Më mbaj mend (për 1 muaj)

Mirsa Kërqeli: “Iu Riktheva Muzikës. Tani Nuk Do Të Ndalem...”

Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2
[19-11-2014]
Mirsa Kërqeli, e dashur për publikun që në fillimet e karrierës së saj. E filloi karrierën e saj muzikore shumë e re me disa nga hitet e saj më të njohura siç ishin: "Indiferent", "Djaloshi Im", "Status Quo" etj. Pauzoi për një kohë mjaft të gjatë në skenë, kjo pasi është bërë nënë dhe i është përkushtuar më shumë familjes, por së fundmi ajo është rikthyer prap në muzikë dhe ka publikuar një duet me këngëtarin Alban Mehmeti. Në një intervistë ekskluzive dhënë për teksteshqip.com Mirsa na flet më shumë rreth rikthimit të saj në muzikë...

TeksteShqip: Mirsa, keni publikuar së fundmi videoklipin tuaj më të ri "Si modele" në bashkpunim me Alban Mehmetin. Na flisni pak më shumë rreth këtij projekti?

Mirsa: Po, kënga është e Albanit, unë jam mysafire në të. Pas ftesës që më është bërë, kam pranuar me shumë dëshirë dhe kam besuar dhe synuar që do të jetë një duet i tillë siç është realizuar. Muzika është punuar nga "binirecords", ndërsa videoklipin ia kemi besuar produksionit filmik "Urban Graphics" nga Gjilani. Kurse fjalët tjera i mbesin publikut, sepse ata me komentet, qofshin lavdata, qofshin kritika, e bëjnë të kompletuar një projekt të një artisti, andaj le ti presim ato sido që të jenë.



TeksteShqip: Si lindi ideja për bashkpunim?

Mirsa: Ideja ka qenë e Albanit, ai ka punuar rreth kësaj kënge dhe pastaj mua më ka bërë ftesen të cilën siç tregova e kam pranuar me shumë dëshirë dhe vullnet.

TeksteShqip: Ka qenë ky një projekt që ju ka rikthyer në muzikë pas një shkëputjeje mjaft të gjatë? Na thoni pak pse kjo pauzë?

Mirsa: Po, kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që kam pranuar të jem pjesë e këtij dueti me Albanin, shkaku i pauzës e cila më shumë se kënga dhe projektet e reja të mija ka bërë bujë ndoshta rikthimi. Unë kam një kohë të gjatë që jam duke punuar në një rikthim timin në muzikë dhe ky është vetëm fillimi, tash e tutje nuk besoj që do të ndalem. E rreth asaj se pse kam pauzuar tashmë e dinë të gjithë, se për shkaqe personale më është dashur pak më shumë kohë private, megjithatë po kam pauzuar por sot jam një nënë shumë e përkushtuar e djalit tim tashmë 1 vjeçar. Më shumë se kjo ndoshta nuk mund të ketë arsye asnjë artist tjetër.

TeksteShqip: Tani që jeni rikthyer sërish, na thoni cilat do të jenë projekte tua muzikore më të afërta?

Mirsa: Tani një nga një me rend do të vijnë projektet tek të ciat kam punuar tash e ca muaj. Pas këtij dueti do të vijnë edhe dy solo këngë të mia që të dyja të shoqëruara me videoklipe dhe me stile krejt tjera nga kënga me Albanin. Më shumë do të flasin vetë këngët kur të publikohen.



TeksteShqip: Jetoni aktualisht në Gjilan? Merreni me diçka tjetër përveq muzikës?

Mirsa: Po, për momentin jetoj në Gjilan, mirëpo aktivitete tjera përpos muzikës nuk kam pasi që kohën më të madhe e kaloj pranë djalit tim pranë familjes dhe të afërme të mi dhe kohëve të fundit duke punuar në këto projekte që tashmë kam filluar ti lansoj.

TeksteShqip: Çfarë opinioni ka Mirsa për tregun e muzikës sot?

Mirsa: Është e vërtetë që sot në skenën muzikore shqiptare kemi një muzikë multizhandër nëse mund të them, lloje dhe shije të ndryshme të muzikëdashësve, gjë që e ka të mirën e vet, sepse çdo artist e bënë atë që e di më së miri dhe sot ka vend për secilin. Megjithatë rikthimi i mbrëmjeve dhe koncerteve të realizuara komplet live dhe me orkestër, vazhdon të jetë një dëshirë shumë e madhe e imja por edhe e shumë kolegëve të mi besoj. Vetëm atëherë dallojmë dhe vlersojmë atë që gjithësecili e bënë me kaq mburrje dhe pasion.



TeksteShqip: Flasim pak për jetën private? Dimë që jeni e martuar, keni madje edhe një fëmijë? Si e përjeton Mirsa ndjenjën e të qenurit nënë dhe a keni në plan ndonjë fëmijë tjetër?

Mirsa: Po, tashmë ka një vit e gjysëm që jam e martuar, djalin e kam gati një vjeçar dhe jam vërtetë e bekuar që e kam atë. Për mua të qenurit nënë, është ndjenja më e mirë që mund ta përjetoj një njeri në jetën e tij, andaj edhe unë jam jashtzakonisht e lumtur, e përkushtuar dhe më shumë dashuri kujdesem për djalin tim, prandaj edhe fëmijë të tjerë mund të jenë në plan dhashtë zoti në një të ardhme të afërt, mirëpo për momentin dua ti plotësoj çdo dëshirë dhe nevojë djalit tim si dhe karrierës.

TeksteShqip: Keni kohë që jeni distancuar nga festivalet? Pse? Do të merrni pjesë sërish në to?

Mirsa: Festivalet kanë qenë pjesë e imja në fillimin e karrierës time, megjithatë më vonë jam larguar nga skena e tyre paksa për tu përkushtuar me projekte të mia të cilat do ti plasoja në treg me videoklipe. Një këngë e mirë me videoklip të mirë mund të pushtoj të gjitha mediat shqiptare në përgjithësi, ndërsa në festival mund të jesh vetëm një herë në vit, prandaj kjo është arsyeja që jam larguar por që me dëshirë të madhe do të rikthehesha në ndonjërin prej tyre pasi që i kemi disa shumë të mirë sot.



TeksteShqip: Po një album, e presim nga Mirsa në të ardhmen?

Mirsa: Për momentin lansimi i projekteve single që i kam punuar janë primare për mua, por duke punuar vazhdimisht në këngë të reja kjo nënkupton që shpejt do të mund ti kompletoj të gjitha në një album të ri pse jo?

TeksteShqip: Mirsa, të falenderojmë që gjete kohë për këtë intervistë. Çfarë mesazhi ke për lexuesit në fund...

Mirsa: Faleminderimi ju takon juve gjithmonë, që gjeni kohë dhe shpalosni të gjitha punët projektet dhe planet e mia për të ardhmen. Mesazhi im për të gjithë kish me qenë i shkurtë: "Jetoni jetën të lumtur, dhe kurrë mos heqni dorë nga ëndërrat e juaja, sado që ato iu duken vështirë të realizueshme. Zoti ju bekoftë të gjithëve. Faleminderit shumë."
 (B.A/Teksteshqip.Com)



Komente 1