TEKSTESHQIP

“Asgje Sikur Dielli“ Bashkohen Vetëm Për Një Koncert?

25-11-2013
“Asgje Sikur Dielli“ Bashkohen Vetëm Për Një Koncert?
Dashuria e përbashkët ndaj një bendi, që për shumë vjet depërtoi fuqishëm në skenën artistike, duket se po e ndjek pas edhe pas dy vjet ndarje. Dhe deri sa jeton nën ‘hijen’ e "Asgjë sikur dielli", ish lideri i këtij grupi Alban Nimani, ka treguar se shpreson për një rikthim të përbashkët në një koncert. Kështu ka deklaruar për Tribuna Nimani, ndërsa mes tjerash ka njoftuar edhe për angazhimet artistike si solo këngëtar, pjesëmarrjen në festivalin e Afrikës së Jugut e jetën private

Arriti që bashkë me grupin ‘Asgjë sikur dielli’ të radhiten në njërin prej emrave më të shquar të skenës sonë. Ndërsa tash e dy vjet Alban Nimani ish solisti i këtij grupi, karrierën e tij artistike po e ndërton si solo këngëtar. Ndonëse i takon gjeneratës kur këndimi dhe performanca thuhej vetëm përmes paraqitjeve ‘live’, ai ka bërë të ditur për Tribuna, se edhe më tej ky është synimi i tij. E duket pikërisht angazhimi ‘live’ e drejtoi pak ditë më parë në njërin prej festivaleve më prestigjioze të performancës ‘live’ në Afrikën Jugore...

- Alban, së fundmi keni qenë prezent në një festival në Afrikë. Na thuaj për çfarë festivali bëhet fjalë?
Nimani: Festivali quhet ‘Live performance meeting’. Është njëri prej festivaleve më të mëdha sa i përket performancave me ‘live video’. Kësaj radhe është mbajtur në pjesën e Afrikës Jugore.

Nisëm performancën me himnin e Kosovës

- Si erdh ftesa tek ju?
Nimani: Për herë të parë kemi marrë pjesë në vitin 2012 në Romë, pastaj në Meksikë, ndërsa këtë vit në Afrikë. Ne kemi aplikuar për të qenë pjesëmarrës në këtë festival. Ka fundi i shtatorit na kanë lajmëruar që jemi pranuar. Është e rëndësishme të përmendet që pjesëmarrjen tonë atje e ka mbështetur Ministria e Punëve të Jashtme. Ne jemi paraqitur në fillim me himnin dhe flamurin e Kosovës.

- Si u prit pjesëmarrja juaj atje?
Nimani: Kjo është shumë interesant dhe është kompeticion shumë i rëndësishëm sepse atje vijnë artistë nga e gjithë bota të cilët merren me performanca ‘live’. Kjo u mbajt në Bashkinë e Kaet Town, në vendin ku ka dalë Mendela për herë të parë për të mbajtur fjalim kur është liruar. Kjo e bënte edhe më interesante, sepse ishte në një vend shumë të rëndësishëm. Ndërsa sa i përket pritjes, jemi pritur shumë mirë. Jemi njoftuar me artistë të shumë kemi krijuar kontakte.

- A ishit ju shqiptarët e vetëm në këtë festival?
Nimani: Po kemi qenë shqiptarët e vetëm. Ndoshta është kjo performanca e parë e artistëve apo muzikantëve që kanë marrë pjesë në Afrikën Jugore.

- Kishte karakter garues ky festival?
Nimani: Jo nuk ka karakter garues. Ky është më shumë si takim i artistëve. Dhe në një farë forme prezantim i vendit tënd.

- Po angazhimet tjera artistike si po përkufizohen?
Nimani: Para një jave e kam bërë këngën më të re "Adresa". Në fakt kjo këngë është ripërpunim i këngës së Francesk Radit. Këngën e kam publikuar në Facebook, në faqen time zyrtare. Tani për tani kënga nuk është e realizuar me klip, por jam duke punuar që shumë shpejt ta kompletoj edhe me videoklip.
- Po me ndonjë bashkëpunim a e keni në plan të vini?
Nimani: Nuk e di... ndoshta. Në një plan afatshkurtër jo! Por mund të ndodhë.

- Po ndonjë bashkëpunimet trendi, ku përzihen zhanret, do të mund t’iu takojmë?Nimani: Nuk e di. Zhanret është interesant kur përzihen. Por është e rëndësishme të jenë ndonjë produkt i mirë. Për mua nuk ka lidhje që po përzihen zhanret por e rëndësishme është që kompozimi final të jetë i bukur. Nëse kjo është e mirë dhe ka vlera artistike atëherë nuk ka lidhje aspak çfarë zhanri përzihet.

- A do të thotë kjo që në të ardhmen do ju shohim në këso bashkëpunim?
Nimani: Unë bashkëpunimin tim të fundit e kam pasur me vëllanë tim Arbonin ‘dap stet’ dhe ‘drum and bass’. Po mund të ndodhë të bashkëpunoj me ndonjë këngëtar të muzikës popullore. Do të kisha pasur qejf të kem ndonjë projekt interesant por me muzikë tamam popullore. Më pëlqen të eksperimentoj.

Një jetë mes Prishtinës e Tiranës

- Dikur keni qenë anëtar i grupit ‘Asgjë sikur dielli’. Sa ka qenë e vështirë të vazhdoni rrugëtimin si solo këngëtar?
Nimani: Ka qenë ndryshim shumë i madh...Është vështirë ta rrëzosh apo ta lësh një karrierë e cila ka zgjatur më shumë se dhjetë vjet. Një grup që ka qenë mjaft i suksesshëm, ta lësh atë dhe të këndosh diçka nga fillimi ka qenë vështirë. Ka qenë vështirë t’i ikësh hijes së ‘Asgjë sikur dielli’. Por kanë kaluar gati dy vjet dhe e shoh që njerëzit kanë filluar pak të adaptohen.

- Ju po jetoni në mes Prishtinës dhe Tiranës. A janë angazhimet muzikore ato që po të bëjnë të jetosh mes dy kryeqyteteve shqiptare?
Nimani: Jo! Sendi kryesor është familja, bashkëshortja dhe djali im. Bashkëshortja ime është e Tiranës dhe kjo më lidh më së shumti. Është e mira pastaj që edhe atje e kam një shoqëri dhe mikpritje shumë të mirë dhe kjo ka bërë që unë edhe atje të ndihem si në shtëpi. Pastaj tashmë jam bërë edhe qytetar i Shqipërisë (qeshet).

- Sa jeni i angazhuar nëpër mbrëmje muzikore?
Nimani: Më shumë kam qenë i angazhuar nëpër ngjarje jashtë vendit, festivale e kështu. Në Kosovë të them të drejtën ka kohë që nuk më ka rënë të këndoj. Më shumë në Shqipëri jam i angazhuar kohëve të fundit.

- Si një njeri që shumë vjet jeni në muzikë, si do ta përkufizoje skenën e sotme?
Nimani: Mua më kanë pëlqyer këto grupet dhe albumet e reja që janë bërë, edhe pse zhvillimi i muzikës alternative në Kosovë është bërë menjëherë pas luftës nga 1999 deri në 2008. Pastaj tani është bërë njëfarë stagnimi. Nuk po ka shumë albume të reja. Ndoshta edhe për shkak se tani më shumë po funksionon dëgjimi i këngëve nëpër kanale muzikore.

- Po sa i përket vlerave?
Nimani: Ato albume që kanë qenë nga grupet që kanë bërë muzikë alternative kanë qenë në nivel shumë të lartë. Ndërsa sa i përket kohëve të fundit kanë dalë grupe të reja që po eksperimentojnë në zhanre të reja, por ende nuk po shoh ndonjë album.

- Për fund, na thuaj se çfarë mund të presim nga ju për vitin e ardhshëm?
Nimani: Ekziston një ide që ndoshta do të realizohet. Shpresoj që po. Ndoshta do të bëhet një koncert me ‘Asgjë sikur dielli’. Ndërsa planet e vetme që i kam, janë të eksperimentoj në fusha të reja që janë të lidhura me art, muzikë dhe performancë. E bashkë me këtë të sjell risi në tregun tonë.
(Nita Brisku)

Komente 0