TEKSTESHQIP

Fatmira Breçani, Bilbili I Popullit Tonë

12-1-2017
Fatmira Breçani, Bilbili I Popullit Tonë
Të dish të këndosh, është dhunti, por të dish të çosh peshë çdo ambijent ku merr pjesë, kjo është bekim nga Zoti. E këtillë është artisjta jonë popullore, pa të cilën nuk kalon asnjë eveniment i yni, të paktën pa ia zënë emrin në gojë për zërin kumbues dhe assesi të shterrur në asnjë moment të vetëm. Kemi nderin dhe kënaqësinë të zhvillojmë këtë bashkëbisedim, të cilin ju ftojmë ta lexoni...

Teksteshqip: Po e nisim këtë intervistë në mënyrën më klasike: Kush jua zbuloi talentin dhe kur keni kënduar për herë të parë një këngë?

Fatmira Breçani: Talentin për këngën fillimisht ma zbuloi familja ime, pastaj mësuesit në shkollë, të cilët më dërgonin nëpër koncerte për fëmijë. Pastaj, gradualisht e me vështirësi të madhe nga mentaliteti i asaj kohe, nisa karrierën time për të qenë sot kjo që jam!

Teksteshqip: Në të vërtetë, ishin vite të arta ato kur nisët karrierën?

Fatmira Breçani: Ato ishin vite të arta meqenëse dhe unë isha e privilegjuar nga të gjithë njerëzit.
Teksteshqip: Cilën këngë e cilësoni si "çelësin" e suksesit dhe që ju ka dhënë shtysë për suksese të reja?

Fatmira Breçani: Kënga ime e parë ka qenë "Çohu moj çikë e dil te ara", e cila më ka dhënë shtysë të eci përpara, sepse me këtë këngë është çuar në këmbë i gjithë publiku në Tiranë dhe thashë me vete: Unë vlej për ta! Pastaj, ishte kënga "Kapërceva Erenikun", "Moj bardhokë moj flokë kunorë", "Çikë e bukur nga Tropoja", etj. dhe ende vazhdoj të nxjerr hite të reja të pëlqyera nga publiku.

Teksteshqip: Me cilët bashkëpunëtorë e ndani suksesin?

Fatmira Breçani: Me tekstshkruesit: Hamit Alia, Skënder Bucpapa, Gjokë Beci, etj. Me kompozitorët: Bashkim Gjyriqi, Skënder Doshlani, Kolë Susaj, Edmond Zhulali, etj.

Teksteshqip: Kur përmendet emri "Tropojë", ç'emocion ju përshkon?

Fatmira Breçani: Gjithmonë, kur përmendet emri i vendlindjes, më vjen nëpër mendje fëmijëria, familja, fillet e karrierës, martesa ime, dy fëmijët, historia e trimat e krahinës sonë. Me një fjalë, më ndjell emocione të mëdha.
Teksteshqip: Vlerësimet e marra nga publiku dhe institucionet janë të panumërueshme. I kujtoni dot ato që mendoni se kanë peshë më të madhe?

Fatmira Breçani: Është e vërtetë se vlerësimet që m’i kanë dhënë janë të shumta. I kujtoj disa çmime nga publiku, nga muzikologë dhe juri profesionale, deri te vlerësimi i Presidentit të republikës në vitin 2014 "Mjeshtër i Madh".

Teksteshqip: Ju këndoni magjishëm, pa e lodhur adhuruesin. Është kjo nga përvoja e gjatë me këngën-skenën, apo dhunti e juaja?

Fatmira Breçani: Unë kam vite të shumta dhe përvojë të gjatë që këndoj, por mund të jetë edhe nga "dhuntia" siç i themi ne "e lindur".

Teksteshqip: Garderoba luan rol të rëndësishëm në paraqitjen e gjithë artisëve. Juve, cilën lloj të veshjeve e keni më me qejf?

Fatmira Breçani: Unë në përgjithësi e pëlqej kustumin kombëtar dhe e kam veshur më shpeshë në paraqitjet e mija, por nuk do të thotë që nuk i pëlqej edhe fustanet.
Teksteshqip: Nuk mund ta vazhdojmë këtë bisedë pa folur diçka për familjen tuaj!...

Fatmira Breçani: Familja ime rrjedh nga Tropoja, për ndryshe nga Malësia e Gjakovës. Ne jemi 12 fëmijë në familje, 7 motra dhe 5 vëllezër, të gjithë të martuar e me familje. Unë jetoj me burrin dhe dy fëmijët: vajzën, Drenicën 23 vjeçe dhe djalin, Denisin 22 vjeç. Te familja, për mua fillon dhe mbaron gjithçka.

Teksteshqip: Si e kaloni një ditë të zakonshme?

Fatmira Breçani: Të them të drejtën, jam fort e angazhuar nëpër mbrëmje të ndryshme, por kur jam e lire, si çdo grua e thjeshtë familjare!

Teksteshqip: Ku jeni e angazhuar më shumë me mbrëmje?

Fatmira Breçani: Jam gjithandej, Evropë, Amerikë, Angli, tani për pavarësinë e Kosovës jam në Australi. E kam peng fundin e botës njëherë haha (qesh)!

Teksteshqip: Në mbyllje të bisedës, çka jeni duke pregaditur për publikun, ndonjë projekt të ri?

Fatmira Breçani: Jam duke pregaditur dy këngë të reja që do i përfundoj së shpejti.

Teksteshqip: Ju falenderojmë shumë Fatmire që ndatë kohë për këtë bisedë të ëmbël. Keni të shtoni diçka për fund?

Fatmira Breçani: Ju falenderoj edhe unë e ju uroj sa më shumë suksese!
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Komente 0