>
BIOSHQIP

Dren Abazi: Puthjen E Parë Kur Isha 8 Vjeç

17-08-2012
Jemi mësuar ta shohim si djalin seksi që këndon bukur. Dren Abazi me kitarën e tij, gjithmonë i shoqëruar nga Zik-Zak orkestra vitet e fundit ka udhëtuar nëpër qytetet e Shqipërisë, duke luajtur muzikën e veçantë që i pëlqen aq shumë të gjithëve. Këtë art ai e ka nisur që herët, kur performonte bashkë me të vëllain në festat familjare, për të vazhduar me festat e çmendura të gjimnazit, kur formoi edhe grupin e parë.

Mund të mos kishte qenë kjo rruga e tij nëse ai në periudhën e dilemës së madhe do të zgjidhte pasionin tjetër që e donte po aq fort sa muzika. Dren Abazi këtë herë na tregon jetën e tij, flet për fëmijërinë, pasionet, dhe për herët e tij të para…
Na trego pak si ka qenë kjo verë për ty, dhe si pritet të përfundojë?
Edhe kjo verë ishte tepër e nxehtë… Nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga vera e kaluar. Kam qenë kryesisht i zënë me koncerte e mbrëmje të cilat bëhen më të shpeshta sidomos gjatë kësaj stine. Ato pak ditë të lira që kam pasur ndërmjet koncerteve i kam shfrytëzuar për të bërë plazh. Kam pushuar në jug të Shqipërisë pasi më pëlqen shumë bregdeti i jugut. Besoj se nga shtatori do të bëj ca pushime siç më ka hije.
Ka ndodhur ndonjë gjë e veçantë që duhet ta dimë?
Nuk e di a mund të quhet e veçantë, por mund të them që kam pasur momente të bukura… Kam pasur rastin të udhëtoj nëpër qytete të cilat nuk i kisha vizituar kurrë më parë, dhe kjo për mua është vërtetë një gjë e bukur.
Po kur ishe i vogël, ku i kaloje zakonisht pushimet?
Mbaj mend që shpesh për pushimet e verës shkoja me familjen në Greqi, pasi atëherë nuk i kishim këto probleme me vizat, probleme që sot paradoksalisht ndodh t'i kemi.
Cila është origjina tuaj, ku ke lindur, ku je rritur?
Unë kam lindur dhe jam rritur në Prishtinë, gjithashtu edhe familja ime e ngushtë. Prejardhjen e kam nga Peja.
Ke pasur një fëmijëri të lumtur? Kaq tip i qetë ke qenë edhe atëherë?
Kam pasur një fëmijëri të lumtur. Kam pasur edhe atëherë shumë shokë. Gjatë fëmijërisë merresha me disa gjëra njëherësh. Kam qenë futbollist me skuadrën e Prishtinës. Më pëlqente aq shumë sa për një kohë të gjatë mendoja të bëhesha futbollist. Atëherë isha i dhënë gjithashtu pas leximit. Kam lexuar shumë libra atëherë. Nuk mund të them që është diçka që e bëj edhe tani.
Tingujt e kitarës të kanë shoqëruar kudo, duke pasur një baba kitarist. Ti vetë kur e ke marrë në dorë kitarën për herë të parë?
Kitara dhe muzika më ka shoqëruar gjithnjë. Kam pasur fatin të rritem me muzikë dhe të dëgjoj muzikë të mirë që i vogël. Këtë padyshim ia di për nder babait, që ka qenë gjithmonë në hap me kohën. Kitarën kam filluar ta luaj që në moshën 5-6 vjeçare, por më seriozisht fillova ta mësoj në vitin e parë të shkollës së mesme. Në atë periudhë formova edhe bandën e parë, grupin me të cilin luaja zakonisht në festat që organizoheshin në shkollë.
Po vëllai yt, ndante të njëjtin pasion?
Unë dhe vëllai im kishim një si zakon në gëzimet familjare. Luanim dhe këndonim bashkë… Normalisht kur na lusnin, jo gjithmonë me dëshirën tonë (qesh).
Na trego pak për Drenin adoleshent. Ku i ke jetuar ato vite?
Ishe rebel, apo prapë djalë i qetë. Gjate viteve të hershme të adoleshencës kam qenë një djalë i rregullt. Isha ndër nxënësit më të mirë në shkollë. Mësoja dhe merresha me sport. Me fillimin e shkollës së mesme ndryshuan shumë gjëra, sepse ndryshoi edhe shoqëria. Aty fillova të merrem më intensivisht edhe me muzikën. Kjo në shumë raste më bëri edhe më rebel. Vitet e adoleshencës i kam jetuar në Prishtinë, por edhe kam shëtitur me shokët në vende të ndryshme. Ndiqnim koncerte të artistëve të ndryshëm, bënim parti të çmendura.
Marrëdhëniet me shkollën i ke pasur gjithmonë të mira?
Siç e përmenda dhe më lart deri nga mesi i shkollës së mesme kam qenë vërtetë i dhënë pas mësimit dhe leximit. Më vonë filluan të më ngjallnin interes edhe gjëra të tjera. Aty suksesi në shkollë ra pak. Jo shumë ama… Përgjithësisht kam qenë nxënës i mirë.
E mban mend me kë e pive cigaren e parë?
Të them të drejtën nuk më ka pëlqyer asnjëherë cigarja dhe nuk e kam pirë kurrë. Ndonjëherë ndez ndonjë puro sa për qejf.
Po puthjen e parë, të dashurën e parë. Na fol pak për to.
Ka ndodhur fare herët. Më kujtohet që isha tetë vjeç. S'mbaj mend më shumë…
Tani duam të dimë për një tjetër dashuri, për skenën. Si ka qenë hera e parë në skenë?
Hera e parë në skenë ka qenë në moshën 14- vjeçare, në Korçë. Ishin ditët e luftës që unë i kalova në Tiranë dhe në Korçë. Në teatrin e Korçës "Andon Zako Çajupi" pata rastin të mbaj një mini koncert me serenata korçare. Ishte ndjenjë shumë e bukur. Hyrja ishte pa lek (qesh).
E ke përjetuar luftën në Kosovë, apo ke qenë jashtë? Si i kujton ato vite?
Ne që jetonim në Prishtinë, mund të them që kemi pasur fatin ta ndjejmë më pak luftën në një farë mënyre, por ato ditët që i përjetuam të gjithë, ditët më të vështira unë me familjen time i kaluam në Tiranë dhe një pjesë në Korçë. Nga Tirana dhe Korça kam kujtime të jashtëzakonshme dhe shumë të bukura. Tani je Dreni i famshëm dhe i suksesshëm.
Të merr malli për jetën e Drenit të thjeshtë?
Vazhdoj të jem Dreni i njëjtë. Bëj po atë jetë te thjeshtë që bëja më parë.
A të ka ndryshuar fama?
Fama mund të ketë ndryshuar rrethanat përreth meje, por kurrsesi karakterin tim.
(Balkanweb)

Dren Abazi: Puthjen E Parë Kur Isha 8 Vjeç