Nga "Jericho Walls" në "Jericho" që prej vitit 2001, grupi i djemve kosovarë shpesh të krahasuar në stil me bandën e famshme Rage Against the Machine, kanë zbutur paska tendencën rep- core që ka dominuar përgjatë viteve, duke iu bashkangjitur një zhanri disi më të lehtë, shoqëruar nga motive folklorike. Petrit Çarkaxhiu, i njohur me emrin Rrusta është lideri i grupit të njohur që sjell këngë, kryesisht në dialektin geg, me një stil "ndryshe", duke pasur parasysh tendencat që ekzistojnë sot në tregun muzikor shqiptar. Artisti ka arritur që të fitojë vëmendjen dhe dashurinë e audiencës falë rebelimit dhe forcës së shprehjes për të nxjerrë në pah të pathënat e shoqërisë shqiptare, nëpërmjet këngëve të tij dhe grupit.
Petrit Çarkaxhiu vjen këtë herë në skenën e festivalit të muzikës moderne si solist. Ndonëse i pa shoqëruar nga miqtë e tij të Jericho, Petriti i ka qëndruar besnik stilit të muzikës që ka bërë deri tani së bashku me grupin, etno-rock.