TEKSTESHQIP

Elton Deda, Thirrje Gjithë Grupeve Rock Të Bashkohen

18-5-2014
Elton Deda, Thirrje Gjithë Grupeve Rock Të Bashkohen
Kantautori organizon festivalin e rokut për 3 netë

Rikthehet me misionin për të rilindur rock-un, muzikën të cilën nuk e tradhtoi kurrë. Kantautori i njohur, Elton Deda, do të mbledhë rokerë të njohur e të rinj, për t’u ngjitur në skenë së bashku, në tri net festival në Tiranë. Për këtë aventurë muzikore dhe grupet që do të ribashkojë pas gati 25 vitesh, Deda tregon në këtë intervistë për gazetën "Panorama". Por nuk ngurron të flasë edhe për çështje private, se si ndihet tashmë që ka kaluar të 40-at në tregun e muzikës shpesh të banalizuar, marrëdhënia e munguar me drogën dhe çfarë i ka mësuar jeta të mos gabojë edhe në çështjet e zemrës.

Merr përsipër të organizosh tri net maratonë të muzikës rock në sheshin para Universitetit të Arteve. Ishte kjo një ide për të shpëtuar këtë muzikë?

Po, në datat 5-6-7 qershor, në sheshin e Universitetit të Arteve zhvillohet Rockstock festival, më i madhi në trevat mbarëshqiptare. Përkundrazi, do të thoja që rock-u nuk ka nevojë dhe nuk do ketë shpëtohet si rrymë, pasi tashmë është duke u kthyer në një trend të ri. Shumë njerëz po lodhen nga muzika komerciale, edhe po kthehen sërish te rock-u e rrymat e ngjashme me të. Nuk është shpëtim, por "rilindje" dhe "riciklim".

Sa masive do të jetë pjesëmarrja, dominojnë bandat e reja apo të njohura në vite?

Do të jenë rreth 25 banda dhe performues. Sigurisht që do dominojnë bandat "VIP", përfshirë artistë të afirmuar dhe rokerë të rinj, të cilët i kanë dhënë dhe i japin muzikës së mirë krijime origjinale me vlera. Por një nga synimet e festivalit është edhe afirmimi i bandave të reja, që aspirojnë të këndojnë në skenat e mëdha dhe të bëra profesionalisht për të dhënë më të mirën. Unë u kam bërë thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj iniciative gjigante.

Sa grupe të krijuara në vitet ‘90 do të mund t’i shohim të ribashkuar? Ti e ke mbledhur "Tingullin e zjarrtë"?

Besoj do jenë dy prej tyre, por i konfirmuar deri tani është "Albatros", një nga grupet më të mira që kemi pasur ne ato vite. Djemtë janë ende në formë dhe besoj do jetë bukur t’i shohim të ri mbledhur si atëherë. Unë personalisht nuk e mbledh dot "Tingullin e zjarrtë", por do sjell përsëri "3 Muskëtierët" me më shumë rock.

Do të ketë femra rockere dhe do të ndahen çmime, përderisa e quani "festival"?

Sigurisht, ndonëse shumica e rokerëve janë meshkuj, femrat nuk do të mungojnë e me siguri deri në datën e eventit do na bashkohen akoma më shumë vajza rockere. Flaka Krelani dhe Rina Bilurdagu janë të konfirmuara, ndërsa presim një konfirmim nga Juli Pasha.

Je dhe ti një nga ata që kur panë Conchitën austriake që fitoi Eurosong thanë "u prish bota dhe muzika". Apo në "The Voice" do e kishe zgjedhur për zërin?

Kam ca ditë që dëgjoj për letra të hapura e të mbyllura për këtë argument, por nuk besoj se u prish bota se doli një ai/ajo me mjekër e me fustan. Bota ka vend për të gjithë, e rëndësishme është të mos frustrohet asnjë palë për zgjedhjet personale. Conchitën mund të mos e kisha zgjedhur te "The Voice", pasi nuk më la ndonjë mbresë zëri.

Mund të kuptohet një roker pa cigare, alkool dhe drogë? Ti?
Sigurisht që kuptohet edhe pa vese. Stereotipat i kam inat. Unë personalisht kurrë s’kam marrë droga në jetën time dhe qesh me lot kur dëgjoj opinione nga njerëz që s’më njohin e që vënë dorën në zjarr që unë kam bërë namin me kësi gjërash. Sa për alkool e cigare, ato s’kanë nevojë të kualifikohen si vese që identifikojnë një roker, pasi pothuajse të gjithë "lëshohen" herë pas here tek ato. Drogat dhe bixhozin i urrej në kulm dhe gjithmonë do t’i luftoj, edhe te miqtë e mi.

Mund t’i këndosh gjithë jetën një femre si roker?

(Qesh) Po, baladat më të bukura nga rokerët janë bërë….

Pas portretit tënd fshihet një Jezu Krisht apo një djall?

Për aq sa e njoh Tonin, i kam të dyja në doza të theksuara, nga Krishti anoj për të bërë mirë, nga djalli, për të mos u bindur kollaj.

E ke shijuar ndonjëherë lirinë e plotë, po dashuria për ty është robëri?

E kam shijuar dhe kam ndërmend ta shijoj gjithmonë. Kam provuar edhe të dytën, duke kuptuar që për një tip si unë është gabim i madh. Unë nuk dal kundër rregullave të ndjenjave, por bëj të miat ama. Dhe kush ndihet mirë aty, është më se i mirëpritur. Robërinë askush s’e do, por fatkeqësisht shumë prej nesh e pranojnë si kusht jete, dhe kjo për mua është sakrilegj. Kur pendohesh, është tepër vonë, je i/e mbaruar dhe nuk e takon dot më lumturinë.
(Panorama Plus)

Komente 0