>
BIOSHQIP

Gena, Vetë Feston E Vetë Këndon

20-11-2012
Këngëtari i njohur Gena, i cili këndon nëpër klube të ndryshme të Kosovës, e ka festuar në një mënyrë të veçantë ditëlindjen e tij. Në vend që të ftonte dikë për të kënduar, këndoi vetë në ditëlindje ku ishin të pranishëm shumë mysafirë të tij.

Këngëtari i njohur nga Shqipëria, Gena Lito të enjten e ka festuar ditëlindjen e 37-të të tij. E këtë datëlindje ai e festoi në një mënyrë të veçantë.

Ai e kishte zgjedhur kafenenë e njohur në kryeqytet 'Annex Bar' për të festuar me miqtë e tij.

Madje, Gena i befasoi mysafirët e tij, të cilët i 'qerasi' duke ua kënduar 'live' këngët e tij, të cilat tashmë po dëgjohen gjithandej nëpër Kosovë.

"Vendosa ta festoj datëlindjen time në këtë mënyrë, këtu në 'Annex' sepse njerëzit e këtij vendi janë miqtë më të mirë të mi. Ata më nderuan duke ardhur në këtë datëlindje time", tha Gena për Express.

Siç dihet, në dy vitet e fundit, Gena ka bërë 'boom' në Kosovë. Ai është bërë njëri prej këngëtarëve më të kërkuarve nëpër restorante, hotele, klube të natës, por edhe nëpër dasma në Kosovë, posaçërisht në Prishtinë.

Kjo e ka shtyrë që për publikun kosovar kohëve të fundit t'i plasojë disa këngë të reja, të pasuruara edhe me video-klipe.

E për këtë sukses, Gena e falënderon menaxherin e tij, Enis Fetahun, për të cilin thotë se e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë që ta afrojë me publikun kosovar.

Duhet theksuar se Fetahu njihet për organizime të ahengjeve të mira në kryeqytet, andaj shumë këngëtarë janë të hapur për të bashkëpunuar me të.

Por, Fetahu thotë se aktualisht është menaxher i Genës dhe Fatos Hondozit, por shpejt do të tregojë edhe emra të këngëtarëve tjerë me të cilët po punon, por larg vëmendjes së medieve e publikut.
(Express )

Gena, Vetë Feston E Vetë Këndon