TEKSTESHQIP

Soni Zgjedh Alfred Sulën Dhe Saad Ramadan Për Hitet E Ardhshme

29-6-2014
Soni Zgjedh Alfred Sulën Dhe Saad Ramadan Për Hitet E Ardhshme
Pasi u shpall fituese e "Top Fest 11″ me baladën e saj "Me të jeton", Soni Malaj po i rikthehet komercialitetit në muzikë, pasi po përgatitet për publikimin e një kënge të re këtë verë.
Vetë Soni ka postuar në profilin e saj në "Facebook" një foto me autorin e hiteve tallava, ku shkruan: "me kompozitorin Alfred Sula, new hits coming soon…". Alfred Sula ka punuar një këngë për Sonin me refren të kënduar nga Saad Ramadan në arabisht.
Sula, i cili është mjaft i njohur në rrethin e artistëve për krijimin e hiteve, si: "Të ka lali shpirt", apo mjaft këngëve të Sinan Hoxhës, tashmë po e zgjeron rrethin e tij me artistë që duan të sigurojnë një hit për verën. Le të shohim se si do të shfaqet Soni në këtë bashkëpunim të ri, që pritet të jetë i nxehtë.

Ajo gjithashtu ka paralajmeruar bashkëpunim me këngëtarin libanez Saad Ramadan dhe ka postuar një foto në Facebook duke treguar se videoklipi po xhirohet nga Max Productons.
Këngëtarja fitoi këtë edicion të "Top Fest", duke u bërë për herë të parë poseduese e një çmimi të parë në karrierën e saj 18-vjeçare si këngëtare. Ajo tashmë jeton mes Tiranës dhe Romës, pasi këtu vazhdon karrierën muzikore, ndërsa në kryeqytetin italian ka familjen e saj, që përbëhet nga bashkëshorti balerin, Mirko dhe vajzën e tyre, Ana.
Disa ditë para finales së festivalit në "Top Channel" (kupa e të cilit kishte vlerën 10 milionë lekë), Soni punoi intensivisht për xhirimet e klipit të baladës "Me të jeton".

Këngëtarja realizoi dhe një set fotografish gjatë xhirimeve, ku reklamoi dhe një herë linjat e saj të tonifikuara nga ushtrimi intensiv në palestër.
Në një intervistë për "Pasdite në Top Channel", Soni theksoi se u lumturua shumë nga triumfi në festivalin e muzikës moderne shqiptare, por në të njëjtën kohë u lëndua nga kritikat që erdhën nga kolegët e saj.
Këngëtarja e famshme tha: "Ishte momenti i duhur dhe ishte kënga e duhur. Më ka lumturuar shumë mbështetja e publikut, por jam mërzitur nga kontestimet e disa kolegëve, të cilët kanë kritikuar me shkrime të ndryshme nëpër gazeta.
Jam e ndjeshme dhe më kanë lënduar komentet e kolegëve të afërt. Kam qenë afër çmimit të parë edhe me këngë të tjera, por ky ishte momenti i duhur. Hoqa një ngarkesë super të madhe. Më në fund, ia dola!".
Soni deklaroi se janë prindërit ata që nuk e lënë të "fluturojë" dhe të ketë sjellje prej dive: "Kam dy prindër që nuk më tolerojnë tekat, më mbajnë me këmbë në tokë dhe më vënë në dukje se ana njerëzore është më e rëndësishmja."
Këngëtarja theksoi se është shumë e kujdesshme në zgjedhjet e veshjeve pasi sipas saj, nuk ka më moshë për të gabuar: "Zgjedhjet mbi veshjet i bëj në bashkëpunim, marr këshilla nga stafi pasi nuk mund të gaboj më."
Në lidhje me jetën e saj private, Soni tha se dy personazhe publikë nuk mund të kenë kurrë një jetë si gjithë të tjerët: "Një çift i showbiz-it nuk mund të ketë një jetë normale. E mbështesim dhe e mirëkuptojmë punën e njëri-tjetrit.

Kemi shumë respekt për njëri-tjetrin dhe kjo është e rëndësishme. Kur janë dy njerëz publikë, ka xhelozira të vogla pasi secili kërkon të ketë vëmendjen që ka partneri."
(Panorama Plus/Teksteshqip)

Komente 0