TEKSTESHQIP

Marsela Cibukaj: Dua Të Jem Një Kampione Noti

25-8-2012
Marsela Cibukaj: Dua Të Jem Një Kampione Noti
Ndonëse sezoni i parë i "The Voice of Albania", kompeticioni i cili e bëri të njohur, ka përfunduar, Marsela Çibukaj ende vazhdon të jetë një nga këngëtaret më të kërkuara e të preferuara të këtij edicioni. Ajo ishte e aftë të dhuronte mjaft emocione jo vetëm në këtë garë, por edhe në pjesëmarrjen e saj në edicionin e nëntë të "Top Fest" ku performoi edhe në natën finale. Spontane dhe e qeshur Marsela tregon për "THASH&THEM", të rejat më të fundit që vijnë prej saj. Së shpejti pritet të publikohet kënga e saj më e re nga Universal, e cila do të transmetohet në vende të ndryshme të Europës. Aktualisht këngëtarja gjendet në Itali ku po vazhdon performancat live me bandën e saj.

Marsela si ka qenë kjo periudhë për ju në fushën profesionale pas përfundimit të "The Voice"?

Ka qenë plot me aktivitete duke filluar që nga intervistat , prezencat televizive , prezantimi I këngës së parë në gjuhën shqipe në Top Fest 9, e cila arriti deri në fazën finale, pjesmarrja si pjesë e stafit të Top Show , koncerte live jo vetëm në Tiranë por shumë qytete shqiptare.

Mendoni të vini me ndonjë projekt të ri muzikor ndoshta të shoqëruar edhe me ndonjë klip?

Kjo është dëshira dhe idea që shpresoj së shpejti të realizohet , mbi të cilën ka ende punë në vazhdim.

Në një intervistë për suplementin tonë, jeni shprehur se muzika ishte prioriteti juaj e në fakt sa e keni realizuar këtë pohim?

Muzika është prioriteti im dhe do mbetet i tillë për shumë gjatë, mendoj deri në ditën kur të ngrihem nga gjumi dhe gjëja e parë që do bëj të mos jetë të këndoj.Them se vet ky fakt është një realizim.

Aktualisht ndodheni në Itali do të qëndroni gjatë apo keni ndërmend të riktheheni?

Po aktualisht ndodhem në Itali. Po shijoj disa kohë me familjen që prej afërsisht një viti nuk e kisha më afër , miqtë dhe muzikën me të cilën jam rritur. Do të kthehem në Shqipëri në fillim të shtatorit. Javës tjetër do jem në Paris për disa leksione jazz-i , dhe be-pop improvisation .

Po merreni me muzikë në Itali?

Me siguri që gjatë qëndrimit në Itali nuk mundesha t'i shmangesha skenës ku kam mësuar shumë dhe që më ka dhënë a b c-në në muzik. Me grupin tim kemi zhvilluar disa koncerte live në Romë dhe qytetet rreth saj. Përveç kësaj bashkë me kitaristin tim jemi në fazën e rregjistrimit të projektit, të cilin e kishim nisur përpara dhe lënë përgjysmë për shkak të ardhjes time në "The Voice", me këngë të shkruajtura dhe kompozuara nga unë.

Përsa i përket studimeve si keni ecur me to?

Mungojnë provimet e fundit në Fakultetin e Juridikut , shpresoj që t'i përfundoj ato brenda një viti . Megjithatë varet nga impenjimet me muzikën, që është gjëja më e rëndësishme për mua në këtë moment.

Të rikthehemi pak tek "The Voice", ashtu si finalistëve të tjerë edhe ju iu ishte premtuar një këngë nga shtëpia diskografike "Universal", e keni realizuar atë?

Kënga është në fazë realizimi , së shpejti do lançohet në tregun e muzikës jo vetëm shqiptare por edhe europiane. Kënga është në gjuhën angleze e shoqëruar me videoklip. Shpresoj të ketë fat dhe të pëlqehet.

I keni ruajtur kontaktet me mentorin tuaj Elton Dedën?

Sigurisht që po. Eltoni ishte kompozitori i këngës "Sipar", finaliste në "Top Fest 9" dhe pavarësisht nga distanca më ka dhënë shumë kurajo dhe këshilla të mira mbi muzikën që janë të rëndësishme në udhëtimin tim. Mendoj që do të jetë i mundur së shpejti edhe një bashkëpunim përsa i përket live-ve.

Po përsa i përket konkurrentëve të "The Voice" me cilët prej tyre keni miqësi më të ngushtë?

Unë jam natyrë e çiltër dhe kjo më ndihmon të krijoj miqësi kudo që shkoj me shumë thjeshtësi, kështu që edhe në "The Voice" krijova miqësi pothuajse me të gjithë. Me shumë prej tyre kam ruajtur vetëm një miqësi virtuale kjo për shkak të distancave, si konkurrentët që vinin nga Kosova, ndërsa me disa të tjerë takohemi për kafe në bllok dhe flasim mbi të ardhmen .

Ju kemi parë në performancat tuaja në Top Show. Do të jeni pjesë e tij edhe në këtë sezon televiziv apo do të nisni ndonjë projekt të ri televiziv?

Nuk e di, do më pëlqente, pse jo ? "Top Show" është një ambient shumë mikëpritës, me orkestrën, me në krye maestro Genti Rrushi, me të cilin kam një raport shumë spontan, plus që
në Top Show kam dhe dy nga miqtë e mi më të mirë muzikant, Gent Bushpepën dhe Kamela Islamaj të cilët i vlerësoj shumë.
Sa ngjajnë dhe sa ndryshojnë në mënyrën e jetesës këto dy shtete?

Mendoj që kanë shumë diferenca nga njëra-tjetra. Janë kultura që sado të afërta gjeografikisht me njëra tjetrën, janë ndryshe njëkohësisht.Konceptohet ndryshe idea e familjes e miqesisë, argëtimit, punës, dashurisë apo edhe e mënyrës se si kalohet apo jetohet dita.

Çfarë pëlqen të bëjë në kohën e lire Marsela?

Më përpara në kohën e lirë nga studimet ose puna ishte muzika, tani në kohën e lirë nga muzika është prapë muzika (qesh) . Notat , disqet , mikrofonat dhe pentagramet janë kudo në dhomën time dhe në jetën time . Gjithsesi kur "grindem" me muzikën më pëlqen shumë të lexoj, kam kuriozitet të pafund sidomos për autobiografitë e personazheve të muzikës botërore . Më pëlqen shumë të notoj, mendoj që në një tjetër jetë dua të bëhem ose të jem një kampione e artë noti . Më pëlqen të udhëtoj, udhëtimet janë oksigjen dhe kreativitet për mendjen time.

Mendoni se vazhdoni të keni të njëjtin popullaritet si në ditët e "The Voice"?

Me siguri që impakti i parë pas finales të "The Voice" ishte shumë i fortë dhe i pakrahasueshëm. Mund të them që në rastin tim vazhdon të jetë akoma i fort dhe prezent në kujtimin e njerëzve . Ndiej shumë dashuri dhe përkrahje rreth e rrotull meje si nga njerëzit që më shkruajnë në Facebook , Fan Page ose You-Tube, ashtu dhe nga njerëzit që më ndjekin nëpër koncerte ose që më takojnë në rrugë .

Sa ndryshoi jeta juaj pas "The Voice"?

Ka ndryshuar me siguri përsa i përket pritshmërive, ritmit të jetës, dhe projektet për të ardhmen, por nuk ka ndryshuar në mënyrën sesi unë e përballoj atë . Gjithmonë me thjeshtësi dhe natyralitet .

Sa i përket Top Fest 9, arritët të ishit në mbrëmjen finale por nuk fituat një çmim. U zhgënjyet nga ky fakt?

Absolutisht jo , Top Fest është një vitrinë shumë e mirë për kë merret me muzikë , për mua ishte një arritje të këndoja këngën time në natën finale, ishte një mundësi më shumë, pavarësisht nga çmimet. Mendoj që arti është art dhe nuk ka kritetere objektive për t'a vlerësuar. Pastaj fundja fundit unë tashmë jam mësuar me finalet e konkurrimeve (qesh).

Do të merrni sërish pjesë në këtë kompeticion?

Pse jo, nuk i dihet. Unë kompeticionet i jetoj thjesht si eksperiencë artistike dhe personale jo si qëllimin e jetës sime .

Cilat janë për ju vlerat më të rëndësishme?

Me siguri vlerat më të rëndësishme për mua janë dashuria dhe respekti për familjen dhe për miqësinë , sinqeriteti , zemërgjerësia dhe thjeshtësia .

Çfarë vendi zë dashuria për ju?

Vendin e parë, pa dashuri unë nuk do jetoja dot. Pa dashuri brenda dhe jashtë qenies time arti dhe muzika nuk do kishte lindur tek mua.

Është dikush special në jetën e Marselës?

Hmm, preferoj të mos jem e drejtpërdrejtë në këtë përgjigje. Mund të them që jam e lumtur. (qesh)

Ku i keni kaluar pushimet këtë vit?

Këtë vit kam kaluar muajt qershor-korrik në Shqipëri duke kënduar live në shumë qytete sidomos në jug dhe kam përfituar për të bërë edhe pak plazh. Jam shumë e lumtur që zbulova Shqipërinë me vendet e saj magjepse . Gushtin po e kaloj në Romë, ku bashkë me shoqërinë lëvizim gjatë fundjavave në ishuj këtu afër ose në plazhe me të vërtetë fantastikë. Javës që vjen do jem në Paris ku kam shoqen time të ngushtë .

Sa të veçanta ishin ato?

Si ato në Shqipëri dhe ato në Itali më dhuruan shumë emocione dhe do të lënë me siguri kujtime të bukura.

Cilat janë planet tuaja kur të ktheheni në Tiranë?

Plani i parë është që të vazhdoj të këndoj dhe të jem prezente në skenën shqiptare. Të shohim angazhimet se si dhe sa do jenë .

Si pritet të jetë ky shtator për Marselën?

Horoskopi thotë që do të jetë shumë i mire sidomos nga ana profesionale, të shohim nëse ka të drejtë, shpresojmë mirë atëherë.
(xh.k/shqiptarja)

Komente 0