TEKSTESHQIP

Adelina Emini: “Muzika është Pasioni Im“

12-1-2014
Adelina Emini: “Muzika është Pasioni Im“
Këngëtarja e njohur Adelina Emini, pas një sezoni të suksesshëm i është përveshur punës dhe është në kërkim të projekteve të reja të cilat do t’i sjellë në treg. Ndër të tjera ajo për gazetën Tribuna ka folur edhe për jetën e saj private si dhe mendimin për operacionet plastike.

Njëra ndër emrat më të njohur të skenës sonë Adelina Emini,ka treguar se është në proces të punës për të sjellë risi në treg. Ajo ka thënë që tashmë veçse është në kërkim të projektit të duhur që do ta paraqesë para publikut të vet.
"Tani është koha kur të gjithë ne mendojmë për risitë që do të sjellim gjatë stinës së pranverës dhe verës. Normal që edhe unë kam filluar të mendoj, por ende jam në faza të para dhe nuk kam asgjë konkrete për momentin", ka thënë Adelina në fillim të bisedës, ndërsa ka shtuar se do t’i mbetet besnike stilit të vet. "Unë nuk preferoj të bëj ndryshime drastike.

Sigurisht që do të ketë risi, secila këngë e re në vete e bart edhe risinë, por jo t’i ik stilit tim. Do të qëndroj dhe të vazhdoj me mënyrën siç jam paraqitur deri tani", ka thënë ajo më tej.
Muzika është pasioni im

Ndërkaq ajo ka zbuluar se edhe bashkëpunimet janë në planet e saj. "Kam në plan edhe bashkëpunime, por meqë ende jam në proces të punës dhe asgjë nuk ka konkrete nuk do të doja të zbuloja asgjë. Kur të jetë koha do të tregoj më hollësisht".

E meqenëse përveç muzikës këngëtarja është edhe e punësuar, madje edhe e angazhuar me studime post diplomike, Adelina i premton fansave se asnjëherë nuk do të largohet nga pasioni i saj që ka për muzikë, pavarësisht angazhimeve e punëve të shumta që këngëtarja ia ka vënë për detyrë vetes.

"Kam shumë më shumë punë është e vërtet, por në asnjë mënyrë nuk do të largohem nga kënga.Do të jem e përkushtuar sigurisht doktoraturës po ashtu edhe punës sime jashtë muzikës që e bëj, por kur diçka do dhe ke vullnet të mirë ia arrin edhe t’i koordinosh të gjitha dhe mos ta lësh asnjërën pas dore. Normalisht që puna si ekonomiste për mua është primare dhe ia jap të gjithë përkushtimin tim. Por muzika është pasioni im dhe nuk do ta lë pas dore asnjëherë", ka treguar Adelina.
Nuk preferon të flas për jetën private

Përveç punëve e planeve që Adelina i ka ajo për lexuesit nuk ka hezituar të tregoj edhe mendimin e saj përball operacioneve plastike një trend që tashmë ka kapluar shumë të rinj tek ne.

"Asnjëherë nuk do të bëj operacion plastik. Nuk them që jam kundër, çdo kush e di për vete çfarë dëshiron. Por them për vete që nuk pëlqej të bëj këso lloj ndërhyrjesh. Fundja publiku më ka pranuar kështu si jam dhe unë jam e kënaqur me këtë. Pëlqej të jem natyrale 100 për qind", ka theksuar këngëtarja. Ndërsa sa i përket jetës private me buzëqeshje ka nënvizuar se nuk pëlqen të flasë.

"Nuk preferoj të flas për jetën time private. Kur do të ketë diçka të re që ia vlen të ndahet me publikun, atëherë patjetër që do të flas", është shprehur për fund Adelina.
(Nita Brisku)

Komente 0