Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Roderika Ukelli: “Më Shumë Vëmendje Për Fëmijët”


Nuk ka akoma asnjë votë

[30-12-2013]
Ajo është vetëm 10 vjeçare dhe ka shtatë vite që është në skenën muzikore. Deri më tashti ka realizuar 12 këngë, të gjitha me videoklipe, dhe një album që e ka lasnuar në vitin 2011. Kjo është Roderika Ukelli, e cila është shumë e dashur për bashkëmoshatarët e saj, dhe jo vetëm për ta. Pos muzikës ajo njihet edhe për talentin e saj, pasi që, qysh në moshën tre vjeçare ka ditur shkrim lexim në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Ajo tash vijon mësimet në klasën e gjashtë, mirëpo, ajo është për dy vite më e vogël se sa bashkëmoshatarët e saj, pasi që, me vetëm pesë vjet ka përfunduar klasën e parë.
KultPlus: Jeni një ndër këngëtaret më të preferuara për bashkëmoshatarët tuaj, si ndiheni?
Roderika Ukelli: Këtë vit u bën mbi 7 vite që jam prezente në skenën muzikore. Fansat e mi janë ata, që më shtynë të vazhdoj të sjellë këngë dhe videoklipe te reja, por edhe albumin tim të parë,të cilin e promovova në vitin 2011 dhe i cili promovim u përcoll me një koncert të paparë më herët, pasi që më 1 nëntor 2011 Salla e Kuqe nuk i zuri mbi 1000 fansa, të cilët këndonin bashkë me mua të gjitha këngët e mia.

KultPlus: Të llaston gjithë kjo famë që tashmë veç e keni?
Roderika Ukelli: Edukata ime në familje është e tillë që të gjithë ata që më njohin e dinë se Roderika dhe llastimi nuk kanë asgjë të përbashkët. Unë jam vajzë ambicioze dhe gjithmonë e jap maksimumin tim si në mësime, ashtu edhe në skenën muzikore. I dua sfidat dhe gjithmonë përpiqem të jap maksimumin.
KultPlus: Por për të arritur gjithë këtë sukses, pa dyshim që privohesh nga lojërat e bashkëmoshatarëve të tu, kishe dashur të kishe kohën e tyre?
Roderika Ukelli: Unë pjesën më të madhe të ditës e kaloj në shkollë. Prej orës 8.00 – 15.30 jam në shkollë, ndërkaq pasdite kam kurse duke filluar nga solo këndimi, kursi i gjuhës gjermane, basketboll etj. Duhet ta theksoj se pa marrë parasysh se çka bëj dhe ku, unë gjithmonë përpiqem të gjej kënaqësi dhe të jap maksimumin tim.



KultPlus: Po në mësim, sa të pengon aktiviteti muzikor, duke pas parasysh se merrni pjesë edhe në shumë festivale si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës?
Roderika Ukelli: Për mua mësimi është prioritet. Vijoj mësimet në klasën e 6-të në një shkollë ndërkombëtare në Prishtinë dhe jam nxënëse e shkëlqyeshme në të gjitha lëndët. Është e vërtetë se po ashtu jam aktive në festivale jo vetëm në Kosovë, por edhe Shqipëri dhe Maqedoni. Përkrahja e fansave të mi është shumë e madhe edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, kur në festivalet e mbajtura atje u habita nga brohoritjet ë fëmijëve: Roderika, Roderika, Roderika.
KultPlus: Sa këngë keni realizuar deri më tashti?
Roderika Ukelli: Deri më tani kam 12 këngë dhe videoklipe, të cilat janë : Pasta, Bonton, Pitja e Roderikës , Ëndrra e Roderikës, Biçikleta, SUPERSTAR , This is Me, Liri *duet me Korab Shaqirin*, Viti i Roderikës , Eriku , Diferenca si dhe kënga e fundit Vajzat.

KultPlus: Cila këngë është më e suksesshmja, dhe cilën e keni më për zemër?
Roderika Ukelli: Të gjitha këngët janë bërë hite dhe pëlqehën nga fansat e mia, duke filluar nga kënga e para PASTA, kur isha vetëm 3 vjeçare e deri të kënga e fundit VAJZAT, përmes së cilës këngë jam përpjekur të sensibilizoj opinionin publike se vajzat kanë të drejta të barabarta me djemtë. Këngë me peshë ka qenë edhe kënga DIFERENCA, e cila ka sensibilizuar shumë opinionin publik në Kosovë,Shqipëri dhe Maqedoni për fëmijët autistë. Por për mua kënga më e dashur ka qenë dhe mbetet kënga, të cilën ia kam kushtuar vëllaut tim të vetëm dhe tepër të dashur ERIKU.



KultPlus: Në sa festivale keni marrë pjesë deri tashti dhe sa çmime keni marrë?
Roderika Ukelli: Kur isha vetëm 4 vjeçare mora pjesë në festivalin POLIFEST ku fitova 3 çmime me këngën Pitja e Roderikës. Në vitin 2010 mora vendin e dytë me këngën SUPERSTAR në festivalin YLBERI në Shkup. Pastaj në vitin 2012 mora pjesë edhe përsëri në festivalin Ylberi në Shkup, ku edhe fitova vendin e parë me këngën ERIKU. Në po të njëjtin vit fitova çmimin Produksioni më i mirë në Tiranë, në Festivalin për Videoklipin më të mirë TINGULLI IM në Tiranë. Këtë vit mora pjesë sërish në TINGULLI IM, Tiranë, dhe fitova dy çmime të mëdha: Çmimin e Publikut me rreth 3800 vota nga publiku nga Shqipëria dhe Kosova, dhe çmimin Mesazhi më i mire me këngën DIFERENCA, këngë kushtuar fëmijëve autistë.

KultPlus: A planifikoni të bëni ndonjë album së shpejti?
Roderika Ukelli: Në vitin 2011 kam publikuar albumin tim të parë “SUPERSTAR” , me që rast organizova edhe koncertin tim të parë. Po planifikoj që gjatë vitit 2014, t`a përgatis edhe një album si dhe një koncert të madh dhe madhështor.

KultPlus: Çka jeni duke punuar së fundi?
Roderika Ukelli: Muaji dhjetor është muaj i programeve për Vitin e Ri, andaj jam e angazhuar në këtë drejtim. Po ashtu jam duke planifikuar të marrë pjesë në një festival në Lituani. Detajet do t`i bëj publike së shpejti. Dua që përveç Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë të zgjeroj audiencën time edhe më gjerë.



KultPlus: A do të jeni pjesë e programeve televizive për Vitin e Ri?
Roderika Ukelli: Unë jam e ftuar tanimë në të gjitha televizionet nacionale kosovare dhe me shumë kënaqësi do të marrë pjesë në programet festive, të cilat shpresoj se do të pëlqehen nga fansat e mi.
KultPlus: Keni ndonjë dëshirë më specifike që do të doje të plotësohej më shpejt?
Roderika Ukelli: Unë nuk kam ndonjë dëshirë timen personale, por kam një dëshirë, që lidhet me fëmijët me aftësi të kufizuara, e të cilët nuk po trajtohen fare nga shoqëria dhe institucionet. Duhen shkolla për fëmijët autistë, me sindromën Down si dhe me shumë probleme të tjera. Andaj, shfrytëzoj rastin që përmes medias tuaj t`i bëj ftesë Ministrisë së Arsimit dhe të bëj atë çka e parasheh edhe Kushtetuta e Kosovës. Të gjithë duhet të kenë mundësi të arsimohen, pa marrë parasysh se çfarë problem kanë.

KultPlus: A mendoni se i kushtohet vëmendje e bollshme fëmijëve në Kosovë?
Roderika Ukelli: Fëmijëve në Kosovë nuk u kushtohet vëmendje e duhur. E sidomos fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rreth kësaj teme kam bërë këngën me titullin DIFERENCA, e cila u kushtohet fëmijëve me autizëm, e të cilëve nuk u kushtohet vëmendje e mjaftueshme. Siç thotë dhe refreni : BOTËS DIFERENCA I JEP BUKURI që do të thotë se pa marrë parasysh a jeni me autizëm, sindromën ‘ down ‘ apo diçka tjetër ju jeni fëmijë me të drejta të barabarta.
KultPlus: Si do të dëshiroje të ishte jeta e bashkëmoshatarëve të tu?
Roderika Ukelli: Bashkëmoshatarët e mi në Kosovë si dhe në tërë botën, do të dëshiroja të jetojnë të lumtur, t`a duan njëri tjetrin, të kemi sa më shumë harmoni dhe mirëkuptim. Të mësojmë sa më shumë, sepse jemi shtet i ri dhe duhet të japim kontributin tone maksimal, secili prej nesh. Pse jo,edhe pse jemi fëmijë mund të kontribuojmë edhe me punë vullnetare dhe të ndihmojmë njerëzit në nevojë, pa marrë parasysh moshën e tyre.

KultPlus: Flasim pak për bashkë familjarët e tu, keni vëllezër edhe motra, dhe cili prej jush jeni më i llastuar?
Roderika Ukelli: Unë kam një vëlla i cili quhet Erik dhe të cilin e adhuroj. Ne duhemi së tepërmi dhe mezi pres të kthehem prej shkollës dhe ta përqafoj fort! Ai më jep energji dhe e dua më së shumti në botë!
KultPlus: Ju i kushtoni një vëmendje të madhe edhe dukjes suaj, kush përkujdeset për garderobën tuaj në skenë?
Roderika Ukelli: Për garderobën time në skenë përkujdesem unë, bashkë me nënën time dhe tezen time Lindën.
 (KultPlus)



Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet
Duke u ngarkuar... Prisni ju lutem
Shiko të gjitha komentet