>
BIOSHQIP

Roderika Ukelli Shkëlqen Në Koncertin E çlirimit

11-06-2012
Për nder të 13 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, të hënën u mbajtën një varg aktivitetesh në nderim të kësaj date të shënuar në historinë tonë më të re. Në orët e mbrëmjes, në sheshin "Nëna Terezë", Qendra kulturore e këtij qyteti organizoi një koncert të pasur për fëmijë. Në këtë koncert morën pjesë shumë këngëtarë të vegjël, grupe vallëzimi si dhe shkolla e kitarës "Vihuela", të cilët interpretuan pika të ndryshme muzikore me kitarë. E para që këndoi në koncertin e çlirimit ishte këngëtarja e mirënjohur Roderika Ukelli, e cila e interpretoi këngën më të re "Eriku", me të cilën ka marrë dy çmime. Roderika sapo u ngjit në skenë e ngjalli atmosferën, duke treguar edhe njëherë talentin e saj. Mori shumë duartrokitje dhe kënga e saj bëri që të vallëzojnë të gjithë. E Roderika si gjithnjë në mënyrë të përkryer interpretoi këtë këngë të dashur për fëmijë. Po ashtu edhe shumë fëmijë të tjerë kënduan në këtë koncert të çlirimit, e më të gëzuarit ishin ata që kishin ardhur të shohin këngëtarët e tyre të preferuar. Monark Ismajli u shpreh shumë i lumtur që pa nga afër Roderikën, dhe tha se ky koncert është shumë i mirë, sepse i bën bashkë të gjithë fëmijët. Kurse Arlinda Gashi tha se është duke u kënaqur në këtë koncert, sepse është bërë për fëmijët dhe për këtë arsye i duket një koncert shumë i qëlluar në një datë të shënuar.

B. ZYBERI
(parajsa)

Roderika Ukelli Shkëlqen Në Koncertin E çlirimit