TEKSTESHQIP

Enxhi Nasufit I Pëlqen Krahasimi Me Elvanën

23-2-2014
Enxhi Nasufit I Pëlqen Krahasimi Me Elvanën
Gjysmëfinalistja e spektaklit ‘X Factor Albania 3’, Enxhi Nasufi, shpreson që të ndërtojë një karrierë të suksesshme muzikore dhe padyshim se do t’i pëlqente bashkëpunimi me kantautorin Flori Mumajesi, këngët e të cilit shndërrohen në hite.

Një javë më parë, para se të eliminohej, ajo performoi bashkë me kantautorin e suksesshëm në raundin e dytë që u zhvillua me duete. Ndërsa gazetarët e Panorama e kanë pyetur nëse do t’i pëlqente bashkëpunimi me të.
"Sigurisht, ne biseduam pak dhe ai më shprehu dëshirën e tij për bashkëpunim. Po ashtu dëshira ime është shumë e madhe, kështu që le t’ia lëmë kohës!", ka deklaruar 18-vjeçarja.

Ajo ka thënë se ka qarë në fshehtësi pas eliminimit, sepse ndjehej e mërzitur që nuk do të ishte më e pjesë e spektaklit, në të cilin mori pjesë për 15 javë radhazi. "Por njëkohësisht s’mund ta fsheh lumturinë që ndiej edhe pse s’jam në finale, për faktin se mësova shumë nga kjo eksperiencë. ‘X Factor’ e konsideroj shkollë jo vetëm për zërin tim, por edhe për çdo gjë që mësova e që do më shërbejë në jetë: korrektësinë në punë, mënyrën e të menduarit dhe komunikimin. Jam shumë e lumtur që kam njohur njerëz të mirë gjatë këtij rrugëtimi, të cilët kanë treguar dashuri e dashamirësi ndaj meje".

Ajo ka pranuar se është në lidhje me një djalë që studion për pilot. "Po, unë po jetoj një lidhje të bukur prej 11 muajsh me Obrajan, që është pak muaj më i madh se unë. Në fillim ishim shokë të mirë shkolle dhe më pas u lidhëm. Kjo e bën historinë tonë të bukur, pasi e njohim mirë njëri-tjetrin dhe dimë gjithçka që duhet. Në radhë të parë jemi shokë e pastaj të dashur". Megjithatë, Enxhi nuk është e gatshme ta provojë bashkëjetesën në këtë moshë.
Krahasimi me Elvana Gjatën e bën atë shumë të lumtur. "Kur më thonë ‘Elvana Gjata junior’ patjetër që më pëlqen. Përveç të tjerash, qetësia e saj është për t’u admiruar".

E pyetur se cilin nga finalistët e ‘X Factor’, e konsideron si fitues, Enxhi ka thënë: "Ndoshta kjo nuk është pyetje për mua. Derisa kanë shkuar në finale, le ta fitojë më i miri. Është vënë re që unë shoqërohem me Ergin, por unë i dua njësoj edhe Sarën dhe Senadin".
(Telegrafi)

Komente 1