TEKSTESHQIP

Dr.Flori, Këngë Për Policët E Tahirit

8-6-2014
Dr.Flori, Këngë Për Policët E Tahirit
Për herë të parë Policia e Shtetit u afrohet qytetarëve me muzikë, duke i ftuar kështu për bashkëpunim e mirëkuptim. Ideja është materializuar në një këngë sensibilizuese me titull "Së bashku", krijuar nga Dr. Flori (Florian Kondi). Por fakti që klipi është një projekt sensibilizues i Policisë së Shtetit, që është nën varësi të ministrit Saimir Tahiri, njëherësh dhe kryetar i PS-së për Tiranën, ka hapur mjaft debate për pozicionimin politik të Dr. Florit si artist. Kjo pasi kënga e re e ish-liderit të grupit "West Side Family" është komentuar si një rikthim i marrëdhënieve të mira me qeverinë e majtë pas prishjes në zgjedhjet e 23 qershorit, me këngën rebeluese "Zemërthyer" kundër Edi Ramës. Dr. Flori, i cili pas lançimit të këngës tashmë po merret me promovimin e klipit sensibilizues në shkolla, e konsideron krejtësisht absurde këtë mani për ta politizuar çdo gjë. I pyetur nga gazeta "Panorama" në lidhje me përshtypjet dhe komentet që ka marrë pas publikimit të klipit, ku pjesë e tij janë dhe personazhe të tjerë të njohur në fusha të ndryshme, Dr. Flori shprehet: "E vërteta është që kërkesën për krijimin e një kënge të tillë sensibilizuese ma kanë kërkuar të huajt, ndërsa organizimi është bërë nga Forumi i Gruas në Polici (SPPSH). Projekti është mbështetur financiarisht nga ‘Austrian Development Cooperation’, pra askush nga Qeveria nuk ma ka kërkuar diçka të tillë, pasi mua më kanë komunikuar direkt të huajt për realizimin e një projekti të tillë", tha ai. Më tej sqaron: "Vërtet çuditem nga këto trillime të mendjeve të ndryshme si pasojë e propagandës mediatike duke më pozicionuar në kahe të ndryshme politike. Unë jam artist që angazhohem në probleme sociale dhe s’jam në asnjë kah politik, pra vazhdoj të jem atje ku kam qenë". "Së bashku" këndohet nga Florian Kondi dhe Mariza Ikonomi, ndërsa është shkruar nga kantautori Briz Musaraj. Në klipin e realizuar në rrugët kryesore të Tiranës marrin pjesë edhe personazhe të tjerë, si: Alket Islami, Ela Tase, Marina e Luana Vjollca, Ema Andrea, Neritan Liçaj, Fatos Baxhaku, Eno Milkani dhe Jona Spahiu. Klipi me imazhe shumëplanëshe "Së bashku", i publikuar më 1 qershor, deri tani ka regjistruar 15 mijë klikime në youtube.
Dr. Flori & Mariza Ikonomi
Së Bashku
[Teksti dhe Klipi]
(Panorama Plus)

Komente 0