TEKSTESHQIP

Besiana Mehmedi: “E Ndjej Veten Me Fat“

15-1-2015
Besiana Mehmedi: “E Ndjej Veten Me Fat“
Femrat shqiptare, për fat, janë gjithnjë e më të suksesshme në lëmi të shumta të jetës; kulturë, politikë sport, art, shkencë, krijimtari dhe veprimtari të larmishme shoqërore, në veçanti në lëmin e muzikës. Njëra nga ato është edhe Besiana Mehmedi, e cila gjithnjë e më tepër është duke përfituar simpatinë e adhuruesve të shumtë të muzikës së bukur shqiptare. Ajo, me stilin e vet, sidomos të solo këndimit, ka përfituar zemrat e artdashësve të shumtë, dhe së bashku me bashkëshortin e saj, Shkodran Tolaj, janë të mirëpritur në çdo qendër shqiptare, koncerte, raste festive, festivale e kështu me radhë.

Dijana D: Një prezantim i detajuar kërkon hapësirë vërtetë të madhe, por për krijuesit e afirmuar sikur Ju, s’ka nevojë për një gjë të tillë. Besoj se kini arsye të plotë të jeni e kënaqur me të arriturat e deritashme?

Besiana: Unë falënderoj Zotin që më ka lindur me fat. Rrjedhi nga një familje e njohur ku jam kulturuar dhe na janë ushqyer ambiciet e shëndosha për jetë. Unë jam rritur me "model" babain tim Qani Mehmedin-gazetar i njohur i cili ka shumë ndikim në ngritjen time si personalitet. Ai më ka mësuar herët që këngëtare e mirë është lehtë të jesh, por intelektuale vështirë. Fal tij unë sot jam profesoreshë dhe gazetare në radion shtetërore Australiane. Kam lind në Prishtinë, jam shkolluar në Prishtinë e Tiranë dhe sot jetoj në Tetovë. Kjo më ka ndihmuar që të njoh mirë mentalitetin dhe rrethet artistike shqiptare. Kam kryer shkollim fillor, të mesëm, fakultet dhe magjistraturë për solo këndim e muzikologji me sukses maksimal. Kjo më bën të ndjehem e sigurt në profesionin që ushtroj.
D.D: Besiana, Ju i kini qëndruar besnike stilit tuaj të veçantë. Në veçanti në këto kohëra të tranzicionit të muzikës shqiptare. Kontributi Juaj, në ruajtjen e vlerave më të spikatura të muzikës është vërtetë për çdo lëvdatë. Sa është ruajtur ajo në hapësirën mbarëshqiptare?

Besiana: Nëse të tjerëve që në rrugën artistike kanë hyrë rastësisht u lejohet eksperimentimi apo dhe prodhimet fitimprurëse dhe jetë shkurtra, një këngëtar që gjatë gjithë jetës është ushqyer me vlera të vërteta artistike për të ngritur nesër një brez të ardhshëm artistik këtë luks dhe kompromis me profesionin nuk ia la lejon vetes.

D.D: Bashkëshorti juaj ka vërtet një vokal të mrekullueshëm, për ç’ gjë jeni e njohur edhe Ju. Sa është kjo parakusht për një sukses të dëshiruar në veçanti në zhanrin e solo këndimit?

Besiana: Në fillim e thashë që e ndjej veten me fat. Fat për mua është që kam në krah Shkodranin, djalë dhe artist i mrekullueshëm me të cilin ne kemi krijuar dyshen artistike. Sigurisht që në profesionin tonë i rëndësishëm është vokali, por mbi të gjitha puna.
D.D: Ju, vërtet kini një jetë mjaft intensive muzikore. Koncerte, festivale dhe evenimente të ndryshme ku jeni të ftuar gjithnjë e më shumë. Sa ndikon kjo që Ju në lëmin e krijimtarisë të jeni edhe më të suksesshëm , pasi që artisti i mirëfilltë kërkon gjithnjë e më shumë nga vetja e tij?

Besiana: Unë çështjet artistike, evenimentet, paraqitjet ia kam lënë në kompetencë Shkodranit. Ai vendos për vendet, këngët, bashkëpunëtorët dhe jam shumë e lumtur që detyrat i kemi ndarë.

D.D: Ju, si çift, jeni të njohur që askurrë nuk e refuzoni ftesën të paraqiteni kudo qoftë ajo në hapësirën mbarë shqiptare, kudo që jetojnë shqiptarë, përveç kur kini ndonjë arsye të veçantë. Sa ju ndihmon kjo të arrini pikësynimet tuaja drejtë arritjes së suksesit më të lartë në lëmin e muzikës?

Besiana: Neve na gjen aty ku vlerësohet arti ynë dhe ku ka nevojë për ne. Në Malësi në mënyrë të veçantë vijmë me shumë kënaqësi. Për mua Malësia ka publikun më të sinqertë dhe artdashës. Ne përveç paraqitjeve tona si këngëtarë kemi impenjime në mësimdhënie, Shkodrani ka një festival për fëmijë, jemi organizator të Verës Kulturore Kërçovare që zgjat një javë, Shkodrani është autor i këngëve për fëmijë. Kemi dhe punën private me fëmijë gjatë fund javëve.
D.D: Ju, gjithnjë kini deklaruar se pjesëmarrja në festivale ju motivon dhe inkurajon të jepni maksimumin në paraqitjet tuaja. Si e vlerësoni përvojën personale në evenimente të tilla. Aq më parë pasi që tashmë Ju si çift, jeni të mirëseardhur në festivalet më prestigjoze të muzikës shqiptare?

Besiana: Unë rrugëtimin tim e kam nisur në festival pikërisht në Vitin 1999. Kam marrë shumë çmime të para dhe të dyta. Mua festivali më ka bërë të njohur andaj kam nostalgji të madhe për festivalet. Jam e lumtur tani që së bashku me Shkodranin ne kemi marrë çmim të dytë në festivalin e këngës për flamur për 100 vjetorin e Pavarësisë. Çmim të parë në festivalin "Flaka e Janarit" , çmimin "Nexhmije Pagarusha" në festivalin "Kënga ime " në Tiranë dhe tashmë, këto ditë jemi në "Festivalin e 53-të të Këngës në RTSH" me këngën "Kështjella" të dy autorëve më të njohur shqiptar Pandi Laco e Adrian Hila. Jemi në konkurrim me datë 26 dhe çdo gjë është live çfarë e bën dhe më emocionues këtë festival.
D.D: Është e rëndomtë pyetja për planet në të ardhmen në rastet e këtilla. Unë e di se Ju vazhdoni gjithnjë të punoni dhe të krijoni. Besoj se tashmë kur jeni bashkuar me të zgjedhurin e zemrës, e kini më lehtë të punoni dhe të krijoni duke na sjellë vepra gjithnjë e më të mira. Çfarë mund të presim në një perspektivë të afërt në këtë drejtim nga Ju?

Besiana: Kemi plane afatgjate. Disa projekte që do të realizohen në 2015.Tashmë Sapo kemi mbaruar xhirimet e vitit të ri andaj do të shijojmë paksa sukseset e 2014-tës.Të shohim si do të ndahemi nga festivali... pastaj fillojmë punën nga shkurti. E Sigurt është që në prill udhëtojmë për katër koncerte në Amerikë.

D.D: Kur mund të Ju presim sërish në Malësi, pasi që tashmë e kini përjetuar edhe vet sa të mirëpritur jeni nga bashkëvendësit e mi, adhuruesit e muzikës suaj?

Besiana: Kurdo që të na ftojë Malësia ne do jemi pranë atyre shqiptarëve aq atdhetar dhe artdashës.
(Dijana Gj. Dukaj/teksteshqip.com)

Komente 0