TEKSTESHQIP
Biografia
Tyran Prizren Spahiu, lindi në Prizren. Arsimin fillor dhe të mesëm kam ndjekur në shkollën fillore Mustafa Bakiu, gjegjësisht arsimin e mesëm në gjimnazin e Prizrenit. Edukatën universitare në Universitetin e Prishtinës – drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Angleze.
Megjithatë, ky " zë " i imi në vargje poetike është një dëshirë shumë e madhe ndërsa mendimin përfundimtar do jepni JU!
Ndjenja për të gjetur temën që ngacmon, bezdis, emocionon, dhunon, përqafon, dhe për të përshkruar atë është kënaqësi që më josh dhe sfidon...
Duke qene emocionalisht jashtezakonisht i lidhur me qytetin e Lidhjes, Rrapi i Marashit - autori jeton dhe do vazhdojë të jetoj në Prizren.
Nuk ka rëndësi se ku shkon Tyrani, ju do të dëgjoni ehon
"Ai ishte këtu".
Krijimtaria letrare:
1.Vargje poetike I -1999+
2.Vargje poetike II - Jeta është dhunti
3.Vargje poetike III - Mbaje ëndrrat gjallë
4.Vargje poetike IV - Poezia buron nga zëri i brendshëm
5.Vargje poetike V - Pesë shtylla
6.Vargje poetike VI - Kalldrëmi
7.Vargje poetike VII - Jetëshkrimi burimor
8.Vargje poetike VIII -Kështjella e poezisë
9.Vargje poetike IX - Ikonë
10.Vargje poetike X - Bohemi
11. Vargje poetike XI - Lidhja
12. Vargje poetike XII - E-dita
13. Vargje poezike XIII –Shkronjëtari-
14.* Vargje poetike XIV - Kalorësi
15, * Vargje poetike XV *Shqipnjë
16.* Vargje poetike në gjuhën Angleze - The Bohemian
Romane
17.*Roman: Prapa kurrë më! Vëllimi I
18.*Roman: Prapa kurrë më! Vëllimi II
19.*Roman: Mort
20,* Roman: Siluetë
21,*Roman : Vërtet ndodhi!
22.*Roman Ateisti

Gjuhë
22.*Learn Your Dream Language/

TYRAN PRIZREN SPAHIU - POETI BOHEM QË BASHKËJETON ME VUAJTJET E KOMBIT DHE TË NJERËZIMIT

(Zekerija Idrizi: fragment nga dorëshkrimi im "Përsiatje letrare dhe teologjike")

Ka kohë e kohë që lexoj e stërlexoj perlat letrare poetike dhe prozaike të mikut tim të çmuar, shkrimtarit, Tyran Prizren Spahiu. Dorën në zemër, veçanërisht i shijoj mirë e mirë margaritarët e tij letrarë poetikë. Kjo për arsye se ai depërton me penën dhe muzën e tij fascinante në të gjitha skutat dhe sferat më të ndjeshme të shoqërisë, respektivisht, në pikat më nevralgjike të popullit, dhe din të bashkëndjej e bashkëvuaj me kategoritë më të ndjeshme të saj: me të mjerët, me të pastrehët, me varfënjakët, me bonjakët, me të mërguarit, me bohemët etj. Pikërisht këtu, në këtë rrafsh, del qartazi në spikamë shenjtëria e vargjeve të tij sublime, që i dedikohen popullit shqiptar dhe njerëzimit mbarë ndërkombëtarisht. Thjeshtë, të gjitha tekstet e vargjeve të tij ngërthejnë mesazhe sa domethënëse e filozofike, aq edhe hyjnore, humane e me vlera gjithënjerëzore. Zatën poeti është "i ndëshkuar" në saje të vokacionit të tij krijues botën ta transformojë pozitivisht, gjitha plasaritjet në rrethin dhe mjedisin e tij t'i arnojë e t'i riparojë, që ta ndërtojë një botë më të mirë e më fatlume të ardhmen, kjo për arsye se muza e poetit ka rrënjët në hapësirat kosmike, tejqiellore... Dhe pikërisht këtij synimi sublim i qaset edhe poeti ynë z. Spahiu në tërë krijimtarinë e tij letrare.
Këtë më së miri ai e vë në pah te poezia e tij "unë dhe poeti" teksa thotë:

"Pasioni i zjarrtë i poetit
lexuesin ushqen me nektar,
pije që deh, natyrën pasuron
ai, shkruan poezi të përjetshme.

Politikan nuk është, edhe më pakë lypësar
zotëri është
ofron bujari, fisnikëri, burrëri...

Piramidë, fortesë, kushtrim, dashuri, epsh, ekstazë
poeti është,
i kombit, letërisë, etikës, bashkimit
flamur, pendë e përjetësisë.

Pikturon jetën e juaj
për atdheun dashurinë zgjon,
jeton, bashkëjeton me vuajtjet e juaja
dritëzohet gëzimi kur ju sheh të lumtur
po, është ai, i juaji poeti!"

Madje, për më tepër, në pothuaj çdo varg të tijin vjershëror, në çdo vepër të tij letrare, ai himnizon lartë, në piedestal, pozitën e gjuhës shqipe, të kombit dhe atdheut shqiptar. Si, fjala bie, te poezia e tij:

"BOHEMI Shqiptar"

...gdhendur në skulpturën e kohës
poetët
lartësojnë të Bekuarën Gjuhë Arbënore
në vend këtë të shenjtëruar
Krenar qendron në mauzoleun e përjetësisë!

Të lutem, hedh shikjimin
në sofër ulur është bohemi
prirë nga shkronjë-dashësit
kurorëzuar nga oborri mbretëror shqipfolës
kujton në qetësi
vargjet e shkruara në SHQIPONJË..."

Shpirtin patriotik, human dhe altruist-gjithënjerëzor, z. Spahiu e trashëgon nga familja dhe rrethi ku ka lindur, është rritur dhe edukuar, sikundër ai vet e pohon te poezia e tij "Jetë e djaloshit": "...fat, lindur jam në qytetin e Lidhjes//frymëmarrë në Shadervanin e Zotnive//vend i edukatës, lashtësisë, frymëzimit//ke dyqani i babait, këpucar// rritur jam në pastërtinë e Prizrenit
afër// ëmbëltorja pikante e sheshit//
kohën e fëmijërisë aty kam shijuar/shoqëruar me thjeshtësi, miqësi, dëlirësi
më kujtohen//dyqanet e shumtë, briskaxhitë, ortarët//këmbanat, ezani//dëgjonim respekt fjalët// punë të mbarë or shoq// esnafët me dorën në krahëror uronin// të mbarin mëngjes".
Duke qenë me një pedigré solide familjare, i brumosur me një edukatë e arsimim të shëndosh patriotik qysh në lindje në familjen e tij dinjitoze dhe në qytetin historik shqiptar, në Prizren, z. Tyran Spahiu në shumë vargje të tij kërkon zëshëm që paqja e mirëqenia nga atdheu i tij të dominojë në mbarë botën, te të gjitha nacionet, kulturat e qytetërimet. Në këtë kontekst ai edhe e thotë mjaftë qartë në poezinë e tij "Pa kufi":

PA KUFI

Lindur jam nga një nënë
bardhë, aziatik, afrikan
në botën e njerëzve dua te hyj,
ndasi ku nuk ka, as urrejtje
i thjeshtë jam, si ti, si ju
gjaku u kuq rrjedh ne damarët e mij,
ndaj ndjenjat e dashurisë, të bukurës
njësoj si ti, ju, miqtë e botës...

Dëshiroj kënaqesi shpirtërore te gjej,
te shoh se jeni të lumtur,
qetësinë përallore te përqafoj,
keni bukë për të ngrënë
për të pirë ujë,
unë, jam i lumtur shumë
kur shkronjatë e mia hedhin vargjet e dashurisë...

Pendë kjo, thërret në mirësi,
vajton për paqen në botë,
ditë atë, kur troket harmonia,
buzëqeshja e fëmijëve sundon,
tupanat e luftës fund marrin,
unë,edhe në i mbyllësha sytë,
ju shihni lotët si pikojnë,
kohë atë zbritur ka paqa,
në tonin, ruzullin tokësor...

Një imazh impresiv, hermeneutikë metaforash të bukura me fuqi shprehëse, e sajuar nga refleksione të shumta poetike, ka qenë familja ndër shekuj, veçanërisht, me epërsi të veçantë, ka qenë gruaja si bashkëshorte dhe si nënë në familje. Së këndejmi, ajo çka mua personalisht më ka bërë përshtypjen më të thellë është fakti që familja - si strumbullari, bërthama e qeliza fundamentale e shoqërisë, shtetit dhe kombit, për poetin Spahiu është e frymëzimi i tij më sublim e më i shenjtë në jetë. Për më tepër, ai këtë e shpërfaq qartazi te poezia e tij "Frymëzim" teksa i drejtohet bashkudhëtares e bashkëluftëtares së jetës-gruajës, të cilën ai e cilëson ZONJË, që përfaqëson gurrën e pashtershme të inspirimit të tij, madje-madje edhe si pararojë e vet jetës së tij. Dorën në zemër, këtë poezi aq shumë e kam lexuar sa tashmë e kam mësuar përmendësh:

"I shoqërisë snob nuk jam
as bohem i zbritur nga parajsa,
koha kurrë nuk mjafton
bashkërisht të lundërojmë, kënaqësitë e botës të shijojmë,
nuk dua të të quaj bashkëshorte
mistrece, oxhaku që ngrohë shtëpinë,
je më shumë, je jeta ime që gjallëron
në mua je, aty frymon,
imja piktore, ti, gjallëron vet natyrën
zbrite në krahërorin tim,
heshtur, aromën e bukurës nektar solle,
Zonjë
nënë e fëmijëve të mi
çastet më magjepsëse ti më ofron,
ëndrrat e çiltëra më jetëson
dua
me epsh të rrallë të të arrestoj me dashuri,
dorën, zemrën time ka kohë ke burgosur
dorëzuar jam,
I thure shpresë egos time të etur
më mësove ç'domethënë jeta vet.
Inspirim je, që pasuron qenien time
e lehtë posi puhiza
rrëmbeve rininë time të rebelosur
ujërave të qeta drejtove anijen e ardhmërisë"

Kam dhe shumëçka tjetër për të thënë e shkruar rreth opusit mjaft të begatë e shumëdimensional letrar të z. Spahiu, por këtë herë do mjaftohem me kaq, për ta zgjeruar ca më thellë ditët në vijim, meqë kjo përsiatje imja dedikuar krijimtarisë së tij do zë vend meritor në dorëshkrimin tim aktual "Përsiatje kulturo-letrare e teologjike". Po, ky shkrimtar do zë vend të veçantë në librin tim të radhës, meqë ai është një krijues zëarbëror dhe zëhyjnor, respektivisht, është pikërisht ashtu sikundër përshkruhet në poezinë e tij "Atistokrat i qytetit": UNIKAL, NDER I KOMBIT, VET PARAROJA E TIJ:

"Ti, që kërkon drejtësi
shkruan vargje e poezi
ti, që ëndrrat i përjetëson
mbjell farën e lirisë
dashuri në letër sërish kërkon

Ti, që endesh bulevardeve
veshur si në mesjetë
kokën kurrë nuk e ul
stuhisë së zyreve i bën ballë

Ti, që krenarinë nuk e mposht
Ti, që del nga libraria me libër të blerë
ledhaton shkronjat e bukur
vazhdon me filxhanin gjysmë të zbrazët
gllënjkën e fundit shijon si nektarin e natyrës
ndez cigaren, shtëllungjet sulmojnë
kolli të mundon, ngritesh ballëlartë
ti, që nuk dorëzohesh zyrave vendosëse
anashkalon qeveritarët
partive nuk u vardisesh
ti, që u përkulesh Dëshmorëve
shpirti të kjan për të Pagjeturit
ti, qe prore rri me nevojtarët
bashkëbisedon me të pastrehët
ti, poet
nder i kombit je, pararoja vet
mohikani i fundit, ti, Bohem i Qytetit Shqiptar..."

(POSHTËSHËNIM)

*** Për mendimin dhe shijen time letrare janë dy poezitë e tij perla, margaritarë të rrallë letrarë, që për nga vlera dhe mesazhet domethënëse do t'i rezistojnë kohës: "SHQIPNJË" dhe "PERËNDESHË E LETËRSISË". Për më tepër, këto dy poezi, për mendim timin, janë credo moralo-etike e kombëtare për çdo shqiptar të mirëfilltë:

SHQIPNJË

...je, burrë dheu i rrënjëve denbabaden
dhe JU, e bekuara burrneshë
SHENJTI BEKIM është, Ne, Shqiptarë jemi lindur,
gjenezën të kujtojmë
zakonet të mos harrojmë
fjalën e dhënë të respektojmë
mirësinë të kultivojmë,
tashmë
koha e Kanunit ka kaluar
histori janë ngujimet
i shtrenjti gjak nuk do derdhet
mesjetës hasmërit i takojnë,
hapësira kohë punon
kërkon bashkimin e kombit,
jetësuar është ëndrra
ndodhi poezia epike
një komb, flamur, hymn
Shqipnjë
don t'i rrëfehet lavdisë shekullore
popullit
dëshmorëve,
sonte, që sonte
ke Lidhja do ulem
pres puhizën e mesnatës
me nota të kitarës vargje këto do recitoj
freskia do bartë shkronjat
ke varret pa fillim dhe mbarim
në altar ku prehen shpirtërat e pavarësisë,
do njoftoj Qëndresën, Vlorën, Durimin, Prekazin
lajmëtarin Engjëll do lus
porosinë të dërgoj
Mbretit të Epirit, Jasharëve
pasardhësve Shqipnjë
qetë flini, Guri Është në Vend të Vet
Pllaka Graniti fort qëndron
në një anë pushka
gjaku matanë
majtas trojet
Shqipnjë djathtas
katër kulla janë këto
Beden i Largëpamësisë Shqiptar,
nën zjarri do digjej
flaktë do kujtojnë
rrëfimin e dhembshëm të popullit autokton.

MBRETËRESHË E LETËRSISË

Monumental, ballë lartë qëndron,
gdhendur me art, artistët frymëzon,
Godinë kjo, zgjon kalorësit e të bukurës,
Zotërinjt e shkronjave të shqipes.

Valët e historisë tentuar kanë të njollosin,
Madhështinë kolosale të nëpërkëmbin,
e Bardhë, Virgjër, doli nga betejat,
më e fortë se kurrë anatemoi ardhacakët.

Perandoreshë, prore e etur për dije,
përjetësuar është, shkrep dashuri mitik,
me valsin më të përsosur posi magjistare,
dritëzon qiellin, yjet që lindin veprat magjike.

Galaktika virgjëreshë shpreh lartësi,
Kombëtare është, kërkon bashkim shpirtëror,
pendë pasur pret krijuesit e gjithësisë,
lehtë, regjur e stolisin shkronjat hyjnore..

Pinjollët e Pellazgëve ecin kokëlartë,
shkruajnë për vargjet e dashurisë, ëndrrat e pajetuara,
gjetur kanë rrugën që stolisin bujarët,
sot, fortesa e dijes është front i pamposhtur,

Gjaku i njomë i martirëve qetë prehet në varrezat e freskëta,
amanet-besa e dhënë në tokën e shenjtë jeton,
errësirën e stepave larguar kanë përjetësisht,
Krenarja, në të fundit ditë do takohet me apokalipsën

Zekerija IDRIZI - Teolog
Berlin-Shkup