>
BIOSHQIP

Eduart Dëma: Kenga Ma Forcon Dashurine

10-05-2012
Dhe pse ka pak vite në skenë ai është bërë një ndër këngëtarët më të kërkuar nga shoqatat shqiptare në Greqi, por dhe nga drejtuesit e aktiviteteve artistike në Jug të Shqipërisë. Zbulimi i tij si këngëtar erdhi i rastësishëm nga shokët kur shkonin në buzukët e Athinës dhe ai këndonte apo shoqëronte këngëtarët grekë. Ishin ata që i thanë se do të bëhesh këngëtar. Dhe ai e mirëpriti këtë dëshirë të shokëve dhe dhunti të tij duke ju dhënë tërësisht këngës. Këndoi në disa buzukë grek, ku kërkohej kualitet dhe tashmë po shfaqet para publikut shqiptar me 5 klipe dhe nëntë këngë në një album shumë interesant "Lum ai që s'prishi fjalë". Kohët e fundit disa aktivitete në Greqi si jeni mirëpritur? Si mos më mirë. Në Greqi kam shumë fansa, por dhe lidhje me të gjitha shoqatat. Ndihem si mes miqsh të vjetër. Si u zbulua talenti i Eduartit për këngën? Fare rastësisht. Unë këndoja gjithmonë në shtëpi edhe me gjyshin në darkë, por këndoja për qefin tim. Këndoja si këndojnë vlonjatët në shtëpi apo në dasma pa menduar që të bëhesha këngëtarë i mirëfilltë. Këndoja labçe, por edhe këngë popullore vlonjate. Kur shkova në emigracion s'u ndahesha buzukëve të famshme greke. Këngët e tyre popullore janë afërsisht si tonat. Kanë shumë të përbashkëta. Aty këndoja bashkë me këngëtarët. Kjo për disa vjet. Shokët e mi kishin vënë re se unë këndoja bukur. Ata ngulmonin që unë të bëja provë. Fillova të këndoj nëpër mbrëmje. Dasma dhe në fejesa. Po pëlqehesha për çdo ditë e më shumë. Fillova të këndoj edhe nëpër buzukët grekë. Po shikoja se më ishte hapur rruga, Kënga ishte brenda meje dhe unë isha brenda këngës. Tashmë s'mund të ndaheshim nga njeri -tjetri, "Lum ai që s'prishi fjalë" a është albumi që i ka kënaqur shijet e tua? Besoj se po. Titulli ka lidhje me fëmijërinë time. Për ato vite kur rritesha në prehrin e gjyshërve të mi, të cilët bashkë me kujdesin më jepnin shumë këshilla për jetën, të cilat më janë ngulitur në mendje. Gjyshi sa herë binte fjala për miqtë dhe të njohurit më këshillonte "Bir, në jetë të jesh i kujdesshëm. Mos lakmo shumë. Puno me djersë dhe me nder. Por me një synim. Të mos kesh në qendër të vëmendjes paranë por njeriun. Bë sa më shumë miq dhe mundësisht asnjë armik. Pasuria vete dhe vjen ndërsa miqësia është e shenjtë". Dhe këto fjalë nuk mi thoshte njëherë, por sa herë në shtëpinë e tij bujtnin miq. Si shumë këngëtarë jugorë ju keni zgjedhur këngën popullore. Përse keni zgjedhur pikërisht këngën popullore për interpretim? Kjo për shumë arsye, por e para është se Vlora ku jam rritur ka në themel këtë këngë. Vlora, labçen dhe populloren i ka dy themele të shpirtit të artit. Kjo këngë më vjen për shtat, më jep forcë, më bën krenar, pastaj gjen dhe fabul popullore. Një pjesë e historisë së Vlorës ka ardhur deri në ditët e sotme edhe nëpërmjet këngës. Pra kjo këngë në disa momente ka zëvendësuar dhe historinë. Janë dhe veglat muzikore që këndohet kjo këngë një tjetër shtysë. Klarineta, defi, fizarmonika, violina, janë një katërshe magjike që më bën të meditoj por edhe të frymëzohem. Këto vegla i kanë shoqëruar kudo këngët e popullit dhe duket se janë shpikur enkas për popullin tonë. Një album ka shumë vështirësi. Me kë keni bashkëpunuar në albumin e fundit? Me kompozitorin e mirënjohur Adrian Hila dhe me autor tekstesh Nehip Seraj dhe Spiro Xhavara. Por dua të them se, disa tekste dhe disa këngë muzikën e kam bërë vetë. Pra jam kantautor. Tekste apo poezi kam bërë ende pa filluar të këndoj. Ka qenë si një hobi e vegjëlisë. Pas kaq kohësh a mendoni se keni realizuar çfarë keni dashur në këtë album? Tani më shumë se kurrë. Përderisa shtëpia diskografike : Supersonik: ka ngelur e kënaqur apo albumin ë treg po kërkohet s'ka përse të mos jem i kënaqur. Kjo s'do të thotë kam arritur gjithçka, por është një nisje e mirë. Greqi-Shqipëri. Ky është rrugëtimi juaj i përhershëm. Ndihesh i lodhur? Jo, aspak! Kjo është puna ime.. Jam dhe në Shqipëri, pasi këtu marr dhe mësime suplementare dhe terreni është më i përgatitur për këngët që unë këndoj. Pastaj unë tashmë jam i njohur në zonën time dhe kam pasur dhe kam kërkesa të vazhdueshme në fejesa, dasma, lokale. Lidhjet fisnore. Lidhjet shoqërore këtu janë më të mëdha se në Greqi, por atë vend sigurisht nuk e lë në hije, jo se aty u zbulova si këngëtar, por sepse edhe aty kam kërkesa të vazhdueshme nga miqtë e mi. Mund të them se jam tek të dy vendet njëlloj. Thonë se Eduarti është fejuar? (Qesh).Po, jam i fejuar dhe ndihem mirë. E fejuara ime më ka lehtësuar shumë gjëra. Më jep kohë të lirë por dhe qetësi shpirtërore. Por nga ana tjetër më ka hequr shumë fanse (qesh, ndërsa e fejuara thotë të kundërtën tanimë i janë nënshtruar fanset). Mendoni se jeni në kohën e përshtatshme për martesë? Besoj po. Fejesa ka ardhur në kohën e duhur, matësa mbetet vetëm diçka fiktive. Familja të bën më të orientuar në njëjtë. Këtë e kam si trashëgimi familjare ose si këshillë familjare. Jeni supersticioz? Jam. Besoj tek diçka hyjnore. Pijedashës? Pak. Në raste pi verë apo birrë. Me të familjes në raste të veçanta pijen tradicionale, rakinë. Por kurrë nuk e teproj. Alkooli të dëmton zërin. Marrëdhëniet me librin? Jo të mira. Puna jonë është si autobusët. Sa në një vend në tjetrin. Por kur kam kohë lexoj romane. Ndërsa gazetat kur jam në Shqipëri i ndjek çdo mëngjes. Ç'është dashuria për ju? Një këngë popullore e pafund. Motivi që ndjek në jetë? Puno, guxo, mos deformo. Është një trio fjalësh që më sjell fat. Besoni në fat? Tek tri fjalët e mësipërme? Çfarë vlerësoni tek njerëzit? Inteligjencën dhe zemërgjerësinë. Dy elementë të rëndësishëm për mua. Hobet e fëmijërisë i thatë, po hobet e tanishme? Gjuetia e kafshëve të egra. E kam shumë qejf pyllin, zogjtë, por gjuetinë e kam si argëtimin më të madh. Kur gjej kohë i jepem tërësisht këtij hobi apo sporti. Të pëlqen politika? Më pëlqejnë politikanët e kompletuar që mendojnë për popullin dhe jo për vete. Në Europë ka shumë të tillë në Shqipëri s'kanë lindur ende. Jeni xheloz? Në gradën e fundit të një shqiptari normal.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf)

Eduart Dëma: Kenga Ma Forcon Dashurine