TEKSTESHQIP
Biografia
Pa i mbushur të njëzetat ka dalë për herë të parë para publikut, i cili, në Jugosllavinë e dikurshme e mirëpriste muzikën rok shumë më shumë sesa që e mirëpret publiku në ditët e sotme. Muzika rok kishte filluar të lulëzonte, ndërkaq, një djalosh nga Prishtina në bashkëpunim me moshatarët e tij po fillonin kultivimin e muzikës rok. Pak a shumë, kështu nis karriera e Shemsi Krasniqit para më shumë se tridhjetë viteve, i cili pas një kohe do të bëhet vokalisti i grupit muzikor "Ilirët". Dhe, sot, më shumë se tre dekada pasi ka kënduar për herë të parë, ai vazhdon të "qëndrojë në këmbë", me pretendimin se i tillë do të jetë deri në frymëmarrjen e fundit.

Ka nisur të këndojë për herë të parë në vitin 1978 dhe ka bërë hapat e parë me kitaristin, Menan Kiseri, me grupin që atëherë quhej Mehida. Ky ishte grupi i tij i parë dhe paraqitja e zyrtare ka qenë tek "Rinia këndon", festivali që organizohej nga Reshat Randobrava. Aty Mehida dhe Shemsi Krasniqi dolën për herë të parë para publikut.

Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar kosovarët kishin jetuar me muzikën e Shemsi Krasniqit i njohur si Shemi. Ishin me dhjetëra këngë të grupit "Ilirët" që sikur u shuan kur përfundoi lufta në Kosovë – rokeri kishte vendosur t’i thotë "tung" muzikës. Por, i bindur se ka gabuar ai është rikthyer pas njëmbëdhjetë viteve. E tash, së bashku me krijimin e këngëve të reja, ai është duke i përpunuar të vjetrat.

Përveç një teksti të një kënge nga Ilirët, të gjitha tekstet e tjera i ka shkruar vetë Shemi. Gjendja e rëndë nëpër të cilën po kalonin shqiptarët e Kosovës e kanë inspiruar që t’i shkruaj tekstet e ndryshme, të cilat më pas t’i bëjë këngë. Siç tregon Krasniqi, i ati i tij kishte qenë njëri nga të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit ku u grumbulluan shqiptarët nga pushteti serb u dëbuan në qytetin malazez, dhe më pas u ekzekutuan.

Disa këngë të realizuara pak kohë para luftës në Kosovë, të transmetuara tek qytetarët nëpërmjet kasetave me shirit magnetik, dhe nëpërmjet video-kasetave që gjatë viteve të nëntëdhjeta bëheshin për çdo Vit të Ri, përbëjnë krijimtarinë muzikore të këngëtarit, me të cilët, në një farë forme ai i kishte dhënë fund karrierës së tij.

Ishin duetet me këngëtaren Ganimete Abazi, një duet me këngëtaren Mihrije Braha, dhe disa këngë të realizuara të cilat mbetën si dhurata e fundit për kosovarët nga grupi që shumë breza ishin rritur me të. Ndërkaq, mundësia e vetme për t’i dëgjuar ato këngë ishte në kanalin YouTube, në të cilin deri së voni "Ilirët" dhe Krasniqi nuk kanë pasur fare kanal personal.

Për vokalistin e grupit "Ilirët" nuk dihej asgjë, ndërkaq, vetë ai kishte refuzuar çdo mundësi që të dalë në opinion, të këndojë apo të jap intervista.

"Pas rikthimit tim pas 11 vjetëve, rinia mi njihte këngët por mua si personalitet nuk më njihte. Dhe thash është mirë kësaj rinie t’ia bëjmë ato këngët e vjetra, t’i përpunojmë pak. I kemi përpunuar disa këngë, me Mihrien (Braha) i kam kënduar, kanë dalë bukur, kemi fituar popullaritet mjaftë", thotë ai.

Por, cila ishte arsyeja që njëri nga grupet më të mira të muzikës rok, që i kishte mbijetuar kohërave shumë të vështira, të vendoste që mos të këndojë më.

"Ka qenë ajo koha kur përfundojë lufta. Shumë ma shtrojnë këtë pyetje, e as vet s’di të përgjigjem. Kam menduar se misioni im ka përfunduar. Unë tërë jetën kam kënduar për çështjen kombëtare edhe kam menduar se misioni im ka përfunduar me përfundimin e luftës. Por, për rikthimin tim ka luajtur rol edhe shëndeti im. E kam pasur një atak në zemër, edhe ata më kanë preferuar t’i kthehem muzikës, sepse, muzika kinse qenka ushqim, apo relaksim, është mirë të merresh me muzikë, e qetëson zemrën. E kam marrë si hajgare, por ka dalë kështu, prej se jam rikthyer e ndjejë shumë mirë vetën", tregon babai i dy djemve, Ponisin shtatëmbëdhjetë vjeçar dhe Uliksin tetëvjeçar.

Ai madje është i bindur se tashmë është turp nëse e lë muzikën pas gjithë krijimtarisë që ka pasur. "Natyrisht që jam penduar për pauzën. Bile mendoja ta kisha nxjerrë nga një këngë për çdo vit, kjo më kishte mbajtur. Por mua për njëmbëdhjetë vjet më ka mbajtur kënga ‘xhamadani’. Po mos të ishte ajo këngë unë s’do të isha askund", thotë ai.