TEKSTESHQIP

Semi Jaupaj: Fanse E Bojkenit Që 5 Vjeçe

14-12-2012
Semi Jaupaj: Fanse E Bojkenit Që 5 Vjeçe
Semi Jaupaj është një ndër këngëtaret e reja të talentuara, e cila në pak kohë ia ka dalë të krijojë një identitet të vetin në skenë dhe në muzikën moderne shqiptare. Vajza e talentuar është lidere e grupit "Grifshat: e tashmë ajo njihet nga të gjithë edhe si e dashura e kantautorit dhe regjisorit Bojken Lako. Në këtë intervistë ajo tregon më shumë për veten, muzikën dhe ndjenjën e veçantë për Bojkenin, një lidhje e fortë që nisi nga muzika dhe përfundoi në dashuri.

Semi, shumë e re po një nga këngëtaret me stil më unik në skenë. Si ia ke dalë të krijosh identitetin tënd në kaq pak kohë?

Shumë faleminderit për fjalët e bukura. Nuk e di nëse e mendojnë dhe shumë të tjerë këtë, por nëse e mendojnë vërtet jam e lumtur. Nuk e kam bërë enkas, por më vjen mirë. Jam munduar të eksperimentoj me këngët dhe veshjet e mia, por tek stili adoleshent. Akoma s'kam futur takat rëndomtë dhe veshjet seksi (qesh).

Më shpesh ke marrë pjesë nëpër festivale sesa ke lançuar klipe. Mendon se festivalet në Shqipëri të promovojnë mjaftueshëm?

Faktikisht e kisha ndërmend; doja të bëja dy rrotullime në secilin festival. Më janë bërë nga dy pjesëmarrje në secilin festival. Për klipe duhen ca më shumë lekë, por një klip është në planet e mia shumë shpejt. Thjesht po pres të bëj këngën e duhur dhe historinë e duhur, por meqë Bojkeni është pak i zënë më duhet të pres dhe fare pak. S'mund të bëj dot gjë pa të.

Në Shqipëri po edhe jashtë shpesh kemi parë se klipet hot apo femrat që tregojnë sensualitetin ecin më shpejt dhe shesin më shumë. Motoja juaj cila është në këtë treg komercial?

Realisht jam pak dakord, por kjo nuk ndodh dhe aq rëndomtë. Edhe nëse nuk je seksi ama ke diçka të veçantë që të ndan nga turma. Për mua kjo është diçka dhe këtë e kam vënë re edhe në botë sot. P.sh "Gossip" është një grup që unë e kam shumë qejf. Këngëtarja është super e shëndoshë dhe vesh "body' në çdo koncert; ajo nuk futet tek femrat seksi normale, por tek tipat e çmendur, ekstravagantë dhe të veçantë. E njëjta gjë ndodh dhe me Lady Gaga-n. Nuk është e bukur. Ajo e di këtë gjë dhe që të bëhet interesante e shëmton akoma më shumë veten dhe njerëzit vdesin për të, por as veshjeve seksi nuk u ikën moda kurrë. Unë thjesht jam kundër shprehjes që ajo s'ka zë ndaj dhe zhvishet se s'ka ç'të tregojë tjetër. Tani iku ajo kohë, njerëzit s'janë budallenj.

Kur e nise këtë rrugë, a kishe një imazh të cilit do të doje t'i ngjaje?

Në fakt në kokën time janë një miks njerëzish. Njerëz të guximshëm. Dy prej tyre i përmenda, pastaj është Beyonce si simbol seksi, Jessie J, Madona e shumë të tjerë.

Grifshat që këndojnë rrok modern… sa shpesh ndihesh si një grifshë e vërtetë?

Kur këndoj ndihem gjithmonë. Pa atë grintën nuk do të kishte kuptim as emri (qesh).

Cilët janë adhuruesit më të mëdhenj të muzikës suaj?

Ata që jetojnë jashtë shtetit. Adoleshentët shumë dhe një infermiere që më rastisi një ditë në spital m'u hodh në qafë gjithë gëzim… Edhe pse sëmurë sikur më qeshi pak buza (qesh).

A njihet në vendin tonë mjaftueshëm ky stil muzikor?

Në Shqipëri njihen të gjitha stilet e muzikës. Thjesht njerëzit s'janë të dhënë shumë pas kësaj muzike dhe nuk u vë faj. Duhet të dëgjojnë më shumë MTV (qesh). Megjithatë po ndryshojnë.

Një ditë a do të ndryshonit karakterin tuaj muzikor, vetëm për të qenë më e popullarizuar apo më komerciale të themi?

Unë do bëj këngë komerciale dhe RNB, por sepse mua më pëlqejnë jo që të shkoj unë pas njerëzve që me patjetër t'ju pëlqej. Është një thënie që e kam dëgjuar; nëse të pëlqen këngëtari dhe një këngë që ai bën, njerëzit vijnë pas teje dhe sikur hiçgjë të mos kesh bërë. Pastaj media luan një rol të rëndësishëm. Nëse ti dëgjon këngën X gjithë ditën në "Supersonic" apo çdolloj stacioni tjetër, edhe sikur ajo këngë mos të hyjë në shijet e tua apo preferencat e tua muzikore, ti e mëson përmendësh dhe e kap veten duke e kënduar nëpër shtëpi, jashtë në rrugë, kudo dhe ja ku u bë e njohur dhe të futet në gjak si padashur (qesh).

Semi, tashmë lodhja juaj me Bojkenin është zyrtarizuar. Si ndiheni në krah të tij?

Shumë e lumtur. Jam vërtet shumë e lumtur.

Si shumë të rinj që adhurojnë rrokun, a ke qenë edhe fanse e muzikës së Bojkenit?

Kam qenë fanse e tij që 5 vjeçe. Kur dëgjoja të flisnin keq për të më kapte e qara. Kam qenë gjithmonë e më shumë e dashuruar pas muzikës që bënte. Tani jam e dashuruar dhe pas tij (qesh).

Shpesh ai ka thënë se është një këshillues për ty sidomos në art. A ju ndodh të ziheni për shkak të ideve të kundërta?

Të zihemi jo; të debatojmë po. Ai është njeriu që më ndihmon më së shumti në lidhje me muzikën, por kemi pak a shumë të njëjtat mendime prandaj dhe jemi bashkë.

Çfarë e bën sa të fortë por edhe të veçantë dashurinë tuaj?

Uau, pyetje e bukur kjo. S'më kishte shkuar ndërmend. Ne rrimë shumë bashkë, pothuajse gjithë ditën dhe mbase kjo është një gjë. E mirë thua? (qesh).

A është më e bukur një lidhje kur të dy janë në të njëjtin profesion dhe stil muzike siç jeni ju të dy?

Absolutisht që është shumë më mirë kur janë në një fushë. Kur janë të dy artistë, pa detajime muzikantë apo aktorë apo ku di unë. Mjafton që të kenë të njëjtat ndjesi për artin dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Sa i rëndësishëm është Bojkeni për ty si partner?

Është shumë i rëndësishëm. Nuk besoj se do shumë fjalë.

Ziheni shpesh?

Jo. Për të mos thënë kurrë. Plotësojmë çdo të kundërt që ka tjetri.

A bëhesh shpesh "grifshë" me Bojkenin?

Bëhem ca dhe llastohem shumë, por Bojkeni është shumë i qetë dhe kjo më kujton sa gabim po bëj, ndaj nuk arrijmë asnjëherë të zihemi përveç gjërave koti (qesh).

Pushimet ku do i kaloni këtë fundvit?

S'e di. Është herët për plane, por më ka premtuar një udhëtim jashtë shtetit. Se di ku ende, por është surprizë vetëm për mua. Të shohim sa kohë do të ketë dhe sa do e mbajë premtimin (qesh).

Sa e plotë ndihesh në këto momente?

Shumë e plotë. Shumë e lumtur. A mund të kërkojë më shumë një femër?!

Gjëja që urren më shumë tek njerëzit, cila është?

Të më gënjejnë. E urrej faktin që e marrin mundimin pavarësisht a do e besosh apo jo gënjeshtrën. Thjesht është e habitshme që u dukesh pak e zgjuar, përderisa marrin mundimin të gënjejnë.

Je ndjerë ndonjëherë e tradhtuar, profesionalisht apo në miqësi?

E tradhtuar jo. Kurrë. E zhgënjyer po, edhe ndodh. Madje shyqyr se ndryshe do quhesha vajzë mami (qesh).

Çfarë nuk do të falje kurrë në dashuri?

Tradhtinë, por s'dua ta mendoj. Kjo pyetje s'duhet të ishte (qesh).
(Jonida Hitoveizi Gazeta mapo)

Komente 0