Komente 0