TEKSTESHQIP

Alban Mehmeti: “Përditshmëria Ime Nuk Ka Ndryshuar Pas Martesës“

16-4-2014
Alban Mehmeti: “Përditshmëria Ime Nuk Ka Ndryshuar Pas Martesës“
Po shijon jetën martesore. E derisa ka theksuar se për atësi do të tregojë kur t’i vijë koha, këngëtari Alban Mehmeti ka nënvizuar se po mësohet me këtë kapitull të ri të jetës së tij. E bashkë me jetën e re, këngëtari për Tribuna ka bërë me dije se është duke punuar në projektin e radhës...
Nuk është shumë kohë që ai nxori në treg këngën më të re të titulluar "Biondina". E bashkë me suksesin për të cilin thotë se e ka arritur përmes kësaj kënge, këngëtari Alban Mehmeti, ka treguar për Tribuna se po punon në këngën e re.
"Nuk është ende një muaj që unë kam lansuar videoklipin tim të fundit "Biondina", këngë kjo e cila është mirëpritur mjaft mirë nga publiku. Pas "Biondinës" menjëherë kam realizuar një këngë të re e cila ende është vetëm si demo, por që është menduar të bëhet duet dhe që besoj që shumë shpejt do ta realizoj edhe me videoklip".
Ndërsa ka njoftuar se kënga e re do të vijë në duet, Mehmeti ka zgjedhur të mos flasë për emrin e këngëtares me të cilën do të bashkëpunojë. "Sa i përket këngëtares me të cilën do të bëhet dueti nuk dua ta bëj publike ende, pasi që dëshiroj të jetë një befasi e këndshme, shpresoj".
Por, angazhimet e tij nuk përfundojnë me këngën e re. Ai është shumë aktiv edhe nëpër mbrëmje të ndryshme, dasma e veçanërisht mbrëmje të maturës. "Angazhimet aktuale janë mbrëmjet e shumta rinore. Po ashtu tani jemi në prag të maturave dhe kemi shumë mbrëmje të maturave, në të cilat do të performoj unë me ekipin tim", ka njoftuar ai.
Karshi profesionit përmes së cilit njihet, Albani ka edhe jetën private. E përditshmëria siç ka theksuar, nuk ndryshon shumë për të. "Përditshmëria ime është thuajse e njëjtë. Angazhime, gjithnjë në kërkim të ideve apo këngëve të bukura, nga pak dalje me shoqëri me familje e kështu me radhë".
(Arbnora Xani)

Komente 0