>
BIOSHQIP
Biografia
Alban Kondi, vëllai i këngëtarit të ndjerë Floran Kondi, i njohur në skenën shqiptare si Dr. Flori, ka treguar se momentet e lajmit tragjik ishin shumë të vështira. Fjalët e fundit të Florit, siç tregon vëllai i tij, ishin “Po shoh Zotin, por fluturoj tek ai”. “Ende më duket e pabesueshme, por realiteti është ky dhe duhet të përballemi edhe me këtë humbje”, ka deklaruar ai në një intervistë në Top Channel. “E nëse koha do të kthehej pas, sigurisht që do të kishin ndryshuar shumë gjëra”, deklaron Albani, i cili shton se “gjërat ndodhin për një arsye dhe një ditë do të merret shpjegim edhe për to”. Por gjëja kryesore që ai do të kishte bërë ndryshe, do të ishte “gjithçka për ta mbajtur atë në jetë”.

Me Florin, Albani ka kujtime të shumta, të paharrueshme, për shkak se kanë qenë vëllezër shumë të lidhur, brenda e jashtë shtëpisë. “Kam kujtime të tij që nga fëmijëria e deri në ditët e fundit”, pasi “ai ishte një vëlla që falte shumë dashuri nga vetja. Këshillat e tij kanë qenë tepër të vlefshme si në aspektin personal, edhe atë artistik. Ai kuronte gjithmonë krijimtarinë time, por njëkohësisht më linte edhe shumë hapësira në krijimtarinë e vet”. Bashkëpunimet dhe projektet kanë qenë të shumta, qoftë të publikuara, edhe ato që janë nisur dhe që priteshin të nxirreshin në të ardhmen. “Më kujtohet mami, që më ka thënë se vëllai – me të cilin kisha pesë vjet diferencë – ishte tepër i dashur dhe i kujdesshëm për mua, aspak xheloz, por me ndjesinë e prindit për mua”.

“Ka qenë një frymëzim i madh për mua, por edhe për shumë njerëz të tjerë”, është shprehur Albani, i cili po ashtu merret me muzikë.

Momentet më të bukura prej tij janë të shumta, si familjare, edhe në aspektin skenik. “Kujtoj se kur i thashë për herë të parë që dua të merrem me muzikë, më qeshi dhe më tha se nuk do të ndihmonte për asgjë, ose të bëhesha, ose jo. Më kontrollonte të isha gjithnjë i vërtetë me muzikën time. Një tjetër moment, ardhja në jetë e vajzës së tij Kaltrina, por edhe ai i të birit, Danielit. Ka qenë tepër i lumtur dhe i emocionuar”. Por ajo që duhet të ndodhë tani, sipas Albanit, është përgjegjësia dhe vazhdimësia për përkujdesjen ndaj familjes së tij, të cilën e konsideron si të tijën. Në fakt duhet përkujdesje edhe për nënën, e cila si çdo nënë për fëmijën e saj, është lënduar shumë me humbjen e Florit.

Albani premton se do t’i rikthehet fuqishëm studios dhe muzikës, për të bërë publike të gjithë pjesën e papublikuar të punëve të tij. “Kënga mbi gjithçka” është hiti më i preferuar për Florin, – tregon Albani – jo vetëm si krijimtari, por sepse atë e ndiente me shpirt. Për të kënga ishte mbi çdo gjë tjetër. “Shpesh kam qenë kritik ndaj tij, sepse ai ishte shumë i guximshëm për punët e veta, ndërsa unë gjithmonë isha më i tërhequr. E ndaloja shpesh dhe i thosha se mos po nxitohej, por bënte sikur më dëgjonte, e nga ana tjetër vepronte siç dinte. Shumë herë ka fituar ndaj meje”.

Megjithatë, jeta nuk mbaron këtu – thotë Albani. – Jeta vazhdon dhe një ditë ne do të takohemi sërish. Mesazhi im për Florin, nëse po na dëgjon tani? Prehu në paqe aty ku je, sepse unë do të kujdesem që çdo gjë të shkojë në vendin e vetë!”

Më datë 11 Gusht 2008, Orinda Huta & Alban Kondi publikojnë videoklipin "Tradhetia".

Në Maj 2013, Albani P28 merr pjesë në Top Fest 10 me këngën "Hije", në bashkëpunim me Briz Musaraj.

Në Shtator 2019, West Side Family marrin pjesë në Kënga Magjike 2019 me këngën "7 Ditë", në bashkëpunim me Alban Kondi.

Më datë 3 Mars 2021, Alban Kondi, Bojken Lako & Kastro Zizo publikojnë videoklipin "Mono". Muzika e këngës u punua nga Alban Kondi, teksti u shkrua nga Alban Kondi & Kastro Zizo, ndërsa për orkestrimin u kujdes Fabian Basha & Alban Kondi. Videoklipi u prodhua nga kompania MAX Production.

Në Qershor 2021, Alban Kondi, Bojken Lako & Kastro Zizo marrin pjesë në Netët E Klipit Shqiptar 21 me këngën "Mono".

Më datë 5 Korrik 2021, Alban Kondi publikon videoklipin "Ku Je Ti", në bashkëpunim me Altin Shirën. Muzika e këngës u punua nga Alban Kondi & Elgit Doda, teksti u shkrua nga Alban Kondi, ndërsa për orkestrimin u kujdes Elgit Doda.

Në Dhjetor 2022, Alban Kondi & Lorela Karoshi marrin pjesë në Festivalin e 61-të në RTSH me këngën "Melodi".