TEKSTESHQIP

Eli Fara: “Kjo Është Një Ndër Verat Më Aktive Për Mua“

14-8-2014
Eli Fara: “Kjo Është Një Ndër Verat Më Aktive Për Mua“
Nuk i pëlqen të pushojë; për këngëtaren e serenatave, Eli Fara, kjo është një stinë e mbushur me punë dhe aktivitete. Në një rrëfim për "Summer Pages", ajo zbulon planet për këngën e fundit, ku premton se do të rikthehet ndryshe për publikun.

Eli flet dhe për karrierën e saj në SHBA, duke u shprehur se artistët shqiptarë paguhen më mirë në vendin tonë. Nuk harron pa përmendur dhe Marinën, bekimin më të madh në jetë. "Marina fatmirësisht nuk ka shumë lidhje me muzikën", shprehet këngëtarja simpatike. Më tej pranon se nuk ka bërë kurrë operacion plastik dhe se kurrë nuk do të bënte një të tillë. Për publikun zbulon dhe ritualin e bukurisë, teksa pohon se i pëlqen të jetë gjithnjë e trukuar dhe në formë.

Si po e kalon Eli këtë verë?

Është një ndër verat më aktive për mua. Shumë koncerte në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera. Ka qenë e mbushur plot me punë dhe nuk kam pasur shumë kohë për të pushuar. Megjithatë po e shijoj stinën.

Keni kohë që i mungoni ekranit me një produksion të ri; kur do të riktheheni për publikun?

Kam diçka në dorë. Bëhet fjalë për një këngë të re timen, por që këtë herë kam zgjedhur të vij në vjeshtë dhe jo në verë, ku të gjithë artistët sjellin hitet e tyre. Do të jetë diçka ndryshe nga sa jeni mësuar të më shihni deri më sot.

A jeni besnike ndaj bashkëpunëtorëve tuaj, apo ju pëlqen të provoni edhe artistë të tjerë të tregut?

Jam besnike ndaj atyre që zgjedh. Më pëlqen të shikoj mirë tregun, dhe në fund zgjedh atë që është më i përshtatshëm për mua, për zhanrin tim muzikor. Nuk ndodh që të bëj eksperimente në muzikë.

Shumë prej këngëve tuaj janë bashkëpunime; a e quani veten këngëtarja e bashkëpunimeve të suksesshme?

Në fakt më pëlqejnë bashkëpunimet. Më ka pëlqyer bashkëpunimi me Kastriot Tushën, Merita Halilin, Doktor Florin dhe Albanin, më pëlqejnë këngët që kam bërë me ta. Ashtu sikur kam bindjen se kam bërë këngë shumë të mira dhe solo. Gjithçka varet nga produksioni që ke në dorë.

A do ta shikojmë ndonjëherë Elin duke kënduar hip-hop?

Është një rrymë paska e vështirë për t'u kënduar nga unë. Nuk e gjej veten në të tillë muzikë, kështu që preferoj të bëj dëgjuesen në këtë rast.

Ju kemi parë që vini ekstravagante në klipet tuaja; ju pëlqen ky stil?

Më pëlqen ekstravaganca. Më pëlqen që në klipet e mia të vij ndryshe, më me shije. Natyrisht, flas për ekstravagancën brenda normës, kur bëhet fjalë për klas, për delikatesë. Unë këtë quaj ekstravagancë tek vetja, kur nuk kalon masën dhe e përcjell veten tënde më së miri.

Prej vitesh një karrierë në muzikë, a mendoni se ka ardhur momenti që të keni një çmim të parë?

Unë në gjithçka që bëj jam e para, nuk më duhet një trofe për këtë. Që në vitin 1989 kur unë pata dhe suksesin tim të parë, mund të them që kam ditur të bëj gjëra shumë të mira. Ndonjëherë nuk është e rëndësishme ta marrësh trofeun, por të dish ta mbash. Sot, në kaq shumë kompeticione muzikore që ka, është e thjeshtë të marrësh një çmim të parë, por sa punë do të bëjë artisti për ta mbajtur këtë çmim...
A i ka braktisur Eli serenatat për hir të muzikës komerciale?

Asnjëherë! Serenatat janë muzika e shpirtit tim dhe unë kurrë nuk do t'i braktis. Nuk bëj muzikë komerciale, s'kam lidhje me komercialitetin.

Ku e ka më të thjeshtë një artist shqiptar të bëjë karrierë, në Shqipëri apo në SHBA?

Artisti bën më thjesht karrierë në vendin e tij. Nëse ti këndon në shqip, atëherë publiku shqiptar është ai që të do më shumë, ai që të promovon më shpejt.

Ku paguhen më mirë artistët, në Shqipëri apo në SHBA?

Në Shqipëri paguhen më mirë se në SHBA, e kam fjalën për artistët elitarë këtu. Koncertet dhe spektaklet në vendin tonë paguajnë më mirë se në çdo vend tjetër. Pagesat këtu janë më të larta se në SHBA.

Gjithnjë hermetike sa i përket jetës suaj private; përse kjo zgjedhje?

Sepse është private në fund të fundit. Disa gjëra më pëlqen t'i mbaj intime dhe larg fokusit të publikut.

A ka pasur raste që mediat kanë abuzuar me emrin tuaj?

Në fakt ndodh në Shqipëri që artistët prononcohen dhe të nesërmen tjetër gjë shikojnë nëpër gazeta. U ndodh thuajse të gjithëve.

Thonë se jeta nis pas moshës 40 vjeç, a ka ndodhur kështu edhe për ju?

Nuk mbaj prefikse në jetën time. E shijoj çdo ditë, si 20, si 40. Nuk jam nisur nga mosha për të jetuar, por nga dëshira.

A keni ndonjë sekret bukurie tuajin?

Nuk kam asgjë të veçantë në fakt. Bëj gjithçka që bëjnë edhe moshataret e mia. Përdor shumë kremrat; më shumë se domosdoshmëri, i kam një hobi. Më pëlqen shumë të grimohem edhe kur jam në shtëpi. Dua që kur të kaloj para pasqyrës të ndeshem me një imazh të bukur. Gjithashtu konsumoj shumë ujë. Këto janë sekretet e mia.

Si keni reaguar teksa keni dëgjuar për veten se keni kryer operacione plastike?

Sikur jam mësuar paksa me këto akuza tani, nuk më bëjnë më përshtypje. Mjafton të krahasohen fotot e mia ndër vite dhe kuptohet shumë thjesht se nuk kam asnjë operacion plastik në fytyrën time. Jam e gjitha natyrale.

Po në të ardhmen, a do të bëni një ndërhyrje kirurgjikale?

Do të bëja operacion vetëm nëse do të kisha ndonjë deformim nga lindja. Fatmirësisht nuk e kam një problem të tillë, kështu që nuk do të bëj kurrë një operacion për të përmirësuar pamjen time.

Flisni shpesh për vajzën tuaj, si i keni marrëdhëniet me Marinën, a jeni mikesha?

Marina është bekimi im më i madh. Më pëlqen që konsultohemi për çdo gjë. Ajo është më e re dhe patjetër që do të ketë jetën e saj, gabimet që duhet t'i bëjë në jetë. Unë si nënë e lë të lirë. Është një marrëdhënie e ngushtë kjo e jona.

A do dëshironit që vajza juaj të merrej me muzikë?

Jo, nuk do ta kisha këtë dëshirë dhe Marina fatmirësisht nuk ka shumë lidhje me muzikën. Më bëhet qejfi që ajo ka jetën dhe punën e saj. Bota e muzikës është shumë e ashpër, vetëm më të fortit mbizotërojnë.

Ku do i kaloni pushimet këtë verë?

Pushimet janë gjëja e fundit që mendoj në këto momente. Jam tipi që, edhe sikur të mos bëj fare pushime nuk e kam shumë problem. Më pëlqen të jem aktive dhe pushimet sikur më lodhin në vend që të më çlodhin.
(Summer Pages)

Komente 0