Afërdita Demaku: “Në Manifestimet E Festës Së Flamurit U Njoh Talenti Im”


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  6
[27-11-2014]
Legjenda e muzikës popullore e patriotike, Afërdita Demaku vjen në këtë intervistë të shkurtër për të na folur mbi aktivitetet e saja me rastin e festës së flamurit. Lexim të këndshëm…

TeksteShqip: Afërdita, na thoni si e keni kremtuar festën e flamurit në vitet e paraluftës?

Afërdita Demaku: Fillimisht dua t'ju falenderoj nga zemra për këtë intervistë që ma mundësuat të shprehem edhe unë në këto ditë festive. Sot ka festë për mua dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Besoj shumë që kjo festë ne na bashkon të gjithë në një qëllim. Sa I përket pyetjes, unë që si fëmijë kam festuar me familje e në shkollë, me aktivitete të ndryshme, por që nga klasa e pestë kam filluar të këndoj për festën e flamurit dhe pikërisht nga këto manifestime është zbuluar talenti im, ku që atëherë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj flamurin kombëtar.



TeksteShqip: Ç'evenimet I mbajtur në saje të flamurit ju ka ngelur në kujtesë?

Afërdita Demaku: Po mendoj se në çdo 28 Nëntor kemi kaluar mirë dhe çdo herë e me shumë kësaj feste po ja dijmë vlerën. Lirisht mund të them që kjo festë festohet më shumë se çdo festë tjetër te ne shqiptarët. Para dy vjetësh kremtuam edhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ku unë isha e ftuar nëpër disa shtete të Evropës, ku një atmosferë e tillë, një organizim I pakrahasueshëm dhe një pjësmarrje masive do të ngelen në kujtesën time.

TeksteShqip: Shprehja “Kuq e zi”, ç'emocion ngjall te ju?

Afërdita Demaku: “Kuq e zi” për mua do të thotë shumë, çdo herë kur e këndoj këtë fjalë, e këndoj me zemër e me shpirt, me një frymë më patriotike. Kjo shprehje po që më ngjall ndjenja patriotike e më jep zemër, sikurse valvitja e flamurit që shpeshë m'I mbush sytë me lot nga dashuria dhe nga I gjithë ai gjak që është derdhur që ai të valvitet sot I lirë.



TeksteShqip: Keni realizuar mjaft këngë patriotike, e sidomos kushtuar flamurit si simbol I kombit. A do kenë fatin fansat të shijojnë një këngë të re mbi flamurin?

Afërdita Demaku: Po, kam kënduar shumë këngë patriotike, ku në teksetet e këngëve të mia përmendet edhe flamuri si simbol I kombit tonë, gjithashtu kam kënduar edhe live të gjitha këngët e kompozuar për flamur edhe nga kolegët e tjerë. Sivjet, për fansat e mi do të publikoj një këngë bashkë me videoklip që titullohet “Vula e Pavarësisë”, e cila uroj t'ju pëlqejë fansave dhe mendoj që do ketë vlerë më të madhe nga gjithë këngët e mia patriotike.

TeksteShqip: Ku do e festoni sivjet këtë festë?

Afërdita Demaku: Edhe këtë vit, si çdoherë do të jem në Evropë, konkretisht në Gjermani, Zvicër, Austri. Më datë 28 do të jem në Mynster të Gjermanisë.

TeksteShqip: Ne ju falenderojmë për kohën e ndarë dhe ju urojmë përzemërsisht këtë festë. Për fund a keni diçka për të shtuar?

Afërdita Demaku: Edhe njëherë ju falenderoj për mundësinë që më dhatë. Edhe unë ju uroj juve dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë festën e madhe të 28 Nëntorit, duke dëshiruar që sa më shpejtë të gjithë shqiptarët të bashkohemi vetëm në një shtet të përbashkët të quajtur Shqipëri.
 (Arsim Kolari/Teksteshqip)