TEKSTESHQIP

Artiola Toska: “Me Përkushtim I Kultivoj Vlerat Kulturore“

17-5-2015
Artiola Toska: “Me Përkushtim I Kultivoj Vlerat Kulturore“
Tirana ndër vite ka nxjerrë vetëm artistë e mendjendritur, por kur bëhet fjalë për muzikën e pastër, lirisht mund të themi se ajo folenë e ka në të. Mes këtyre artistëve të paharruar, kemi edhe ata që vazhduan rrugën për t'i ringritur vlerat e para, kemi Artiola Toskën, të ëmbël në zë e në jetë. Atë mund ta krahasojmë me një yll që shndërrit vetëm art në vatrat tona. Artiola pranoi me kënaqësi ftesën tonë dhe për të kuptuar diç më tepër rreth karrierës dhe jetës së saj, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme...

Teksteshqip: Artiola, ju i keni qëndruar besnike këngës së mirëfilltë. Na thoni kur keni filluar të merreni me muzikë?

Artiola Toska: Së pari, ju falenderoj për interesimin! Lidhja ime me këngën popullore ka nisur që në moshë të vogël dhe prej atëherë nuk i jam ndarë këtij zhanri të muzikës qytetare të mirëfilltë.
Teksteshqip: Shqipëria ka pasur artistë të pakrahasueshëm, siç ishte: Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Myslym Lela, Nazmije Dollaku, etj., ku dhe ju lirisht mund të themi që i përkisni këtij mesi. Çfarë ndjenje ngjallin përmendja e këtyre emrave te ju?

Artiola Toska: Këto emra që ju përmendët, janë ABC-ja e muzikës popullore, e unë jam rritur me zërin e tyre. Duke u nisur nga kjo, nuk kishte si të ndodhte ndryshe përveç se të ecja në rrugën e tyre të artë.

Teksteshqip: Siç po shohim, a është kënga popullore në rangun e merituar?

Artiola Toska: Në ditët e sotme muzika popullore ndodhet në një pozicion jo fort të lakmueshëm. E them këtë sepse, vitet e fundit kënga popullore nuk vlerësohet siç duhet. E para, gjithë këto festivale mbahen për muzikën e lehtë dhe asnjë për muzikën popullore, së dyti ato spektakle që janë mbajtur për "këngën popullore" janë prezantuar nga artistë të muzikës së lehtë dhe ajo e treta dhe më e rëndësishmja është se kur bëhen spektakle për talentët e rinj, këta të rinj konkurojnë vetëm me muzikë të huaj, në një kohë kur e gjithë bota fillimisht talentët i vlerëson me muzikën e tabanit, e pastaj me të huajën. Nëse brezit të ri nuk ua kultivojmë ndjenjën për atdheun dhe pasuritë e tij, besoj se s'do kemi ardhmëri fort të ndritur.
Teksteshqip: Cila është krijimtaria e Artiola Toskës?

Artiola Toska: Në treg kam hedhur 8 albume me krijime të reja nga kompozitorët dhe autorët më të mirë që kemi. Së fundmi krijova një këngë vetë me tekst dhe muzikë, e cila rezultoi një mega - hit dhe më vjen mirë që mesazhi i fortë që pat shkoi aty ku duhet, te fëmijët e mërgimtarëve tanë. Kënga titullohet "Fol Shqip", të cilën e këndova bashkë me miken time Ponin, këngë për të cilën mediat nuk shfaqën fort interes sepse, shijet e mediave tona nuk përkon me atë të publikut. Njëkohësisht, realizova edhe këngën "Kismetit nuk i dihet", e cila gjithashtu u prit mirë nga fansat e mi. Vitin e kaluar nxora në treg një album me 18 këngë qytetare, të cilin e titullova "Kongët që burojnë nga shpirti".

Teksteshqip: Si lindi kënga për ikonën shqiptare, Hafsa Zyberin?

Artiola Toska: Kënga për të pavdekshmen "Cake" lindi si ide e autorit dhe bashkëpunëtorit tim, mjeshtrit Jorgo Papingji. Unë jam rritur me zërin brilant të saj dhe kënga me përkushtim ishte e pakta që mund të bëja dhe e kam kënduar me gjithë shpirt, të cilën e meriton plotësisht.
Teksteshqip: Si e kalon një ditë të zakonshme Artiola?

Artiola Toska: Po si një familjare e zakonshme, me të përditshmet e një gruaje. Nuk mungojnë edhe takimet me miqtë dhe me bashkëpunëtorët për të sjellur projekte të reja.

Teksteshqip: A do presin fansat ndonjë projekt të ri në ndërkohë?

Artiola Toska: Po, së shpejti do e publikoj një baladë bashkë me videoklip. Balada titullohet "Për ty" me tekst të Armand Trebickës, orkestrim të Edi Balilit dhe muzikën e kam bërë vetë.

Teksteshqip: Artola, ne ju falenderojmë që gjetët kohë t'i përgjigjeni ftesës sonë, njëkohësisht të përgëzojmë për karrierën. A keni të shtoni diçka për fund?...

Artiola Toska: Ju uroj për punën e suksesshme që bëni dhe ju falenderoj për vlerësimin. Të gjithë fansat i përshëndes dhe i dua shumë.
Artiola Toska
Për Ty
[Teksti dhe Klipi]
(Arsim Kolari - Teksteshqip.Com)

Komente 1