TEKSTESHQIP

Arditi Merr Dy Aktorë Komikë Për Të Prezantuar “Kënga Magjike“

16-11-2013
Arditi Merr Dy Aktorë Komikë Për Të Prezantuar “Kënga Magjike“
Jemi mësuar gjithmonë ta shohim Ardit Gjebrenë të rrethuar nga dy partnere femra, që shpesh kanë qenë të huaja VIP dhe shumë seksi, duke e shoqëruar në tri netët finale të festivalit "Kënga Magjike". Në këtë edicion të 15-të të netëve finale të "KM", që pritet të organizohen në datat 27, 28, 29 në "Pallatin e Kongreseve", Gjebrea do të ketë për herë të parë dy meshkuj, dhe të dy, aktorë humori, me qëllimin që në festival të ketë shumë situata komike. I pari është Ermal Mamaqi, i cili këtë vit nuk merr pjesë si konkurrent për të shfaqur talentin e tij si prezantues. Dhe i dyti është po ashtu një aktor humori, pikërisht Ervin Bejleri, i cili pas shkëputjes nga spektakli i "Portokalli" u shfaq si moderator i një show me kamera të fshehta, "Game Over" në "Vizion Plus". Tashmë që prezantimi i këngëve pjesëmarrëse ka mbërritur drejt fundit, le të shohim se sa e fortë do të jetë gara në netët finale. 45 këngëtarët që do të kalojnë në gjysmëfinale, do të votojnë edhe këtë vit për njëri-tjetrin. Nga ky votim do të dalin 20 këngët finaliste në natën e fundit. "Edhe pse janë të paevitueshme miqësitë mes këngëtarëve ose edhe inatet e shprehura në votime, ky sistem ka rezultuar në një përqindje të madhe efikas në përcaktimin e renditjes të këngëve sipas vlerave të tyre, me pluset dhe minuset e veta", kanë shpjeguar organizatorët në faqen zyrtare të "Kënga Magjike" në facebook.

Edhe këtë javë, artistë nga Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia do të jenë pjesë e festivalit "Kënga Magjike". Emrat e tyre janë: Mariza Ikonomi, Vëllezërit korcarë, Sardi, The Code dhe Dren Abazi.
(Panorama)

Komente 1