TEKSTESHQIP

Florian Beqiri: Ndoshta Një Ditë Bëhem I Famshëm Si Justin Bieber

23-3-2013
Florian Beqiri: Ndoshta Një Ditë Bëhem I Famshëm Si Justin Bieber
Popullariteti nuk njeh moshë, sa që as për Florian Beqirin nuk ka pasur asnjë lloj pengese, që ai të shfaqet krah këngëtarit Adrian Gaxha duke performuar në clube të ndryshme në mbarë botën, andej nga jetojnë shqiptarët. Gjatë një interviste për "Koha Tjetër", djali 12 vjeçar, Florian Beqiri, i cili u identifikua si zëri më i bukur përkrah Adrian Gaxhës me këngën "Ngjyra e kuqe" në festivalin Kënga Magjike, gjatë kësaj interviste tregon për veten, planet me Gaxhën, si dhe kënaqësinë e popullaritetit si një adoleshent.

Kush është Floriani?

Jam një djalë i ri që mëson në shkollë dhe në muzikë. Jam shumë gazmor dhe gjatë tërë kohës rri i buzëqeshur.

Si është një 12 vjeçar kaq i famshëm?

Një gëzim i madh për mua dhe më duket shumë interesante, akoma nuk mund ta besoj.

Mos vallë do bëhesh një Justin Bieber shqiptar?

Ndoshta bëhem si ai, sepse është yll shumë i madh, sidomos për adoleshentët.

Femrat, më shumë kërkojnë të bëjnë foto me ty apo me Adrianin?

Me të dy. Po të them me mua, do i vijë inat Adrianit, vijnë të bëjnë foto me mua pastaj thonë se po bëjmë dhe me Adrianin, kështu që i bie me të dy…

Si po të presin shokët dhe mësuesit në shkollë?

Pas prezantimit te "Kënga Magjike", kur u ktheva në shkollë më kanë pritur me duartrokitje, ndërsa pedagogët kishin këngën time nëpër celularë. Ato janë shumë të mirë me mua dhe më tolerojnë e nuk më bëjnë probleme.

Kush kujdeset për look-un tuaj se shfaqeni i veshur bukur gjithmonë?

Për këtë gjë, kujdeset Adriani.

Për çfarë bisedoni me Adrianin gjatë rrugëtimeve që bëni?

Vetëm për muzikë.

Këndon deri vonë nëpër diskoteka, të merr gjumi më pas?

Disa herë më ka marrë gjumi kur kemi qenë jashtë skenës, por Adriani më ka qëndruar pranë dhe më ka zgjuar.

E ke njohur më herët atë?

E kam njohur shumë mirë dhe e kam pasur idhull, gjithmonë e kam pasur ëndërr të këndoj bashkë me të, por nuk e kam pritur se kjo do të ndodhte kaq shpejt.

Me kë bisedon Adriani më së shumti në telefon?

Ai flet vazhdimisht me dikë në telefon, por për aq sa e kam dëgjuar flet për punë me njerëz të ndryshëm.

Cila është dhurata më e shtrenjtë që të ka bërë Adriani ose ndonjë fanse?

Kam pasur shumë dhurata kohëve të fundit, nuk kam dëshirë të veçoj ndonjërën, sepse për mua të gjitha janë të veçanta.

Kush të ka puthur për herë të fundit?

Nuk e tregoj, se më bërtet mami pastaj.

Na e përshkruaj pak Adrianin si është?

Është njeri shumë i mirë, i kujdesshëm për mua, i qetë dhe ende asnjëherë s’e kam parë të bëhet nervoz. Shpresoj kështu të vazhdojë dhe më tej…

Edhe sa kohë do të punoni së bashku?

Kam kontratë pesë vjeçare me të, por shpresojmë që tëbashkëpunojmë edhe më shumë, pse jo!
(Koha Tjetër)

Komente 20