>
BIOSHQIP

Adelina Berisha Kundër Operacioneve Plastike

17-11-2012
Me zërin e saj të bukur, Adelina Berisha e cila filloi të këndonte në një moshë shumë të hershme duke ua 'rrëmbyer' zemrat shumë adhuruesve të saj, tani me zërin dhe pamjen tërheqëse është njëra nga këngëtaret më të pëlqyera të estradës kosovare. Ajo gjatë një intervistë për Agjencinë e lajmeve "Kosovapress", ka rrëfyer për planet e saj rreth muzikës, angazhimeve të shumta nëpër mbrëmje muzikore, si dhe shumë gjëra të tjera rreth jetës së saj private. Adelina çka je duke punuar këto ditë, presim ndonjë këngë të re nga ju? Adelina: Jam duke i punuar dy këngë të reja me videoklipe të cilat janë në përfundim e sipër. Njëra veç është gati. Pastaj këtyre këngëve do t'ua bëj edhe videoklipin. Nuk dua të shpalos shumë rreth këtyre këngëve, sepse dua që të jenë befasi për adhuruesit e mi. Mund të na flisni diçka konkrete rreth këtyre këngëve, më kë keni bashkëpunuar? Adelina: Këngët janë të zhanrit R&B. Njërën jam duke e bërë tek Arbasi, ndërsa tjetrën te Dj Zaki dj Klisi. Ata kanë marrë përsipër që të bëjnë instrumentalin, tekstin dhe të gjitha gjërat e tjera rreth këngës. Më herët keni bashkëpunuar me Stinën, do të vazhdojë ky bashkëpunim në të ardhmen? Adelina: Bashkëpunimi me Stinën më ka sjellë suksese deri më tani, Stine është një kompozitor shumë i mirë, ndoshta do të bashkëpunoj me të edhe në të ardhmen. Po nëpër mbrëmje muzikore, sa jeni e angazhuar? Adelina: Fatmirësisht jam shumë e angazhuar edhe këtu edhe jashtë vendit. Tash është edhe sezoni që të shkojmë të këndojmë për bashkatdhetarët. Gjithashtu, për Vitin e Ri do të këndoj në Zvicër por edhe në vende të tjera si Gjermani, Suedi dhe anë e mbanë ku ka shqiptarë. Keni gjithë këto angazhime, kush ju përkrahë më së shumti? Adelina: Më së shumti më përkrahë familja ime, veçanërisht nëna ime të cilën e kam edhe menaxhere. Ajo është çdo kund me mua në çdo hap që unë e bëj. Po kritika, nga kush merrni më shumë dhe si reagoni ndaj tyre? Adelina: Edhe një fëmijë i vogël kur më jep kritika, unë ndalem dhe mendoj a ka të drejtë a jo. Sepse pa kritika nuk ka sukses asnjë punë dhe as muzika. Kështu që edhe prej shoqërisë, nënës, motrës kur më kritikojnë, unë i analizoj dhe në qoftë se ka diçka që me të vërtetë duhet ndryshuar unë e bëj, pa problem. Keni ndonjë problem kur dilni në skenë? Adelina: Secili këngëtar e ka stresin e vet kur del para njerëzve për të kënduar. Unë nuk kam ndonjë problem tjetër, vetëm mundohem t'i kënaq fansat që të vijnë edhe herën tjetër për të më dëgjuar. Sa është muzika juaj komerciale? Adelina: Muzika komerciale është shumë në treg. Unë nuk e kisha kritikuar muzikën komerciale edhe ajo është pjesë e tregut, ndoshta edhe mua më vjen rasti që një ditë të bëjë muzikë komerciale. Kanë lidhje me jetën tënde private, tekstet e këngëve tua? Adelina: Teksti është tekst i një kënge të thjeshtë dhe nuk janë të bazuara asnjëherë në jetën private. E shikoj tekstin dhe nëse më pëlqen e pranoj. Përveç muzikës, keni ndonjë pasion tjetër? Adelina: Në kohën e lirë më pëlqen të shikoj futboll, sidomos kur luan Real Madridi. Jam fans e flaktë e Realit dhe lojtarit Leti Kakas. Po jeta e natës, a ju pëlqen? Adelina: Me thënë të drejtën, nuk e frekuentoj shumë jetën e natës. Më pëlqejnë më shumë vendet e qeta, ndoshta për shkak se këndoj nëpër klube dhe kam nevojë për disa vende më relaksuese. Çfarë mendimi keni për muzikën që po krijohet kohëve të fundit në Kosovë? Adelina: Nuk ka muzikë të keqe, as këngëtarë të këqij. Kush e do këtë profesion me zemër jam e bindur se do të ketë sukses. Shumë herë është thënë se keni bërë ndërhyrje kirurgjike, është e vërtetë kjo? Adelina: Nuk është e vërtetë. Unë jam kundër operacioneve plastike. Besoj shumë në Zot. Ai na ka krijuar kështu qysh jemi dhe nuk ka të drejtë asnjë njeri të ndryshojë diçka te vetja përderisa Zoti na ka krijuar kështu. Unë jam kundër këtyre operacioneve. Në fund, keni ndonjë mesazh për adhuruesit tuaj? Adelina: U kisha thënë të rinjve të punojnë sa më shumë, sepse ne jemi e ardhmja e vendit. Gjithashtu, të dëgjojnë sa më shumë muzikë, sepse arti na zbukuron shpirtin.
(kosovapress)

Adelina Berisha Kundër Operacioneve Plastike