TEKSTESHQIP

Pirro Cako I Shmanget Zhurmës Së Koncertit Të Invës

2-12-2012
Pirro Cako I Shmanget Zhurmës Së Koncertit Të Invës
Të ndarë, që bashkohen në një eveniment në karrierat e tyre muzikore. Kanë publikuar albumet e tyre në të njëjtën ditë, pikërisht në këtë 100-vjetor Pavarësie për Shqipërinë. Të dyja albumet janë publikuar nga "Supersonic", që do të thotë se dy ish-bashkëshortët kanë qenë në dijeni të albumit më të ri të secilit. Ndoshta në këtë rast janë bashkuar të dy në idenë, që për të bërë edhe më shumë bujë, ata të mund t'i publikonin në një ditë albumet e reja, në mënyrë që me këtë rast të flitej më shumë për ta, dhe kjo të ndikojë direkt në shitjet e albumeve që tashmë janë në treg.

Disa site online e kanë cilësuar rastësi dhe të tjerë "të qëllimtë" faktin që Pirro Çako promovon albumin e tij dhe klipin "Ashensor" në të njëjtën ditë me ish-bashkëshorten e tij Inva Mula, nga martesa me të cilën ka dhe një djalë me emrin, Anthony. Kantautori i mirënjohur, Pirro Çako, publikon albumin e tij më të fundit "Ashensor", të shoqëruar me klipin me këtë titull, një fabul dashurie, ku Pirro flet për dashurinë e vërtetë që është duke jetuar. Nuk dihet ende sa doza të vërteta ka nga jeta e tij e momentit, ndërkohë që shtëpia diskografike "Supersonic" ka nxjerrë këtë album në të gjitha pikat e shitjes së CD-ve dhe të gjitha dyqanet virtuale.

Promovimin e albumit Pirro Çako e ka bërë në studion e emisionit "E diela Shqiptare", ku prezantoi dhe klipin. Nga ana tjetër, Inva Mula e martuar me Et'hem Ramadanin dhe me të cilin ka dhe një vajzë, ka promovuar albumin e saj "Për ty atdhe" si një dhuratë dedikuar 100- vjetorit. Pirro ka preferuar që të mos qëndrojë në Tiranë natën e koncertit madhështor "Rrugëtimi i kombit" të Inva Mulës në Pallatin e Kongreseve, ku kënduan emra të mëdhenj të muzikës lirike shqiptare. E veshur me ngjyrat kombëtare e motive popullore, sopranoja e madhe erdhi shumë natyrshëm për publikun e zgjedhur edhe në pozicionin e prezantueses. Në sallën e koncertit ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
(PanoramaPlus)

Komente 0