TEKSTESHQIP

Anxhela Peristeri: Jeta Ime E Re Si Këngëtare Buzuqesh

15-1-2012
Anxhela Peristeri: Jeta Ime E Re Si Këngëtare Buzuqesh
Në fillim vitet 2000 emrin e saj e gjeje kudo nëpër faqet rozë të fundjavës. Ishte prezente në shumë evente muzikore dhe popullariteti i kishte arritur kulmin. Prej pesë vitesh i mungon Shqipërisë. Arsyeja?! Po ndërton një karrierë të re si këngëtare në vendin fqinjë me ne, Greqinë.

Anxhela Peristeri, këngëtërja e njohur shqiptare do të vijë sot në "Bluetooth" me një rrëfim interesant mbi jetën që bën tani. Çdo natë këndon në buzuqe dhe siç thotë vetë, sadisfkasioni që merr është i madh. Mbi 1000 njerëz që e ndjekin dhe e duartokasin për çdo mbrëmje. Ky është bilanci i saj në fund të ditës, bashkë me paratë që natyrisht s'i mungojnë. Po pse u largua nga Shqipëria? A e ndjen diskriminim dhe kur do të kthehet në Tiranë? A ka një mashkull në jetën e saj dhe kur do të martohet? Rrëfehet Anxhela…Rrugëtimi i saj në Greqi dhe planet për t'u rikthyer në skenën shqiptare.

Ku ka humbur Anxhela gjithë këto kohë?

Siç është bërë e njohur edhe para 5 vjetësh kur u largova jam duke jetuar në Greqi.

Edhe në Greqi po merresh me këngë?

Patjetër që po. Merrem vetëm me këngë dhe angazhohem në aktivitete të ndryshme muzikore, kryesisht në buzuqe, pasi ato janë qendrat më të rëndësishme ku interpretojnë këngëtarët.

Ke planifikuar ndonjë bashkëpunim me këngëtarë grekë?

Këtu ku ndodhem, vetëm me këngëtarë grekë bashkëpunoj.

Si është dita jote në Greqi, me çfarë merresh tjetër? Ndjek ndonjë shkollë?

Dita ime është shumë e ngarkuar me angazhime të ndryshme, po ashtu edhe nata duke qenë se jam duke kënduar në një qendër shumë të madhe, andaj nuk më mbetet kohë për të kryer të tjera studime.

A e ndjen diskriminimin si shqiptare?

Nuk ndjej asnjë lloj diskriminimi, por besoj se për këtë më ndihmon shumë dhe profesioni.

Pse zgjodhët Greqinë dhe jo një shtet tjetër?

Sepse më pëlqente gjithmonë muzika greke.

Pse e ke ndryshuar emrin?

Emrin nuk e kam ndryshuar, është i njejti. Mënyra e të shkruarit ka ndryshuar duke qenë se këtu shkruhet në gjuhën greke, por shqiptohet njesoj.

Si është puna në buzuk?

E bukur, por e lodhshme.

Do ia këshilloje kolegeve të tua punën në buzuk?
Pse jo?! Është bukur të të adhurojnë mbi 1000 njerëz thuajse çdo natë.

Ke kontakte me shqiptarët atje?

Shoqja ime e ngushtë, Rafaela, që njëkohësisht është dhe parukierja ime është shqiptare dhe përveç saj kam kontakte dhe me shumë të tjerë.

Pse u largove nga Shqipëria?

Ishte një vendim i momentit pa asnjë lloj shkaku.

Je larguar bashkë më familjen?

Po, jetoj me familjen time.

E viziton Shqipërinë, të ka marrë malli për skenat shqiptare?

Më ka marrë shumë malli për skenat shqiptare, por kryesisht për Shqipërinë. Planifikoj së shpejti të bëj një vizitë në Tiranë.

Ke në plan të rikthehesh me ndonjë klip, ose pjesëmarrje në Festivale?

Akoma nuk kam një plan konrekt, por sigurisht në të ardhmen e afërt do të rikthehem.

E ndjek muzikën shqiptare? Çfarë mendon për zhvillimet që kanë ndodhur?

Muzika shqiptare gjithmonë ka pasur nivel dhe besoj se vazhdon të ketë. Nuk kam ndjekur zhvillimet e fundit, por jam e sigurt që ka cilësi.

Cilin prej kolegëve shqiptarë vlerëson më shumë?

(qesh) Të gjithë.

Të flasim pak për dashurinë, është dikush në jetën tënde pasi gjithmonë ka përbërë kuriozitet kjo pjesë?

Jo, jam singëll.

Në planet e tua për të ardhmen është krjimi i një familjeje?

Për momentin jo, në të ardhmen sigurisht.

E imagjinon veten nënë, sa fëmijë ëndërron të kesh?

Patjetër e imagjinoj. Do të doja një djalë dhe një vajzë.

Si përfundim kur do takohemi bashkë në Tiranë?

Së shpejti besoj. Faleminderit!
(Bluetooth)

Komente 0