TEKSTESHQIP

Mimoza Mustafa Shpalos Sekretin E Formes Se Saj

21-2-2011
Mimoza Mustafa Shpalos Sekretin E Formes Se Saj
E vlerëson si një fillimvit pasiv sa u përket angazhimeve muzikore, por mohon një shkëputje nga bota e artit. Ani pse aktualisht nuk është duke realizuar ndonjë këngë të re, në fillim të pranverës, këngëtarja Mimoza Mustafa e ka në plan të lansojë një tjetër këngë, së cilës patjetër se do t'i realizojë edhe klip. "Është një fillimvit më pasiv, por kjo vjen për faktin se është sezoni i dimrit dhe zakonisht në këtë kohë pasivizohet puna e sidomos muaji janar është më i 'vdekur'. Por, me përmirësimin e kohës, vjen dhe disponimi për të punuar e angazhuar më shumë, kështu që do të ketë më shumë të reja. Jam duke menduar për këngët e radhës. E vërteta është se kënga nuk bëhet as për një ditë e as për një javë. Duhet angazhim më i madh", pohon Mimoza, ndërsa bën me dije edhe për llojin e këngës që ajo ka në plan ta lansojë.

Gjatë pranverës, kur edhe gjithçka gjallërohet…

"Dua të bëj një këngë e një klip të ri, e dikur kah pranvera të bëj edhe promovimin e klipit. Zakonisht bashkëpunoj me Darko Dimitrov, regjisorin nga Maqedonia, e klipet gjithnjë i bëj me 'Labia'-n. Pra, edhe kësaj radhe mendoj të bashkëpunoj me të njëjtit bashkëpunëtorë", tregon këngëtarja.

Javë më parë, ajo bashkë me bashkëshortin e saj, këngëtarin Shkumbin Kryeziu, lansuan një duet, të cilin e titulluan "Trenat pa binarë". Thotë se është ndarë shumë e kënaqur me krijimin e fundit, ndërsa komentet e mira nga familjarët e miqtë e bën të ndjehet edhe më mirë me gjithçka që realizuan. "Unë jam e kënaqur, sidomos me këngën. Kënga është shumë e bukur, ndërsa teksti është edhe më i bukur, të cilin e ka shkruar Aida Baraku. Edhe rreth klipit kemi bashkëpunuar me bashkëpunëtorë të njëjtë, kështu që ata e dinë se çka duam. Mendoj se ka dalë shumë mirë. Komentet kanë qenë shumë të mira. Gjithmonë është një dëshirë e madhe, si nga familja, të afërmit e fansat që të vijmë më shpesh në bashkëpunim me Shkumbinin. Kam marrë komente shumë të mira edhe sa i përket pamjes sime dhe fustanit, të cilin e ka dizajnuar Valdrin Sahiti. Mendoj që ka dalë diçka serioze".

Dieta, asnjëherë

E kur jemi te dukja, ajo gjithnjë është vlerësuar për një veshje, dukje, por edhe trup të veçantë e të mbajtur mirë. Për veshjen e grimin sigurisht që janë njerëzit kompetentë me të cilët bashkëpunon gjithnjë, por kur e pyesim se ku është sekreti i linjave të saj, ajo thekson se: "Mundohem, ndonëse ne nuk mund të krahasohemi me yjet botërore dhe kushtet e tyre. Tek ne është pak më e vështirë, por mundohem që të mbaj këtë ritëm me ushqim, por edhe ushtrime të kohë pas kohe. Dieta nuk mbaj kurrë. Por, edhe lindja e bën të vetën. Është një ligj, i cili thotë se femra duhet të jetë me barrë, të lindë fëmijë e të freskohet. Është pak e mundimshme, por ia dal shumë mirë në krye. Kam një lloj fitnesi të vogël në shtëpi, por edhe ecjen e preferoj shumë, për çfarë edhe dal shpesh në Gërmi. I kushtoj rëndësi trupit, për aq sa mundëm", tregon për fund ajo
(shqipet.ch)

Komente 0