TEKSTESHQIP

Eli Fara, Festë Për 47-Vjetorin

25-5-2014
Eli Fara, Festë Për 47-Vjetorin
Është hera e parë që këngëtarja e njohur, Eli Fara, organizon një darkë me miqtë për të festuar ditëlindjen e saj. Si një nga anëtarët e jurisë së festivalit "Kënga ime" në "Tv Klan", Eli ka festuar në të njëjtën ditë me muzikantin e njohur Aleksandër Lalo, të cilët i ka bashkuar ky projekt i madh televiziv. Në festën me organizatorët më të ngushtë të festivalit, Lalo ka festuar 66- vjetorin, ndërsa Eli 47-vjetorin.

"Është hera e parë që unë festoj ditëlindjen me miqtë dhe ideja lindi ngaqë ditëlindja ime përkonte me atë të Lalos. Mendoja se pse jo të mos gëzojmë në një darkë shumë miqësore me miq mjaft simpatikë", tha Eli. Në festë ishin të pranishëm vëllezërit Pandi e Bledi Laço, dy artistet e tjera të jurisë, Mikaela Minga e Eda Zari, prezantuesja Ardita Meni, mikja e saj e vjetër, Aurela Gaçe, vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, vajza e saj Marina etj.
Në lidhje me përjetimet që Eli ka në ditën e saj të lindjes, pohon se asnjëherë nuk e ka mendjen te koha që ecën, pasi për të e rëndësishme është ta jetosh atë. E komentuar si artistja me rininë e përjetshme për sa i përket pamjes së saj të kuruar, Eli nuk heziton të flasë dhe për jetën jashtë skenës. Pyetjes nëse është e dashuruar ose jo, Eli i përgjigjet:
"Ndihem mirë edhe kështu, me jetën plot angazhime dhe karrierën time si këngëtare. Po për dashurinë nuk mund të flas, sepse nuk kam asgjë për të treguar. Kur të takoj dashurinë e jetës, të jeni të sigurt që do të jem e hapur për ta bërë publike", shprehet ajo. Aktualisht Eli po punon për klipin e saj të ri para verës, që do të jetë një këngë popullore në bashkëpunim me Adrian Hilën.
(Panorama Plus)

Komente 0